Bllokohen xhirollogaritë e NPB-së, kërkohet lirimi i pozitës nga Kryeziu

Prishtina

Bllokohen xhirollogaritë e NPB-së, kërkohet lirimi i pozitës nga Kryeziu

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 17:27
Hajdar Hoxha

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxha rreth orës 6 të mëngjesit të ditës së sotme kishte provuar të futej në këtë ndërmarrje, por të njëjtit nuk i është lejuar hyrja.

Hoxha thotë se si kryeshef ka të drejtë të ketë qasje kur të dojë në ndërmarrjen të cilën e drejton, por që potencon se disa persona jashtëligjshëm nuk po ia lejojnë ushtrimin e detyrës.

Ndërkohë që bëri të ditur se llogaritë bankare të Ndërmarrjes Publike Banesore janë bllokuar dhe nëse atij nuk i lejohet qasja në këtë ndërmarrje, punëtorët nuk do të kenë mundësinë t’i marrin pagat.

Hoxha: Momentalisht llogaritë bankare të gjitha janë të bllokuara

“Si kryeshef ekzekutiv ki qasje në një ndërmarrje dhe në pasurinë e ndërmarrjes kurdo dhe kurdo, sepse je përgjegjës, atë përgjegjësi nuk ia kam dhënë vetës, por ma ka dhënë aksionari. Përveç asaj përgjegjësie, unë kam përgjegjësi edhe të tjera, siç është bllokimi i llogarive bankare që tashmë i ka ndodhur z.Kryeziu. Momentalisht llogaritë bankare të gjitha janë të bllokuara, rrogat ende nuk ka ardhur koha me i marrë po sigurisht nuk do të mund t’i marrin se llogaritë janë të bllokuara. Deklarimi i TVSH-së i muajit maj në ligjin për taksa bëhet deri më datën 20 të muajit vijues, rrjedhimisht TVSH e muajit maj nuk ka arritur të paguhet, për shkak të gjendjes së krijuar. E theksova dëmet kanë ndodhur dhe po vazhdojnë të ndodhin”, tha ai.

Ai tha se në momentin që do t’i mundësohet qasja në Ndërmarrje do të procedojë me paga.

Hoxha në orët e hershme të mëngjesit kishte tentuar të futej në Ndërmarrjen Publike Banesore, ku për më tepër ai kishte kontraktuar një kompani private të sigurimit.

E këtë veprim të Hoxhës, e arsyeton aksionari i Ndërmarrjes Publike banesore Dren Kukaj, i cili thotë se më herët kanë kontaktuar Policinë e Kosovës, por që nuk i kanë ofruar asistencë.

Kukaj: Kemi shkuar në mëngjes për shkak se nuk duam të shkaktojmë skena

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, kryeshefi ekzekutiv ka kontraktuar një kompani private të sigurimit ashtu që t’ia mundësojë hyrjen që deri më tash nuk i është mundësuar në Ndërmarrjen Publike Banesore. Më pastaj është njoftuar policia e me kërkesë të së cilës ne kemi qëndruar pranë zyrave të prokurorit të shtetit ku realisht nuk na është thënë asgjë, vetëm se është pezulluar puna aty. Për një arsye të vetme, sepse nuk duam të shkaktojmë tollovi, nuk duam të shkaktojmë skena. Ne aty kemi problem vetëm me disa persona që qëndrojnë jashtëligjshëm”, tha Kukaj.

Ai bëri të ditur se ditëve në vijim do të bëjnë përpjekje përsëri që të vendosin kontroll mbi këtë ndërmarrje.

Ndërsa sa i përket bllokimit të xhirollogarive të NPB-së, Kukaj tha se institucionet financiare janë njoftuar se autorizimi financiar të kalojë nga Nexhat Kryeziu te Hajdar Hoxha.

Kukaj: Autorizimet financiare të kalojnë nga Kryeziu te Hoxha

“Sa i përket xhirollogarive, të gjitha institucionet financiare përkatësisht gjashtë bankat komerciale ku ka xhirollogari NPB-ja janë vënë në dijeni të vendimeve tona ku kërkohet që autorizimet financiare të kalojnë nga Nexhat Kryeziu te Hajdar Hoxha. Ata janë vënë në dijeni të këtyre ndryshimeve dhe rrjedhimisht i kanë bllokuar xhirollogaritë derisa kjo çështje të adresohet siç duhet”, tha Kukaj.

Ai bëri të ditur se ka iniciuar një ftesë për një mbledhje të komisionit komunal të aksionarëve për të parë mundësinë e daljes nga kjo gjendje në të cilën është NPB.

Po ashtu, ai potencoi se kjo që ata po kërkojnë nuk ka të bëjë me aspektet partiake, por që po kërkojnë që NPB të ketë organe menaxhuese të zgjedhura sipas ligjit dhe sipas meritës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat