KDI: Mungesë e transparencës për politika sociale në rajonin e Prizrenit - Bota Sot
KDI: Mungesë e transparencës për politika sociale në rajonin e Prizrenit

Prizreni

E hënë, 23 korrik 2018

KDI: Mungesë e transparencës për politika sociale në rajonin e Prizrenit

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 13:23
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar analizën hulumtuese “Politikat sociale në nivel lokal” ku përfshihen komuna e Prizrenit, Rahovecit dhe Dragashit, ku nxirren në pah ngecja e hartimit të planeve vjetore dhe mirëmbajtja e shërbimeve sociale dhe familjare në këto komuna.

Naim Cahani nga KDI, në një konferencë për media tha se përkundër obligimeve ligjore të komunave në hartimin e Planeve vjetore në mirëmbajtjen e shërbimeve sociale dhe familjare, asnjë nga komunat që përfshihen në kuadër të këtij hulumtimi nuk kanë dokumente të tilla.

“Një gjë e tillë ka reflektuar në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies së komunave në përfshirjen e qytetarëve në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale”, tha ai.

Cahani potencoi mungesën e respektimit të procedurave dhe mungesën e kritereve të qarta për dhënien e subvencioneve në nivel lokal, ndërsa  Elmedina Dorambari nga KDI, ka folur për politikat e financimit të Organizatave të Shoqërisë Civile që ofrojnë shërbime të caktuara  sociale.

“Gjatë hulumtimit, është vërejtur mungesë kriteresh dhe uniformiteti, duke mos specifikuar në detaje se cilat nga kriteret duhet të përmbushen me qëllim të qasjes në subvencione nga ana e Organizatave të Shoqërisë Civile. Mungesa e politika të brendshme, mund të reflektojë në mungesë të transparencës dhe përjashtimin e shumë organizatave që ofrojnë shërbime sociale në territorin e komunave përkatëse”, ka thënë Dorambari. Ky hulumtim, e nxjerr komunën e Prizrenit si komunë të vetme, e cila në kuadër të politikave të saja sociale ka investuar në financimin e programeve të veçanta të banimit, por Komuna e Prizrenit, duhet të krijojë një mekanizëm shumë-palësh në monitorimin e zbatimit të kontratave me përfituesit aktualë.

Dorambari, po ashtu prezantoi edhe rekomandimet e dala nga ky hulumtim për këto komuna si ndryshimi i rregulloreve komunale për ndarjen e subvencioneve Komuna e Prizrenit dhe e Dragashit, implementimi dhe respektimi i rregullores komunale për ndarjen e subvencioneve nga komuna e Rahovecit.

Po ashtu ndër rekomandimet është edhe përfshirja e komunitetit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile në hartimin e planit vjetor të shërbimeve sociale, rritja e transparencës dhe publikimi i planit vjetor në ueb faqen zyrtare të komunës, hartimi i planeve strategjike në nivel lokal për adresimin e nevojave sociale dhe familjare në periudha afatgjata.

KDI rekomandon rritjen e buxhetit komunal për investime kapitale për politikat sociale të banimit  në nivel lokal komuna e Dragashit dhe Rahovecit, vendosja e standardeve dhe respektimi i kritereve në politikat e programeve të banimit social nga Komuna e Prizrenit.

Gjithashtu, krijimi i një komisioni shumë palësh në monitorimin e zbatimit të kontratave me shfrytëzuesit aktualë të banesave sociale në Komunën e Prizrenit dhe rritja e mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit ndërmjet MPMS dhe komunave në hartimin e planeve strategjike për banimet sociale dhe ndarjen e banimeve sociale nga komuna, janë ndër rekomandimet e KDI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test