QKUK për një muaj përfiton rreth 26 mijë euro nga pagesat digjitale

Prishtina

QKUK për një muaj përfiton rreth 26 mijë euro nga pagesat digjitale

Më: 14 prill 2018 Në ora: 12:24
Pagesat digjitale

Vendosja e laurave digjitale në hyrje-dalje i ka sjellë përfitime të mëdha Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku brenda një dite pune faturohen të hyra nga 1 mijë deri në 1.100 euro, kurse, brenda muajit shifrat arrijnë nga 25 mijë deri në 26 mijë euro.

Por krahas këtyre përfitimeve të mëdha ky institucion nuk po ofron minuta falas për të gjithë ata që duan të hyjnë në QKUK.

E gjithë kjo ka bërë që shumë automjete të parkohen në trotuaret dhe parkingjet pa pagesë në hyrje të QKUK-së, duke shkaktuar kështu tollovi të madhe.

Lidhur me këtë menaxheri i projektit për digjitalizimin e hyrje-daljeve në QKUK, Faton Hajzeraj për KosovaPress ka thënë se një mundësi e tillë nuk është dhënë për qytetarët e Kosovës me qëllim që rrugët e QKUK-së të mos shfrytëzohen për rrugë transite.

Hajzeraj: Kemi vendosur mos të kemi minuta gratis me qëllim të mos krijohet tollovi

“Duke marrë parasysh se pozita gjeografike e hapësirave tona e lidhë si një baipas që është pjesa e Vetenrikut, edhe pjesa e EULEX-it, prapa Gjinekologjisë, atëherë shumica e popullatës e kanë përdorur si transit atë rrugë, atëherë kemi vendosur që mos me shkuar pa pagesë, vetëm që të mos ketë shumë tollovi dhe komunikacion brenda hapësirave dhe rrugëve tona duke u bazuar që bartja e pacientëve bëhet nga një klinik në klinikën tjetër, nuk jemi institucion që kemi infrastrukturën e nevojshme, ose tunelet që pacientët barten nga klinika në klinikë, atëherë disa raste janë që bartja bëhet përmes rrugës. Po ashtu edhe të ushqimit të pacientëve dhe për këtë arsye kemi menduar që t’i ikim sa më shumë tollovisë brenda rrugëve të Qendrës Klinike Universitare dhe kemi vendosur mos me pas gratis minuta”, tha ai.

Hajzeraj e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të ketë minuta falas për të shfrytëzuar hapësirat e QKUK-së për parkingje, ndonëse lë mundësin e hapur që çmimi prej 50 centësh për 30 minuta të ulet edhe me tej.

Për sigurinë e automjeteve në parkingjet e QKUK-së, zyrtari i IT-së në këtë institucion tha se veturat që hyjnë brenda QKUK-së janë të sigurta, pasi që disa pjesë më të frekuentuara janë të mbuluara me kamera sigurie.

Hajzeraj: Veturat që hyjnë në QKUK janë të sigurta

“Veturat janë të sigurta, na kemi kontratë me një kompani që ofron sigurimin e objekteve së pari, pastaj kemi disa hapësira që janë të mbuluara me kamera, tash me buxhetin për modernizim që është i ndarë nga Ministria e Shëndetësisë do të thotë futet edhe pjesa e sigurisë brenda hapësirave tona”, shtoi ai.

Shefi i zyrës së financave në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, Sherif Bytyqi ka thënë se të ardhurat nga parkingjet përmes pagesave digjitale janë rritur për 100 për qind.

Sipas tij, vlera e shumës së fituar nga laura digjitale brenda muajit arrin shumën nga 25 mijë deri në 26 mijë euro.

Bytyqi: Brenda muajit grumbullohen nga 25 deri 26 mijë euro

“Nga laurat, nga pikat e parkingut i kemi të rritura mbi 100 për qind nga ajo forma ku ka qenë e funksionimit në mënyrë mekanike. Një rezultat i tillë jep shpresë që edhe në të ardhmen të bëjmë investime të tilla ku janë të mundura...Të ardhurat mujore diku sillen prej 25 deri në 26 mijë euro, të ardhurat ditore mesatare sillen prej 850 euro deri në 900 euro, themi mesatare përndryshe nëse flitet për ditët e punës ajo diku sillet prej 1 mijë deri në 1100 euro”, tha Bytyqi.

Ai ka shtuar se këto mjete nga të hyrat e parkingut janë të destinuara për pagesat e shujtës së punëtorëve.

Bytyqi: Të hyrat nga parkingu shkojnë për sigurim të shujtës për punëtorët

“E tërë e hyra e QKUK-së shkon për sigurimin e shujtës të të punësuarve, domethënë prej personelit mjekësor edhe shërbyes apo mbështetës, mirëpo ende nuk është arritur shkalla e plotë e përmbushjes nga ana e vetë QKUK-së që do ta plotësonte pjesët e buxhetit, gjegjësisht shujtën e punëtorëve të QKUK-së“, tha Bytyqi.

Sipas Bytyqit nga kjo pagesë janë të liruar kategoritë si ajo e veteranëve dhe invalidëve të luftës, shtatzënat, rastet emergjente, pensionistët, personat që vuajnë nga sëmundjet kancerogjene etj.

Ndonëse laura digjitale i kanë sjellë të ardhura të mira këtij institucioni shëndetësor, parkingjet brenda kësaj klinike shihen më pak të ngarkuar sesa që ishin më parë, ndërsa fluksi i veturave që presin për të dal nga QKUK-ja është mjaftë i madh.

Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vendosja e laurave digjitale është bërë që nga data 6 nëntor të vitit të kaluar, i gjithë projekti ka kushtuar rreth 90 mijë euro, dhe të përfshihen edhe dy projekte të tjera, ai i vijueshmërisë në punë, si dhe programi i resurseve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat