Fillon Universiteti Veror Ndërkombëtar

Prishtina

Fillon Universiteti Veror Ndërkombëtar

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 14:59
Fakulteti Filozofik

Rreth 300 studentë nga vendi, rajoni dhe bota, sot kanë filluar mbajtjen e ligjëratave në kuadër të edicionit të 18-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar.

Që nga ora 9 deri në ora 12 studentët kanë mbajtur ligjëratën e parë, kurse në mbrëmje do të kenë ceremoninë zyrtare të hapjes.

Se çdo gjë ka filluar siç ishte planifikuar, e thotë edhe drejtoresha e Universitetit Veror, Lumnije Bajrami, e cila bëri të ditur se në ceremoninë e hapjes kanë përgatitur një program artistik.

Bajrami: Sot ka filluar mësimi në të gjitha kurset

“Ashtu siç e kemi parashikuar dhe sipas planifikimeve sot ka filluar mësimi në të gjitha kurset, varësisht prej kurseve që kanë zgjedhur studentët kanë pasur mundësinë që t’i ndjekin ligjëratat. Më pastaj në vazhdim të ditës ka aktivitete shtesë, ndër to do të përmendja edhe ceremoninë zyrtare të hapjes në ora 7 e cila mbahet në amfiteatrin e bibliotekës universitare, aty do të jetë një program i përgatitur me disa pika muzikore. Mirëpo, edhe do t’iu dëshirojmë mirëseardhje mysafirëve tanë”, tha ajo.

Bajrami bëri të ditur se këtë edicion janë përzgjedhur 15 kurse, ku studentët mund të vijojnë vetëm një kurs pastaj në fund do të marrin një notë dhe 4 kredi, të cilat pastaj mund t’i transferojnë në universitetet në të cilat vijojnë mësimet.

Ajo tha se kurset janë nga shkencat sociale, mjekësi, juridik, ekonomik, inxhinieri, punë sociale, integrime evropiane e shumë  tjera.

Të gjithë ligjëratat sipas drejtoreshës janë në gjuhën angleze, kjo për faktin se Universiteti Veror ka karakter ndërkombëtar.

Bajrami: Ligjëratat kanë filluar në orën 9, deri në 12

“Ligjëratat kanë filluar në orën 9, deri në 12 zakonisht çdo ditë ditëve të punës. Ndërsa, për fundjavë janë paraparë dy ekskursione të ndryshme me destinacione të ndryshme. Mirëpo, përveç kësaj edhe në Qendrën e Studentëve do të ketë aktivitete të ndryshme, do të jenë mbrëmjet studentore, do të ketë evenimente sportive, do të ketë vizita në muzeun etnologjik, vizita të ndryshme varësisht prej kurseve edhe aktivitete të ndryshme. Janë paraparë që brenda këtyre dy jave përveç pjesës akademike të jetë edhe pjesa tjetër, punëtoritë do të organizohen gjatë javës së parë, më pastaj gjatë javës së dytë do të kemi një forum ku studentët do të mund të diskutojnë”, tha Bajrami.

Edhe sa i përket arritjes në Kosovë dhe vendosjes së studentëve e stafit akademik në Qendrën e Studentëve, Bajrami bëri të ditur se çdo gjë ka shkuar sipas planifikimit.

Bajrami: Janë akomoduar në konvikt edhe profesorët edhe studentët

“Edhe studentët vendor dhe studentët ndërkombëtar janë akomoduar në konviktin numër 7, pra kanë filluar që të arrijnë shumica e tyre qysh ditën e shtunë, mirëpo fluksi më i madh ka qenë gjatë ditës së diele. Janë akomoduar në konvikt edhe profesorët edhe studentët, gjithçka ka qenë në rregull”, bëri të ditur ajo.

Universiteti Veror Ndërkombëtar i cili ka filluar sot do të zgjasë deri më 20 korrik, ku studentët çdo ditë pune nga ora 9 deri në 12 do të kenë ligjërata, më pastaj do të kenë edhe aktivitete shtesë.

Në mbrëmje duke filluar nga ora 19:00 Universiteti Veror Ndërkombëtar do të ketë ceremoninë zyrtare të hapjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat