Sërish dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Prishtinës

Prishtina

Sërish dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Prishtinës

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 16:38
Shkak i shtyrjes së kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit Haskaj.

Për herën e tretë me radhë ka dështuar shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Prishtinës, Haxhi Haskaj që akuzohet me veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Shkak i shtyrjes së kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit Haskaj.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, tha se gjykata nuk ka prova se i akuzuari Haskaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Visar Vehapi, t’i kenë pranuar ftesat me rregull.

Ndryshe, sipas prokurorisë, Haskaj duke punuar si gjeodet në Drejtorinë për Kadastër, e ka bërë ndarjen fizike të një ngastre kadastrale në 18 pjesë, duke përdorur autorizimin e Mirosllav Pepoviqit, edhe pse ai kishte vdekur më herët.

Me këtë veprim Haskaj, pretendohet se kishte përfituar mbi 315,000 mijë dinarë të atëhershëm, të cilat para nuk ua kishte dhënë fëmijëve te të ndjerit Pepoviq, por i kishte ndalur për vete.

Në seancën e të enjtes morën pjesë vetëm prokurorja Dulina Hamiti dhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Edvard Gashi.

Në seancë nuk mori pjesë as dëshmitari Mustaf Hasasni, që kishte njoftuar gjykatën që nuk gjendet në Kosovë.

Seanca e radhës është caktuar më 5 shtator 2018, në ora 09:00, raporton “Betimi per Drejtesi’.

Ndryshe, kjo është hera e tretë me radhë që ky shqyrtim gjyqësor është duke u shtyrë.

Në seancën e 3 majit 2018, seanca ishte shtyrë në mungesë te të akuzuarit Haskaj, i cili mungesën e kishte arsyetuar se gruaja e tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Edhe seanca vijuese e 7 qershorit të këtij viti kishte dështuar që të mbahet pasi atë ditë prokurorja Merrushe Llugiqi ishte në një trajnim, ndërsa kërkesë që të shtyhet seanca kishte bërë edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Visar Vehapi.

Sipas aktakuzës, së ngritur më 16 dhjetor të vitit 2014, Haskaj akuzohet se kishte marrë autorizim nga Millovan Mirosllav Popoviq, më 16 korrik 1998, për të kryer shitblerjen e një ngastre kadastrale, me sipërfaqe prej më shumë se një hektar tokë.

Mirëpo, këtë autorizim Haskaj, sipas aktakuzës, e ka përdorur edhe pas vdekjes së Mirosllav Popoviq, në mënyrë që sa ishte duke punuar në Drejtorinë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, si gjeodet ka bërë ndarjen fizike të ngastrave për blerësit e tyre.

Haskaj, sipas aktakuzës, pretendohet se ngastrën tokësore e kishte ndarë në 18 parcela me pronar të ndryshëm, sipas fletave poseduese dhe nga këto 18 parcela, 8 prej tyre i kishte shitur duke përdorur autorizimin e të ndjerit, Popoviq.

Me anë të shitjes së këtyre parcelave, sipas aktakuzës, Haskaj kishte përfituar mbi 315,000 mijë dinarë të atëhershëm, të cilat para nuk ua kishte dhënë fëmijëve të të ndjerit Mirosllav, por i kishte ndalur për vete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat