Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka votuar për shkarkimin ose jo të aksionarit Qëndrim Spahiu, kërkesë kjo e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që asamblistë të PSD-së, AKR-së dhe partnerë të tjerë braktisën sallën.
Zyrtari ligjor në Asamblenë Komunale, Fatos Dibran tha se rendi i ditës mund të ndryshohet vetëm në fillim, dhe si rezultat në këtë mbledhje nuk mund të votohet për shkarkimin e aksionarit të ndërmarrjes.
Ndërsa ishte Halim Halimi nga LDK që tha se kësaj radhe Zyra Ligjore ia ka huq. Edhe Leutrim Retkoceri nga PDK-ka tha se pas një diskutimi 4-5 orësh duhet gjithsesi të shkohet në votim.
Egzon Azemi tha se më i rëndësishëm është interpretimi i ministrisë se sa ai i Zyrës ligjore, pasi që janë bërë shkelje në një ndërmarrje dhe duhet marrë vendimi për shkarkim.
Nol Nushi deklaroi se PSD-ja nuk merr pjesë në 'lajthitjen' e Kuvendit, me ç'rast e lëshuan sallën. E këtë veprim të PSD-së e quajti të pandershëm Egzon Azemi.
Derisa në anën tjetër reagoi edhe shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së, Halim Halimi, i cili tha se udhëheqja e Shpend Ahmetit ‘është vetëm për të gjuajtur gurë’.
"Një vend ku pozita e lëshon mbledhjen, çka kemi me thënë për ta. Kjo është qeverisja e Shpend Ahmetit dhe ky qytet edhe 4 vjet ka me qenë në gjendje të njëjtë", u shpreh ai.
Migjen Shala nga PDK tha se në mbledhjen e radhës do të shkarkojnë kryesuesin Agim Kuleta.