VV: Nuk do të lejojmë rikapjen e NPB në Prishtinë

Prishtina

VV: Nuk do të lejojmë rikapjen e NPB në Prishtinë

Më: 1 prill 2018 Në ora: 18:52
Vetëvendosje

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka akuzuar drejtorin e Drejtorisë së Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, se ai së bashku me një grup individësh po bëjnë një sulm ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore, me synimin për ta larguar drejtuesin e ligjshëm, Nexhat Kryeziun.

Në mënyrë të jashtëligjshme Dren Kukaj në datë 26.03.18 e ka thirrur një mbledhje të aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore, duke i bërë disa shkelje procedurale dhe duke e thirrur mbledhjen në zyrën e vet, në vend se ta thërriste në NPB. Në atë mbledhje ai vetë nuk mori pjesë dhe mbledhja u anulua, thuhet në reagim.

Sipas Grupit të asamblistëve të VV, Kukaj ka vazhduar me shkeljet e ligjit, pasi bashkë me aksionarin tjetër, Qëndrim Sahitin, kanë dërguar në NPB një vendim që e kanë marrë vetë, pa thirrur asnjë mbledhje.

Sipas atij vendimi nr.14-020/01-71674/18 të datës 26.03.2018, dy aksionarët e Ndërmarrjes Publike Banesore, Dren Kukaj dhe Qëndrim Sahiti kanë caktuar 4 anëtarë të përkohshëm të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.a Prishtinë, thuhet më tej në komunikatë.

Për më tepër, VV thotë se po të njëjtin vendim ata e urdhërojnë këtë bord me anëtarë të jashtëligjshëm të përpilojnë një përmbledhje të gjendjes së NPB, ndërsa sipas Statutit të NPB  Prishtinë, pika 26.4, çdo takim i Bordit të Drejtorëve me stafin administrativ të ndërmarrjes është në kundërshtim me parimet e qeverisjes korporatave.

Ky vendim, sipas asamblistëve të VV-së, është i kundërligjshëm dhe i pa zbatueshëm, pasi sipas ligjit aktual, Komisioni Komunal i Aksionarëve për Ndërmarrjet Publike Lokale nuk ka të drejtë të emërojë me mandat të përkohshëm anëtarët e Bordit të Drejtorëve.

“Të gjitha këto shkelje kulmuan në datën 30 mars 2018, kur në NPB, individi i quajtur Anita Shabani solli në NPB një vendim për emërimin e një kryeshefi të ri, vendim i lëshuar nga ky bord i paligjshëm. Menaxhmenti i NPB nuk e ka pranuar këtë dokument të jashtëligjshëm, dhe e ka udhëzuar Shabani të largohet nga ambientet e NPB. Më pas kanë ardhur bashkëshorti i Anita Shabanit, Ilir Cacaj, dhe vëllai i saj i cili punon në policinë e Kosovës, të cilët kanë kërcënuar se do të hyjnë dhunshëm në ambientet e NPB dhe do të ushtrojnë forcë mbi kryeshefin aktual Nexhat Kryeziu. Por ata nuk janë lejuar prej punonjësve të NPB të hyjnë aty. Më pas ata kanë shkuar në policinë e Kosovës ku kanë denoncuar z. Nexhat Kryeziu me akuza të rrejshme, kinse është sjellë keq me Shabani. Pas shoqërimit në polici u vërtetua se këto akuza ishin të rrejshme, për më tepër në ambientet e NPB ka kamera të brendshme që vërtetojnë gjith çka. Bashkëshorti i znj. Shabani dhe vëllai i saj vazhdimisht i janë kanosur z. Kryeziu edhe brenda në ambientet e policisë”, thuhet në komunikatën e grupit të asamblistëve të VV-së në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje bën me dije se vazhdon ta mbështesë Nexhat Kryeziu dhe menaxhmentin e NPB-së, dhe do ta ndjekë këtë punë ligjërisht, që të mos e lejojë, siç thuhet, rikapjen e NPB-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat