VV-PSD përplasen për çështje të ndryshme të komunës së Prishtinës

Prishtina

VV-PSD përplasen për çështje të ndryshme të komunës së Prishtinës

Më: 31 maj 2018 Në ora: 13:40
Kuvendi komunal i Prishtinës

Ka filluar mbledhja e pestë e Kuvendit komunal të Prishtinës e bashkë me të edhe debati në mes të Vetëvendosjes dhe PSD-së. Debati filloi rreth ndërmarrjet publike, kur ishte në pyetje futja e kësaj çështjeje ose jo në rendin e ditës. Pro ishin asamblistë të LDK-së, PDK-së dhe Vetëvendosjes, derisa ata të PSD-së dhe AAK-së kundër.

Asamblistja e PSD-së, Vala Peshku kërkoi që herën tjetër të diskutohet për këtë çështje, ndërsa Egzon Azemi nga VV tha se duhet të diskutohet për ndërmarrjet publike derisa iu drejtua PSD-së si pjesë e pushtetit, e cila nuk dëshiron që të dalë keq ekzekutivi.

Nol Nushi tha se nuk është se s’ka interes për të diskutuar, por një gjë e tillë duhet të bëhet pas formimit të bordeve.

"Mandatin e kaluar nja 4-5 drejtorë nuk kanë qenë të komunës së Prishtinës. Në Prishtinë janë formuar komitetet aksionare, këto e kanë filluar punën por asnjë bord nuk është formuar ende. Krejt partitë keni pjesëmarrës në KPF, pse nuk jemi mbledhë krejt për të diskutuar", tha ai.

Ndërsa asamblistë të VV-së kishin pyetje, Rifat Deri nga Alternativa kërkoi që të rishqyrtohen emrat e rrugëve, pasi sipas tij, nuk bën të këtë emër rruge sikurse ajo "Qorr Ilazi".

Leutrim Retkoceri nga PDK, pati pyetje për Ismajl Kokaj, ku tha se qytetarët po ankohen për ujërat e zeza në lagjen Kalabria. Vlora Dumoshi nga LDK-ja pati pyetje për Jonuz Salihun, ku në kriteret për regjistrim tha se përfshihet edhe kushti që dy prindërit duhet të punojnë.

"Kjo është një shkelje e të drejtave. Ju lus që të keni në konsideratë këto prononcime të drejtorëve, sepse ata e përfaqësojnë komunën e Prishtinës. Ne e dimë se kryetari i komunës qe sa mbledhje nuk po merr pjesë në mbledhje. Ai nuk po e merr luksin për të ardhur në këto mbledhje ku po trajtohen gjëra të rëndësishme", u shpreh ajo.

Adrian Berisha nga PSD, Egzon Azemi nga VV, pyeti drejtorin e investimeve kapitale Gëzim Mehmeti.

"Kjo pyetje nuk është dashur të bëhet publikisht por ata kanë neglizhuar. Fjala është për rrugën ‘Xhemajl Mehmeti’ në Dardani, ku po dëmtohet gjelbërimi dhe po parashihet ndërtimi i tri vendparkimeve në atë pjesë. Konsideroj se këto hapësira duhet t'i ruajmë e jo të ndërtojmë aty", tha ai.

Drejtori i Investimeve kapitale dhe menaxhim të kontratave, Gëzim Mehmeti, tha se në atë pjesë do të ketë më shumë gjelbërim sesa më parë. Ndërsa Mimoza Sylejmani nga PSD, tha se si banore e asaj lagje vetë ka qenë iniciuese e këtij projekti pasi një “fqinj i saj kishte vdekur për shkak të mungesës së hapësirave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat