85 kompani në Panairin e edukimit, sportit dhe turizmit

Prishtina

85 kompani në Panairin e edukimit, sportit dhe turizmit

Më: 19 prill 2018 Në ora: 16:51
Panairi i edukimit, sportit dhe turizmit

Sot në Prishtinë është hapur Panairi i edukimit, sportit dhe turizmit, ku janë të pranishme rreth 85 kompani nga vendi dhe rajoni, të cilat kanë për qëllim shpalosjen e ofertave në shërbim të qytetarëve në këtë sektor.

Organizatori i panairit Bekim Xhafa ka thënë se panairi ka për qëllim të informojë qytetarët për ofertat që ofrojnë universitetet e vendit dhe rajonit për studimet e tyre.

Ai shprehet i kënaqur me pjesëmarrjen e vizitorëve, ku sipas vlerësimeve të tij brenda ditës janë rreth dhjetë mijë.

Xhafa: Brenda ditës do të arrijë numri i vizitorëve deri në 10 mijë

“Qëllimi i panairit të edukimit është që t’i ofrohet qytetarëve tanë, rinisë sonë mundësi për të informuar direkt prej universiteteve të rajonit, vendit dhe më gjerë, për drejtimet e studimeve që ato ofrojnë, për certifikimet, për mundësitë e bursave që ofrojnë dhe pastaj të vijnë në Prishtinë t’i takojnë këto dhe të bëhet orientimi i karrierës së tyre. Ka arritur numrin e 7 mijë vizitorëve deri tani brenda pesë orëve, shpresojmë se deri në mbrëmje do t’i afrohemi numrit 10 mijë, edhe nesër do të jetë i hapur, kështu që do të i kalojë parashikimet e vizitorëve”, tha Xhafa.

Armend Milla, përfaqësues i organizatës turistike të Ulqinit, tregun e Kosovës e sheh shumë të rëndësishëm për turizmin e Ulqinit.

Ai tha se Shoqata e turizmit nga Ulqini ka kërkuar që të mos lëvizin çmimet karshi turistëve nga Kosova,  në mënyrë që turistët të ndihen si në shtëpinë e tyre.

Milla: Ulqini është pjesë e Kosovës

“Tregu i Kosovës është i rëndësishëm për Malin e Zi, sidomos për qytetin e Ulqinit duke marrë parasysh për faktin që kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme, mund të themi edhe familjare me Kosovën. Duke marrë parasysh faktin që tregu i Kosovës është shumë i rëndësishëm, ne marrim pjesë në panairin e turizmit për promovimin e ofertës turistike të Ulqinit dhe të Malit të Zi në përgjithësi. Çmimet mos të lëvizin, mos të luhaten por të jenë të njëjta dhe të jenë të sakta  që mos të kenë mundësi të keqpërdorohen ato. Ulqini gjithmonë është konkurrent me çmime duke marrë parasysh për faktin se çfarë ofron. Ulqini është pjesë e Kosovës dhe nuk është që duhet të hulumtohet  Ulqini, thjesht ata janë si në shtëpinë e vet”, tha Milla.

Leonora Shatka nga Ulqini tregon për KosovaPress që plazhi “Cabo Ulqin” ka marrë çmimin si plazhi më i mirë në trojet shqiptare.

Shatka: “Cabo Ulqin”, plazhi më i mirë në trevat shqiptare

“Cabo Ulqin ishte njëra ndër plazhet më të mira në trevat shqiptare , e kemi fituar edhe çmimin e parë dhe diplomën si plazhi më  e mira. Këtu vijnë shumë njerëz të famshëm për të na vizituar siç keni me i pa edhe në broshurat tona”, tha Shatka.

Kastriot Fazliu, pjesëmarrës i panairit, thotë se panairi është shumë i rëndësishëm për të informuar në lidhje me ofertat e rëndësishme për kapacitetet e atyre që kërkojnë shkollim akademik.

Fazliu: Çdo vit vizitoj panaire të tilla

“Vijoj çdo vit panaire të tilla, sepse i grupojnë të gjitha interesat në një vend të vetëm , domethënë qytetarët kanë mundësi të vijnë të informohen rreth ofertave për ngritjen e kapaciteteve të tyre për shkollim akademi”, tha Fazliu.

Ndryshe, edicioni i 12-të i Panairit të edukimit, sportit dhe turizmit do të mbyllet nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat