Ahmeti: BIK nuk ka apliku ende për leje për Xhaminë, nuk ka telashe me Komunën

Prishtina

Ahmeti: BIK nuk ka apliku ende për leje për Xhaminë, nuk ka telashe me Komunën

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 16:57
Shpend Ahmeti

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka treguar se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ende nuk ka dorëzuar aplikacionin për leje për ndërtimin e Xhamisë Qendrore, në Prishtinë.

Këtë, Ahmeti e ka konfirmuar pasi është pyetur në lidhje me fotografinë që BIK ka vendosur në murin e sallës ku u priten mysafirët për Fitër Bajram, përfshirë kryetarin  Prishtinës, e ku shihet projekti i Xhamisë Qendrore në Prishtinë.

Gur themelet e kësaj xhamie janë vënë në lagjen Dardania pesë vjet më parë, mirëpo ende nuk ka leje për ndërtimin e saj.

“BIK s’ka apliku për leje ende. Nuk ka asnjë telashe me komunën”, ka thënë Ahmeti në përgjigjen e tij..

Pamjet nga pritjet për Fitër Bajramin e vitit të kaluar, tregojnë se fotografia e projektit nuk ka qenë më herët e vendosur në murin mbrapa ulëseve ku kryeimami i Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, pret mysafirët e tij përherë për festa.

Duket se BIK-u kësaj radhe përmes fotografisë ka dashur të tërheq vëmendjen për projektin që tash e disa kohë është diskutuar. 

Kp raportoi më herët se ka kontaktuar edhe Ahmet Sadriun, nga BIK, në lidhje me vendosjen e fotografisë sot por ky nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Para shtatë muajve Komuna e Prishtinës i ka dhënë BIK-ut një dokument me kushtet për ndërtim.

Asokohe, BIK-u pati njoftuar se është duke punuar me arkitektë nga Ankara për të plotësuar ato në projekt dhe për të nisur ndërtimin sa më parë.

Ndërtimin e Xhamisë, e cila do të kushtojë afro 30 milionë euro, e gur themeli i së cilës është vënë para 5 vjet në lagjen Dardania afër Post Telekomit të Kosovës, do të financojë Bashkësia Islame e Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat