Katër vjet e gjysmë burg për 31 kilogramë marihuanë - Bota Sot
Katër vjet e gjysmë burg për 31 kilogramë marihuanë

Prishtina

E martë, 24 prill 2018

Katër vjet e gjysmë burg për 31 kilogramë marihuanë

Më: 12 prill 2018 Në ora: 19:49
Pamje nga gjykimi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin në lidhje me veprën penale të posedimit, shpërndarjes e shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni, i ka shqiptuar tre të akuzuarve Edmond Temali, Aleksandër Jubani e Zajnullah Ejupi dënimin me nga 1 vit e gjashtë muaj burg si dhe me gjobë në shumën prej 6 mijë eurove secilit.

Ndërsa për të akuzuarin tjetër Armend Ejupi për të cilin prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja, trupi gjykues ka shpallur aktgjykim refuzues.

Gjykata kundrejt dënimit me gjobë dhe dënimit me burgim ka shqiptuar edhe dënim plotësues duke urdhëruar që të akuzuarve t’u konfiskohen dy vetura, njëra e tipit “Opel Vectra” dhe tjetra e tipit “Citroen”, me të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, të akuzuarit janë të obliguar që secili veç e veç të i paguajnë shpenzimet procedurale si dhe në formë të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 200 eurove.

Të akuzuarve në dënim do t’u llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim nga data 21 prill e vitit të kaluar e deri më datën e sotme.

Edmond Temali, Aleksandër Jubani, Zejnullah Ejupi kanë hyrë në marrëveshje me prokurorinë për pranim të fajësisë.

Paraprakisht, dy nga katër të akuzuarit kishin hyrë në marrëveshje me prokurorinë për pranim të fajësisë, derisa i akuzuari i tretë ka pranuar fajësinë qysh në seancën fillestare. Ndërkaq, i akuzuari i katërt nuk ka hyrë në këtë marrëveshje.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Armend Hamiti qëndroi pranë marrëveshjes së arritur me mbrojtësit e të akuzuarve për pranim të fajësisë, derisa për të akuzuarin e katërt, Armend Ejupi, u tërhoq nga përndjekja penale me arsyetimin se nuk ka arritur të vërtetohet dashja e tij.

Sipas prokurorit Hamiti, nuk është vërtetuar se Armend Ejupi ka qenë në dijeni se në veturën të cilën po ia dërgonte vëllait ka pasur substanca narkotike.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 21 prill 2017 rreth orës 11:00, në fshatin Gllamnik të komunës së Podujevës, ku derisa policia kanë qenë në vëzhgim dhe përcjellje të të pandehurve, të cilët pa autorizim, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes kanë transportuar substancat të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, ashtu që në këtë fshat të Podujevës kanë ndaluar veturën e tipit “Opel Vectra” me targa të Zvicrës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Armend Ejupi, për të cilin prokuroria vetëm se u tërhoq nga ndjekja penale, e kishte sjellë veturën në vendin e ngjarjes i njëjti nga të akuzuarit e merr veturën e tipit “Citroen”, me targa të Republikës së Shqipërisë, si dhe me shpejtësi të madhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa, më tej aktakuza sqaron se gjatë kontrollimit të veturës “Opel Vectra”, policia ka gjetur dhe sekuestruar tre thasë të najlonit të zi, të mbushur me substancë narkotike të dyshuar si marijuanë, me peshë të përafërt prej 31 kilogramë dhe janë arrestuar tre të akuzuarit, ndërsa Armend Ejupi është ndaluar dhe arrestuar nga policia në shtëpinë e tij.

Kjo substancë e narkotikut është konfiskuar nga ana e policisë dhe nga ekspertiza ka rezultuar të jetë marijuanë./Kallxo.com

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test