Prishtina bëhet me Akademi të Animacionit

Prishtina

Prishtina bëhet me Akademi të Animacionit

Më: 3 prill 2018 Në ora: 15:45
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Ylli Rugova, tha se synim i tyre janë të rinjtë e shkollave të mesme, ku sipas tij nëse ata fillojnë të mësojnë në këtë moshë pastaj do të bëhen animatorë të suksesshëm.

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës, në bashkëpunim me Anibarin, kanë themeluar Akademinë e Animacionit në Prishtinë, që për qëllim ka aftësimin e të rinjve për fushën e animacionit.

Për t’u bërë pjesë e kësaj akademie mundësi do të kenë gjashtë nxënës të shkollave të mesme, ku thirrja për aplikim do të hapet gjatë kësaj jave dhe do të jetë e hapur deri në fund të këtij muaji.

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Ylli Rugova, tha se synim i tyre janë të rinjtë e shkollave të mesme, ku sipas tij nëse ata fillojnë të mësojnë në këtë moshë pastaj do të bëhen animatorë të suksesshëm.

Rugova: Ideja është iniciuar nga Komuna e Prishtinës

“Ideja është iniciuar nga Komuna e Prishtinës, ne e kemi këtë hapësirën brenda Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, i kemi pasur edhe pajisjet për animacion duke përfshirë tabletat digjitale të vizatimit, të cilët janë të një cilësie mjaft të mirë, të cilat e pranojnë po ashtu edhe presionin e lapsit, do të thotë kanë ngjashmëri të madhe me letrën. I kemi edhe kompjuterët, të cilët janë shumë cilësorë, me të cilët mund të bëhet edhe montazh, edhe përpunim i animacionit në nivel mjaft profesional. Duke i bërë bashkë pajisjet dhe ambientin ne kemi ftuar Anibarin që të na ndihmojë në përpilim të programit dhe në organizim të kurseve për të rinjtë e Prishtinës. Kemi pasur fatin që Anibari ka qenë shumë i hapur në këtë drejtim dhe ata kanë ardhur me projektin e tyre, të cilin e financojnë në mënyrë që ky kurs për të rinjtë tanë të jetë falas”, tha Rugova.

Ndërsa, drejtori i Anibarit, Vullnet Sanaja tha se programi është dizajnuar në atë mënyrë që të përfshijë bazat e animacionit me qëllim të mësimit sa më të lehtë nga të rinjtë.

Sanaja: Do të jenë katër lëndë për animacion

“Programi është i dizajnuar në atë mënyrë që me i përfshi bazat e animacionit, në mënyrë që të rinjve nga shkollat e mesme me iu lehtësuar dhe me pas sa më të lehtë me e ndjek këtë program. Kjo fokusohet në katër lëndë, të cilat do të ligjërohen gjatë muajve në vijim, duke filluar prej majit. Këto janë tregimi i storieve,  më pas është regjia ku do të kemi edhe pjesën e editimit dhe montazhës, dizajn i animacionit, si dhe bazat e softuerëve, do të thotë kanë për të mësuar  softuer të ndryshëm, të cilët ju nevojiten në mënyrë që me filluar dhe me i krijuar filmat e tyre”, bëri të ditur ai.

Sipas tij, këto lëndë do të ndërlidhen me njëra-tjetrën dhe në fund animatorët e rinj të jenë të gatshëm të bëjnë një film, i cili do të shfaqet në festivalin e Anibarit.

Për këtë program nxënësit do të kenë 5 mësimdhënës dhe do të mbajnë mësim 8 orë në javë.

Akademia e Animacionit gjendet në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në lagjen “Dardania” të Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat