Dita e parë e shkollës i gjen nxënësit me mungesë të librave

Prishtina

Dita e parë e shkollës i gjen nxënësit me mungesë të librave

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 17:14
Ilustrim

Tre shtatori i bëri bashkë nxënësit e shkollave në Kosovë, megjithatë disa prej tyre i gjeti pa libra. Kjo si pasojë që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është vonuar në shpërndarjen e teksteve shkollore, madje ka shkolla ku librat nuk janë dërguar ende.

Kështu në një nga klasat e dyta të shkollës fillore “Naim Frashri” në Prishtinë, disa prej nxënësve ende nuk kanë kompletuar librat.

Mësuesja klasore Nexhmie Osmani bëri të ditur se në klasën e saj ka pasur mungesa të librave, e që sipas saj ka shkaktuar shqetësim te nxënësit.

Osmani: Klasa ime numëron  23 nxënës, 5 nxënës s’kishin libra të mjaftueshme

“Mungonin, nuk ishin për të gjithë nxënësit. Klasa ime numëron  23 nxënës ku 5 nxënës nuk kishin libra të mjaftueshme. Kjo nuk ishte vetëm në klasën time, por edhe në klasat e tjera mungonin librat, punëdore nuk ishte fare, për njeriun dhe natyrën dhe edukatën shoqërore nuk kishte tekste. Ne jemi me kurrikulë të re, do të shohim mundësinë se çfarë do të bëjmë me ato dy lëndë. Edukata fizike nuk ishte për të gjithë nxënësit, Edukata muzikore, libri i matematikës dhe fletorja e punës e matematikës, libri i leximit dhe gjuha shqipe, do të thotë këto mungonin, nuk ishin për të gjithë nxënësit”, tha ajo.

Se ka pasur mungesa të librave e pranon edhe drejtoresha e kësaj shkolle, Remzije Berisha, e cila ka treguar se edhe ato që i kanë pranuar kanë ardhur me vonesë.

Ajo tha se disa libra kishin ardhur të enjten dhe disa të tjera mëngjesin e sotëm, e kjo sipas saj kishte shkaktuar një tollovi në shpërndarjen e tyre.

Në këtë shkollë mungesë më e madhe është e librave të gjuhës angleze dhe asaj gjermane.

Berisha: Librat nuk kanë qenë të mjaftueshme

“Nuk kanë qenë të mjaftueshme, por ne kemi shfrytëzuar edhe stoqet e shkollës ku librat të cilat janë kthyer nga viti i kaluar i kemi deponuar në bibliotekën e shkollës dhe ato të cilat kanë qenë të përdorshme i kemi fut prapë në përdorim. Pasi që kanë qenë libra që mund të përdoren, sepse kanë qenë libra që mund të përdoren edhe një vit, nuk kanë qenë të demoluar apo të dëmtuara. Kështu që kemi bërë një kombinim të teksteve të reja që kanë ardhur së bashku me ato të cilat kanë qenë në stoqe dhe i kemi pajisur të gjithë nxënësit”, tha ajo.

Mungesa e librave sipas Berishës ka shkaktuar një hutim te nxënësit, të cilët kanë pritur që shpërndarja të bëhet më herët, në mënyrë që të plotësojnë mungesat.

Berisha: Librat nuk i kemi pasur me kohë, sot pak ka qenë një tollovi në shkollë

“Fillimi i vitit është dashur nxënësit të jenë të qetë dhe të fillojnë një orë mësimi ashtu siç e donë rendi dhe planifikimi cili është bërë, jo të merremi ende me shpërndarjen e teksteve. Ne kemi prit që gjatë sezonit të verës do të mund t’i marrim këto tekste shkollore dhe t’i shpërndajmë këto tekste në mënyrë të barabartë dhe të kemi mundësinë me plotësua aty ku mungon ndonjë. Mirëpo, në pamundësi që nuk i kemi pasur me kohë sot pak ka qenë një tollovi në shkollë, derisa nxënësit gjithë kohën ishin në lëvizje duke kërkuar ky libër mungon ose ajo libër”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, në shkollën fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë” librat e reja nuk kanë shkuar fare. Drejtori i kësaj shkolle Ismet Gashi  pret që brenda javës të arrijnë librat për vitin e ri shkollor.

Gashi: Librat nuk janë sjellë në shkollën tonë

“Këtë vit ministri ka dalë me komunikatë se do të pajisen prej klasës së parë deri në të 9 të gjithë me tekste të reja shkollore, por ende nuk janë sjell në shkollën tonë. Drejtoria komuna e arsimit ka vendosur që të gjitha librat që vijnë për komunën e Fushë Kosovës të vendosen një herë në lokacionin e shkollës tonë dhe pastaj do të bëhet distribuimi në shkollat tjera... ende nuk janë sjell, po presim brenda javës besoj që Ministria do t’i sjell tekstet dhe ne i shpërndajmë nëpër shkolla”, ka bërë të ditur ai.

I vetëdijshëm që në disa shkolla të komunës së Prishtinës ka mungesa të librave thotë të jetë edhe drejtori i Arsimit, Jonuz Salihu, i cili për Kp ka bërë të ditur se kanë marrë informacione se në disa shkolla ka mungesë të librave.

Këtë mungesë, ai thotë se po e përmbushin me librat e përcaktuar për shkollën “Pavarësia”, pasi kjo shkollë nuk e fillon procesin mësimor deri më datën 17 të këtij muaji.

Megjithatë, Salihu thotë se edhe pse shpërndarja e teksteve ka filluar vonë, shpërndarja e librave në Komunën e Prishtinës ka shkuar mirë.

Salihu: Vazhdimisht ka telashe me kompletimin

“Diku-diku nuk kanë shkuar disa harta të gjeografisë, vazhdimisht ka telashe me kompletimin, por unë besoj që nuk do të shkojë as dita e parë, e dytë dhe do të sanohen kjo gjendje. Pasi që tash edhe procesi i shpërndarjes brenda shkollës donë pak kohë, supozojmë prej depos të shkollës tek klasat. Kryesore brenda dy dite të gjithë nxënësit do t’i kenë librat e veta nëpër çanta”, ka thënë ai.

Edhe vetë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e pranon që janë vonuar me shpërndarjen e librave, ku ministri Shyqiri Bytyqi ka deklaruar se i gjithë procesi i shpërndarjes së librave do të përfundojë deri më datën 6 shtator.

E këtë vonesë të shpërndarjes së librave ai e arsyeton se kanë kërkuar nga komunat që të dinë numrin e saktë të librave që iu nevojiten.

Bytyqi: Mund të ketë ndonjë gabim teknik, të cilat mund të kompensohen

“Ajo çka ne kemi bërë para se të fillojë shpërndarja e librave, kjo ka qenë edhe një nga arsyet që kemi pasur edhe vonesë në fillimin e shpërndarjes, një komision nga MASHT ka punuar që të marrë informacione nga çdo komunë se çfarë lloj sasie të librave ju duhen. Pra, së pari është vlerësuar stoku i këtyre librave nëpër komuna të caktuara, pastaj mbi kërkesën e komunave është përcaktuar numri i librave që do të shpërndahen. Normalisht për shkak se po flasim për një numër tepër të madh të librave që do të shpërndahen nga klasa e parë deri në të 9 mund të ketë ndonjë gabim teknik, të cilat mund të kompensohen në ditët në vazhdim. Asnjë nxënës nuk ka arsye që një mësimdhënës ta detyrojë të blejë libra”, tha ai.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, edhe këtë vit ka vendosur që librat të shpërndahen falas për të gjithë nxënësit e shkollave fillore, ku sipas ministrisë i gjithë procesi pritet të përfundojë deri më 6 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat