Shpend Ahmeti punën ‘pick’ me numrat, bën shkelje ligjore duke mos thirrur seancë - Bota Sot
Shpend Ahmeti punën ‘pick’ me numrat, bën shkelje ligjore duke mos thirrur seancë

Prishtina

E premte, 20 korrik 2018

Shpend Ahmeti punën ‘pick’ me numrat, bën shkelje ligjore duke mos thirrur seancë

Më: 29 qershor 2018 Në ora: 15:03
Kuvendi komunal Prishtinë


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka humbur kontrollin në Kuvendin komunal. Në mungesë të shumicës në asamble dhe nga frika që më pastaj mund të hasë në ‘surpriza’ të shumicës së opozitës po heziton të thërras mbledhje të Kuvendit.

Si rezultat i neglizhencës së kryetarit të Prishtinës, Kuvendi komunal ka dështuar të zbatojë planin e vet të punës për vitin 2018, në të cilin është paraparë që Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) 2018-2020 të shqyrtohet në mbledhjen e muajit qershor si dhe të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin fiskal aktual.

Mbledhja e Kuvendit të Prishtinës për miratimin e këtij dokumenti ende nuk është thirrur nga kryesuesi i Kuvendit edhe pse tashmë të gjitha afatet ligjore janë shkelur. Kjo pasi kryetari Ahmeti ende nuk ua ka përcjell organeve të Kuvendit këto dy dokumente për shqyrtim.

Sipas opozitës në Kuvendin e Prishtinës, Ahmeti edhe mund ti ketë të gateshme këto dokumente, por nuk po thërret mbledhje nga frika se mundë të humbë kontrollin në Ndërmarrjet publike, siç ka ndodhur në mbledhjen e fundit, kur opozita me inicimin e Vetëvendosje e shkarkoi nge funksioni një Aksionarë të Ndërmarrjes Publike Banesore që ishte i partisë së kryetarit Ahmti.

Asambleistja e LDK-së, Fiknete Bejta thotë se kryetari Ahmeti e ka bllokuar punën e Kuvendit komunal. Mos thirrja e seancës, sipas sajë, po bëhet nga frika e pa mjaftueshme e votave.

“Mendoj se z.Shpend Ahmeti e ka bllokuar punën e Kuvendit pasi që po udhëheq pa shumicën në Kuvend. Ai i ka ikur raportimeve dhe ballafaqimit në Kuvend me të zgjedhurit e qytetarëve të Prishtinës sepse parametrat e zhvillimit ekonomik të një qëndrueshmërie financiare i ka katastrofale dhe sidomos ka dështim të realizimit të projekteve  apo investimeve kapitale. Mospuna dhe mungesa e numrave në Kuvend  ka ndikuar që  Ahmeti ta bllokojë Kuvendin. Me këtë rast ju ka mohuar  asambleistëve mundësinë të rishikojnë buxhetin e Komunës për vitin 2018 që është dashur të bëhet në muajin Maj si dhe Miratojnë Kornizës afatmesme buxhetore 2019-2021 që duhet të bëhet deri me 30 qershor”, tha Bejta.

Edhe asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani mendon që Ahmetit i ka dalë nga kontrolli Kuvendi komunal. Ai ka vënë në pah mungesën e fuqisë së kryetarit mbi Ndërmarrjet publike në mungesë të numrave në Kuvend.

“Pamundësi e kontrollimt të kuvendit nga ana e Kryetarit Shpend Ahmeti dhe frika e tij nga mos kontrolli i ndërmarrjeve publike, si dhe pamundësia të kontrollojë komisionin për vlerësimin e pronave që u tregua ne seancën e fundit, si duket e kanë detyruar të mos lejoj mbajtjen e mbledhjeve të kuvendit Komunal”, tha Rrahmani.

Sipas tij, kryetari i Prishtinës po mundohet që të përfitojë në kohë për të bërë për veti ndonjë asamblist. Madje këshilltari komunal i VV-së ka paralajmëruar edhe thirrje të mbledhjeve të jashtëzakonshme nëse këtë nuk e bënë kryetari Ahmeti.

“Besoj që gjatë kësaj periudhe është duke u munduar të bind ndonjë Asambleist ti nënshtrohet pushtetit të tije, deri më tani nuk ka arrit të bëjë këtë nënshtrim. Duke pare mos punën dhe pengesat që po bënë Kryetari Shpend Ahmeti në se shpejti do të fillojnë te mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për tema të caktuara. Ai jo vetëm se nuk po thirr mbledhje mirëpo mbledhjen e fundit dy dite radhazi ka bllokuar duke detyruar asambleistete të bojkotojnë mbledhjen duke pamundësuar kuorumin”, thotë tutje Rrahmani

Asambleisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri mendon që kryetari Ahmeti po frikësohet nga Lëvizja Vetëvendosje që mund t’a merr kontrollin e Ndërmarrjeve publike.

“Shpend Ahmeti po frikësohet që i hakmerret ish partia e tij. Kjo është arseja kryesore pse nuk po thërret mbledhje, edhe pas kërkesave qe ia kemi bërë që të thërret mbledhje për të diskutuar për shpenzimet e Kornizës afatmesme, apo për pikatë tjera që janë më rendësi për qytetarët e Prishtinës. Pra, problemi është se ai në Kuvend nuk po ka më numra. Ne si grup i PDK-së e kemi bërë të qartë se nuk jemi për ta përkrahur gjuhën e inatit që është duke e përdorur Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo ne nuk mund ta përkrahim as neglizhencën dhe papërgjegjësinë e kryetarit Shpend Ahmeti karshi 100 problemeve që i ka Prishtina”, tha Retkoceri.

Nga ana tjetër, Organizata INPO që bënë monitorimin e Komunës së Prishtinës ka reaguar ndaj papërgjegjshmërisë së organeve komunale të Prishtinës, respektivisht kryetarit të komunës dhe kuvendit komunal, në zbatimin e obligimeve ligjore për planifikimin e politikave fiskale dhe financiare të komunës. INPO thotë se sipas ligjeve në fuqi dhe Qarkores Buxhetore 2018/01 të Ministrisë së Financave, komunat janë të obliguara deri më 30 qershor të miratojnë KASH-in, i cili është një ndër dokumentet më strategjike të komunës. Ai përmban parashikimet reale të politikave fiskale dhe financiare dhe objektivat zhvillimore për tre (3) vitet e ardhshme.

Ndërkaq, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vetëm edhe një ditë kohë për të miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2018-2021, ndërsa Komiteti për Politikë dhe Financa ende nuk e ka pranuar draftin e saj për ta shqyrtuar sikurse obligohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Madje, drafti i kësaj kornize nuk është hedhur fare në diskutim publik.

Sipas ligjeve në fuqi, komuna është dashur që gjatë muajit qershor të mbajë takime publike me qytetarë dhe grupe të tjera të interesit për të marrë komentet dhe propozimet e tyre rreth këtij dokumenti. INPO vlerëson se kjo papërgjegjshmëri e organeve komunale cenon rëndë sundimin e ligjit në komunë dhe zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë dhe kërkon nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që të ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e ligjeve dhe kërkon nga përfaqësuesit e organeve komunale të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre ligjore për përfaqësim të denjë të interesave të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test