Personat e komunitetit LGBTI+ dëbohen nga një lokal në qendër të Prishtinës

Prishtina

Personat e komunitetit LGBTI+ dëbohen nga një lokal në qendër të Prishtinës

Më: 2 shtator 2018 Në ora: 14:27
Edon Shileku

Ishte nisur me miqtë e tij për të pirë një kafe në një nga lokalet në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë. Edon Shileku, 21 vjeçar dhe student i aktrimit, bashkë me një shok dhe dy shoqe kishin zgjedhur lokalin “Trafic Gallery Prishtina”, që gjendet në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë, por kur kishin shkuar aty, kamerieri jo vetëm që nuk ia kishte shërbyer kafenë por me urdhër të pronarit të lokalit edhe i kishte larguar nga aty, me arsyetimin se “nuk i shërbejnë personave të komunitetit LGBT”.

Edon Shileku që nuk e ka problem të flas për orientimin e tij seksual para kamerës, thotë të mos jetë ndjerë asnjëherë më keq se ditën kur e larguan nga lokali.

Ai në rrëfimin ekskluziv të dhënë ka shpjeguar ngjarjen e para një jave me dëshirën që ajo ngjarje të marrë jehonën e nevojshme që raste të tilla “diskriminuese”, të mos ndodhin më në Kosovë.

Shileku: Na larguan vetëm për shkak  përkatësisë së një komuniteti

 “Fillimisht na jena shku katër veta, dy djemë edhe dy çika e tash jena ulë në kafe dhe ato dy çikat kanë shku deri në market me ble diçka edhe ne kemi mbet me ardhë kamerieri me na marrë shërbimin edhe ka ardhur kamarieri edhe së pari ka pas nja pesë sekonda heshtje se i ka ardhë edhe atij marre për çka është tu fol, a pe dinë, edhe na ka thonë na vjen keq po na s’ mujm me ju shërby njerëzve të komunitetit LGBT, të komunitetit të juaj. Tash u kriju një situatë tepër e çuditshme në mes neve dhe atij se nuk e dinim se çka është t’u ndodhë, edhe reagimi jonë i pari i të dyve u kanë “parameno!”. Se na u dok shumë jashtë a pe dinë, unë jam ndi shumë keq se nuk e disha në bazë të çkafit po më gjykon ai mu gej, ose çkado tjetër. Ma së pari isha i veshur shumë normal edhe ke shoku jem i veshur shumë normal. Ne nuk është që kemi ba gjeste as që kemi bë ndonjë skenë ndonjëherë, kurrë. S’po di unë, ia n isa e bërtit, e bona pak të madhe edhe iu thashë iu jeni lokali ma i tmerrshëm në botë, askund në botë, kurrë në jetë nuk paskam pa diçka të tillë, askund në botë nuk ndodhë kështu, edhe ai kamarieri deshi me ma ulë zërin se demek paskan ba edhe tjerë skena edhe t’u dalë jashtë e pamë atë shefin, edhe ai tha ‘bohet mirë’, edhe unë thashë jo s’ bahet kurrë mirë me qesi sende nuk keni me kanë kurrë lokal që ka punë edhe nuk keni me pas sukses dhe po shiteni si galeri e artit, etj...Unë kam ba performancë në atë lokal, jemi mbledhë krejt qaty, kemi bo performancë, kena bo tripa që njerëzit me iu hjek qeto paragjykime palidhje”, tregoi Shileku për KosovaPress.

 Duke shpjeguar tutje se si e kishte bërë të ndjehet e tërë situata.

 Shileku: Asnjëherë nuk jam ndier më keq

 “Tash po të tregoj shumë sinqerisht ia nisa mu dridh pak, ia nisi me mu dridh trupi prej brenda, u niva i qit prej një vendi dhe egoja jem hyri në funksion në atë moment edhe ia nisi me ma shkaktu një farë ndjenje të çuditshme dhe s’isha çka me fol ma, edhe çka folsha mu dridhke pak zani, edhe kurrë në jetë nuk jam ndi ashtu se me qiti jashtë pa kurgjo hiç, pak më vinte turp prej tij u ndisha keq që ka njerëz në vendin tonë që bëjnë këso sene, shefa të lokaleve që i shtinë kamarierat me bo qasi tripa, gjithçka edhe veç me vloje gjaku edhe shyqyrë që kam dalë se të kisha nejt më gjatë kushedi çka kisha ba”, shpjegon ai.

Menjëherë pas rastit, një faqe edukative e kulturore në rrjetin social Facebook dhe Instagram, i quajtur “Dylberizmi”, e cila synon të e ngritë ngritë vetëdijen e qytetarëve, duke ofruar lajme, fakte historike dhe shkencore, personalitete, art etj mbi çështjet LGBTI+, ka reaguar ndaj rastit duke e paraqitur si rast diskriminimi.

KosovaPress menjëherë pas publikimit të komenteve në rrjetet sociale ku kishte filluar një aksion online kundër “Traffic Gallery” duke e paraqitur si vend homobofik, ka kontaktuar grupin për të kuptuar se pse kanë nisur një fushatë të tillë.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, grupi ka treguar se kishin marrë informacione se gjatë javës së kaluar, dy djemë që nuk ishin çift, megjithatë, kanë vizituar lokalin e Traffic Gallery Prishtina me qëllimin për të pirë një kafe.

 “Kur kanë hyrë brenda, një kamarier iu është afruar për t’ju thënë ”Po m’vjen keq djema po shefi na ka thonë mos me leju komunitetin LGBT, komunitetin e juj me u ulë”. Dy djemtë kanë reaguar duke u konfrontuar me kamarierin, mirëpo në fund nuk janë lejuar të ulen. Një shok i tyre na shkruan në faqen tonë duke e treguar ngjarjen”, ka treguar Dylberizmi për KosovaPress.

Tutje ky grup thotë të ketë filluar menjëherë me veprime nëpër rrejte sociale për të bërë ngjarjen e  zëshme, me shpresën që të ngritet vetëdijesimi në lidhje me raste të “tilla diskriminuese dhe të parandalohet trajtimi i pabarabartë i komunitetit LGBTI+”. Po ashtu grupi shpreson që Traffic Gallery të reflektojë mbi gabimin dhe të kërkojë falje për veprimin.

 “Ne si faqe kemi menduar të reagojmë menjëherë mbi këtë rast të diskriminimit, ku kemi pyetur përcjellësit tanë nëse janë të gatshëm të bashkëpunojnë në lidhje me një aksion online mbi disa homofobë. Për shumë pak kohë, mbi 100 persona janë paraqitur të gatshëm të marrin pjesë”, kanë treguar Dylberizmi për KosovaPress.

 Ftesës së grupit iu kishin përgjigjur aktivistë dhe qytetarë që kanë filluar të shkruajnë komente si  “MARRE” dhe “HOMOFOBA” në profilin e tyre duke nisur një fushatë online kundër homofobisë. Komente të cilat sipas Dylberizmit kanë filluar të fshihen nga Traffic Gallery Prishtina.

“Trafic Gallery  reagon duke fshirë postimin me mbi 500 komente si dhe duke bllokuar komentet në profilin e tyre në Instagram. Më pas aksioni ka vazhduar në Facebook ku u janë shkruar bad revieës në profilin e Traffic Gallery, për të e radhitur atë vend si diskriminues, homofobik dhe jo të sigurtë. Pas kësaj, në vend që të kërkojë falje dhe ta arsyetojnë veprimin,Traffic Gallery bënë një postim të pakuptimtë: “Traffic Gallery nuk është një dhomë hoteli. Faleminderit për mirëkuptim.”  Pasi që është shpërndarë rasti, shumë persona janë lajmëruar në faqen tonë duke treguar që e njëjta gjë ju ka ndodhur edhe atyre, pra nuk janë lejuar të ulen me arsyetimin se nuk lejohen personat LGBT të ulen, dhe kjo bazuar në dukjen e tyre”, tregon grupi për KosovaPress.

 Edon Shileku thotë se e TrafiC Gallery do të mund të përjashtonte cilindo person që do të bënte probleme në lokal, por jo vetëm pse i takon një komuniteti apo tjetri.

Shileku: Nuk kemi bërë asnjë problem, nuk mund të përjashtohemi vetëm nëse i përkasim një komunitetit

“Dikush që e tepron t’u bo sende ta prish imazhin e lokalit pa marrë parasysh çfarë gjeste bënë ti ki drejtë me qit prej lokalit por dikush që vjen me pi një kafe po qe hajde edhe me pas rëndësi orientimi seksual, në çka po bazohet ai që unë jam gej, qysh po in dokna atij në gej, veç pse unë i kam flokët e gata ose  kam vesh pak ngjyra se s’po bojka djemtë me vesh ngjyra? S’po di po më doket shumë stupid”, ka thënë ai për KosovaPress.

Ekipi i KosovaPress ka vizituar lokalin “Trafic Gallery” me pronar Burim Berishën, të cilit i kërkoi një përgjigje në lidhje me rastin.  Berisha nuk ka pranuar të flas para kamerës, megjithatë në një përgjigje me shkrim thotë të bëhet fjalë për një “keqkuptim”. Dhe, sipas tij, bëhet fjalë për tendencë për të ia dëmtuar lokalin atij, ani pse nuk ka mohuar se kanë larguar nga lokali Edonin me miqtë e tij. 

“Kemi te bëjmë vetëm me një keqkuptim dhe nuk ka te bej as pak me komunitetin në fjalë, për shkak se “Traffic” veç njihet si kafe galeri mjaft e hapur për te gjithë, dhe si “target“ ka artistët dhe përkrahësit e tyre pa dallim. Traffic nuk ka bërë dallime asnjëherë në baza gjinore, fetare, komunitare, etj. Në këtë rast po bie qe ne jemi të dëmtuar nga persona të caktuar duke keqpërdorur faqet e mediave sociale të “Traffic”, që komentojne dhe përdorin fjalë e shprehje fyese ndaj “Traffic”.Komuniteti LGBTI kanë organizuar “ndejë” dhe ekspozitë në “Traffic”. Si përfundim “Traffic” nuk bënë  pjesë në grupin e shkelësve por të përkrahësve të të drejtave të njeriut në përgjithësi”, ishte përgjigja e Berishës dhënë për shkrim.

Në vitin 2013, Parlamenti miratoi projektligjin për krijimin e një grupi pune për komunitetin LGBT, ndërsa, më 17 maj 2014, politikanë në vend, Ambasadori Britanik i Kosovës, Ian Cliff, si edhe organizata lokale për komunitetin LGBT, QESH dhe CEL Kosovo organizuan marshin e parë për komunitetin LGBT në Prishtinë.

Parada e parë e krenarisë në Kosovë është zhvilluar në Prishtinë më 10 tetor 2017. Me qindra persona marshuan në rrugët e qytetit. Në aktivitet mori pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, si edhe Ambasadori Amerikan dhe ai Britanik në Kosovë.

Megjithatë përkundër legjislacionit të mirë, në praktikë ka vështirësi për të realizuar të drejtat në komunitetit. Stigma konsiderohet ende një pikë që duhet punuar. Por edhe ligjet kanë zbrazësi sa i përket ta zëmë personave transseksual apo që duhet ta ndërrojnë identitetin gjinor. Së fundmi Blert Morina, që ka aplikuar për ndërrim të emrit dhe të shënuesit të gjinisë në dokumentet e identifikimit, në mënyrë që ato të reflektojnë identitetin e tij gjinor, iu është mohuar kjo e drejtë duke bërë Blertin që të shkojë deri në Gjykatë Kushtetuese për rastin e tij.

 Organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI+ kanë njoftuar se më 4 shtator do të mbajnë një tubim të qetë në shenjë protestë para Gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar nga institucionet shtetërore t’i përfillin obligimet pozitive të shtetit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke u thirrur në nenin 53 të Kushtetutës së Kosovës.

Një ndër institucionet që mbron të drejtat e njeriut në Kosovë dhe trajton rastet e diskriminimit, është institucioni i avokatit të popullit.

Edona Hajrullahu, zëvendësavokate e popullit e që përfaqëson departamentin e diskriminim në një Intervistë ka shpjeguar se kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të këtij komunitetit LGBTI+ është mjaft i avancuar.

Hajrullahu: Kosova ka legjislacion të avancuar për të drejtat e komunitetit LGBTi+

“Realisht në aspektin ligjor, mund të them se kuadri ligjor është mjaft i avancuar, domethënë garanton të drejta për të gjitha kategoritë shoqërore, duke u nisur nga Kushtetuta e cila është e bazuar në vlerat e barazisë dhe mosdiskriminimit të të drejtave të njeriut, po ashtu edhe një varg ligjesh të tjera të cilat garantojnë të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve në Republikën e Kosovës. Kushtetuta për më shumë parasheh përparësitë të instrumenteve ndërkombëtare në krahasim me legjislacionin vendor, në rast se ka konflikt mes dispozitave të legjislacionit vendor, siç është p.sh Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut apo edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe protokollet e saj...Gjithashtu prej vitit 2015 e kemi një pako të ligjeve që quhet Për të Drejtat e Njeriut, ku bën pjesë vet ligji për institucionin e Avokatit të Popullit, është ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi si dhe ligji për barazi gjinore. Domethënë të tjera këto ligje i japin fuqi apo janë si garantues për të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës”, ka shpjeguar ajo.

Hajrullahu po ashtu tha se nga perspektiva e Avokatit të Popullit, duhet theksuar se mandati i këtij institucioni vjen në shprehje atëherë kur një autoritet publik i Republikës së Kosovës, pra institucionet publike shkelin një të drejtë të garantuar të një individi. Që do të thotë se nëse policia nuk kryen hetimet e duhura në raste të shkeljeve, atëherë ndërhynë Avokati i Popullit, duke treguar tutje se në 2017 i kanë dërguar Gjykatës Themelore një mendim juridik në lidhje me homofobinë dhe transfobinë.

 Këtë vit zyra e avokatit të popullit është e angazhuar edhe në rastin e mendimit juridik për Gjykatën Kushtetuese, ku bëhet fjalë për identitetin gjinor dhe ndërrimin e emrit të personit, domethënë nga një gjini në gjininë tjetër, pra bëhet fjalë për rastin e Blert Morinës, porse ky rast ende është në përgatitje e sipër dhe shumë shpejtë do i përcillet edhe Gjykatës Kushtetuese. 

Lidhur me rastin që ka ndodhur në “Traffic Gallery”, Hajrullahu nuk ka dhënë vlerësim se a bëhet fjalë për diskriminim, porse ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë porse në momentin që të bëhet publike do të reagojnë ex officio për rastin në fjalë dhe të bëjnë hetimet e nevojshme.

Hajrullahu: Do të nisim hetimet ex officio dhe

“Realisht ne nuk jemi njoftuar si institucion për rastin në fjalë, zakonisht mënyra se si ne informohemi është ose pala vjen vet dhe ankohet drejtpërdrejtë në institucion për një shkelje të mundshme, apo nëse informohemi nga mediumet e tjera për një rast të tillë, ku ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut. Kështu që edhe neve në asi raste fillojmë me hetime sipas detyrës zyrtare eks officio, domethënë e hapim si rast dhe shohim se ku ka qenë problemi, domethënë cilat janë institucionet që nuk e kane kryer punën e vet si duhet. .Ka disa qasje që mund të ndiqen, në rastin konkret pala mund të drejtohet edhe vet te ne si institucion i Avokatit të Popullit edhe të ankohet kundër personit juridik në fjalë. Dhe neve në asi raste zhvillojmë hetimet tona për të konstatuar se realisht mos ofrimi i shërbimit është i bazuar në diskriminim. Gjithashtu edhe qasja tjetër është nëse personat shkojnë drejt në gjykatë përmes n jë padije, dhe presin që vendimi që gjykata mund të merr të bazohet po prapë në çështjen e diskriminimit”, ka shpjeguar Hajrullahu për KosovaPress.

E zyra për Qeverisje të mirë në Qeverinë e Kosovës nuk ka dhënë asnjë deklaratë për KosovaPress në lidhje me atë se çfarë po bënë Qeveria për të avancuar pozitën e komunitetit LGBTI+ Në Kosovë.

 Halil Matoshi nga zyra për Informim ka thënë përmes një përgjigje të shkurtë përmes telefonit se” “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i specifikon grupet etnike e shoqërore, d.m.th i garanton liri, kushtetutshmëri, si dhe qasje të lirë si shtet të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, pa asnjë dallim do të thotë të kenë një qasje gjithëpërfshirëse”.

 Kujtojmë se kryeministri Ramush Haradinaj, ndërkaq nuk kishte marrë pjesë në paradën e fundit të krenarisë për nder të komunitetit LGBTI+ që organizohet çdo vjet në mbarë botën, e tani edhe në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat