Therja e kurbanëve, ‘horror’ në tregun e Prishtinës

Prishtina

Therja e kurbanëve, ‘horror’ në tregun e Prishtinës

Më: 21 gusht 2018 Në ora: 12:38
Therje e kurbaneve

Sot në vendin tonë por edhe në të gjithë botën myslimanët po festojnë Kurban Bajramin, festë kjo e cila njihet me therjen e kurbanit. Ky rit fetar është kryer edhe nga shumë qytetarë në Prishtinë.

Pasi që është bërë falja e namazit të Bajramit, shumë qytetarë në tregun e kafshëve në kryeqytet kanë bërë therjen e kurbanëve, por kushtet ku u kryente therja nuk ishin adekuate.

Mungesa e thertoreve të licenuara në rrethinën e kryeqytetit kishte bërë që qytetarët të orientoheshin në thertoren që gjendet në tregun e kafshëve, ani pse ajo nuk i plotësonte as kushtet më elementare të higjienës.

Institucionet përkatëse ditë më parë kanë ftuar qytetarët që të kenë kujdes me rastin e kryerjes së ritit të therjeve të kurbanëve, por në tregun e kafshëve në Prishtinë nuk u ndal një veprim i tillë as nga inspektorët e komunës së Prishtinës, e as nga ata të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

Qytetarët që kishin zgjedhur këtë thertore, duhej që të paguanin nga 5 euro për t’u lejuar për të hyrë në thertore, ndërkohë që në të njëjtën kohë duhej të bënin edhe pagesën prej 10 euro për kasapët që kryenin therjen.

Ndonëse ishte i lumtur që po e përmbushte një obligim fetar, qytetari Sabit Gashi nuk ishte aspak i kënaqur me kushtet ku u ther kurbani të cilin e kishte blerë.

Ai u shpreh se në atë thertore po mungonin kushtet elementare për të bërë therjen e kurbanit.

 Gashi: Jo aq pastër

“Jo aq pastër, po tash disa kushte çfarë janë duhet me pre. Po duhet me iu përmbajte asaj fesë, nëse e mban fenë islame duhet me pre kurban”, tha ai.

Edhe qytetari Faik Rushiti nga komuna e Podujevës, u shpreh se thertorja që gjendej në tregun e kafshëve nuk ishte adekuate për të bërë therjen e kurbanit. Megjithatë, ai thotë se mungesa e ndonjë thertoreje të licencuar në këtë rrethin po detyrohen të kryej këtu therjen.

Rushiti i cili tregoj se për më shumë se 20 vite rregullisht ther kurban u shpreh i zhgënjyer me gjendjen e thertores në tregun e kafshëve.

Rushiti: Pak pa pastër se gjak kishte

“Pak pa pastër ish se gjak kish, veç munden ta rregullojnë edhe më mirë me deshtë. Edhe kështu po bojke po bash qysh duhet jo”, tha ai.

Ani pse therja e kurbanëve u bënte në kushte jo adekuate, aty nuk janë parë inspektorë as të komunës së Prishtinës dhe as të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë i kanë thënë KosovaPress-it, se inspektimet duhet të kryhen nga komuna e Prishtinës dhe jo nga ata.

KosovaPress ka vizituar edhe tregun e kafshëve në Fushë Kosovë, por që aty u bënte vetëm shitja e kurbanëve dhe jo therja.

Tregtarët që shisnin ndonëse nuk pranuan të flasin para kamerës, thanë se mungesa e thertoreve të licencuara po ua vështirëson punën, pasi që qytetarët dëshirojnë që kur të blejnë kurbanin të bëjnë edhe therjen në të njëjtin vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat