Jon Harrison, rruga më e re në Prizren

Prizreni

Jon Harrison, rruga më e re në Prizren

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 15:07
Pamje nga ceremonia

Për nder të kontributit që ka dhënë gjatë luftës së fundit në Kosovë, si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komuna e Prizrenit ka nderuar britanikun Jon Harrison. Nga sot, një rrugë në lagjen ‘Jeni Mahallë’ të kësaj komune, do të mbajë emrin e tij.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka vlerësuar lartë kontributin që ka dhënë ushtari britanik në luftën e UÇK-së.

Muja tha se Harrison është luftëtar i lirisë, i cili luftoi për idealin më të shtrenjtë në botë, lirinë e individit nga okupimi.

Muja: Në luftën e UÇK-së u dallua trimëria dhe guximi i Jon Harrison

“Në luftën heroike që po bënte  UÇK-ja për mbrojtjen e tërësisë territoriale, mbrojtjen e familjeve të tyre nga regjimi gjakatar serb u dallua trimëria dhe guximi i ushtarit të UÇK-së të ardhur nga Mbretëria e Bashkuar, Jon Harrison për të luftuar për lirinë e popullit të Kosovës. Sot është një ditë e rëndësishme për Komunën e Prizrenit, sepse në emër të Komunës sot po e nderoj luftëtarin  e lirisë Jon Harrison me pllakatë falënderimi. Për të përkujtuar gjithmonë veprën dhe luftën e lirisë së ushtarit të UÇK-së, Jon Harrison, me vendim të Kuvendit të Komunës, është emërtuar një rrugë e qytetit me emrin Jon Harrison. Prandaj më lejoni që në emër të qytetarëve të komunës, t’ju falënderoj përjetësisht për veprat tuaja në çlirimin e Kosovës”, tha Muja.

Në anën tjetër, ushtari i UÇK-së nga Britania e Madhe, Jon Harrison, fillimisht kërkoi një minutë heshtje për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Ndërsa, i cilësoi si heronj, komandantët e UÇK-së, Rrustem Berisha e Anton Çunin, shërbimi ndaj të cilëve tha se ka qenë nder i veçantë.

Harrison: Ndihem i nderuar që u kam shërbyer komandantëve të UÇK-së

“Është një nder i madh që më keni dhuruar, edhe më shumë që rruga e cila e mban emrin tim, është vazhdim i rrugës ‘Ibrahim Rugova’. Ky është nderim shumë i madh. Unë jam njeri shumë i thjeshtë, nuk e shoh vetën si hero. Njerëzit si komandant Anton Çuni janë heronj. Ai e ka udhëheq Betejën e Kosharës. Ai e ka bërë fitoren e parë të luftës, dhe nga zemra besoi se komandant Anton Çuni dhe komandant Rrustem Berisha, do të vazhdojshin dhe e pastrojshin Kosovën të tërë. Kam pas kënaqësi të veçantë që u kam shërbyer atyre komandantëve”, tha Harrison.

Gjatë ceremonisë së sotme, Jon u anëtarësua në Lidhjen Demokratike të Kosovës, dega e dytë e LDK-së në Prishtinë. Po ashtu, Komuna e Prizrenit, ndau edhe mirënjohje falënderimi dhe dhurata simbolike për ish-ushtarin e UÇK-së.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat