Ish drejtori komunal i Prizrenit: Nuk isha unë pronar i lokalit, ishte djali

Prizreni

Ish drejtori komunal i Prizrenit: Nuk isha unë pronar i lokalit, ishte djali

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 11:21
Bujar Hasani, drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit

Bujar Hasani, drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit që akuzohet për shpërdorim detyre dhe uzurpim të pronës ngase nuk largoi një konstruksion metalik nga Zona Historike e këtij qyteti, ka dhënë sot mbrojtjen e tij para trupit gjykues në Gjykatën e Prizrenit.

I akuzuari Bujar Hasani deklaroi se nuk ka qenë pronar i lokalit “Fellas” në kohën kur ishte emëruar Drejtor i Inspektoratit në Prizren.

“Unë nuk kam qenë pronar i DPH “Felas” në Prizren as nga data e marrjes së detyrës por edhe në periudhën e mëhershme, pronar i DPH “Felas” është djali im Gurash Hasani”, tha i akuzuari Hasani.

Sipas aktakuzës, Bujar Hasani ngarkohet se si drejtor i Inspektorateve për të përfituar për vete nuk ka larguar konstruksionin metalik në Zonën Historike të Prizrenit.

Konstruksioni metalik, sipas prokurorisë, ishte vazhdim i lokalit “Fellas”, pronë e Bujar Hasanit.

Aktakuza tregon se prej janarit 2015 e deri tash Hasani ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme pronën e paluajtshme të Komunës së Prizrenit në Zonën e Mbrojtur të qytetit.

Enver Bytyqi akuzohet se nga viti 2015 e deri tash nuk ndërmori inspektime për të iniciuar largimin e konstruksionit metalik të vendosur nga shefi i tij.

Në seancën e së premtes, i akuzuari Bujar Hasani tha se djali i tij, Gurash Hasani, ka pasur vendim përkatës për vendosjen e karrigeve dhe tavolinave përballë objektit “Fellas” nga organet kompetente të Komunës së Prizrenit, dhe si person i autorizuar zyrtar asnjëherë nuk ka pasur asnjë vendim apo kërkesë të ndonjë organi të kësaj komune për largimin e këtij aneks konstruksionit metalik të vendosur si vazhdimësi e këtij lokali.

“Sigurisht që ka pasur leje për shfrytëzim, këto janë të vërtetuara edhe në bazë të aktvendimeve të lëshuara nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor dhe, nga koha kur e kam pranuar detyrën, nuk kam pas të iniciuar asnjë procedurë ligjore e cila do të ishte në Drejtorin e Inspektorateve për largimin qoftë të tavolinave apo të konstruksionit”, tha mes tjerash i akuzuari Bujar Hasani.

Seanca e radhës do të vazhdojë ditën e hënë ku pritet të jap mbrojtjen e tij i bashkakuzuari Enver Bytyqi i cili akuzohet se si inspektor nuk ndërmori inspektime për të iniciuar largimin e konstruksionit metalik të vendosur nga shefi i tij./Kallxo.com/

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat