Hiqen asetet e reklamave në kryeqytet

Prishtina

Hiqen asetet e reklamave në kryeqytet

Më: 12 mars 2018 Në ora: 14:27
Foto nga vendi i ngjarjes


Për disa muaj nuk do të shihen reklama në rrugët e kryeqytetit, të paktën jo në ato vende që ishin të dedikuara për reklamacion. Kompania “Dardania” ka filluar sot heqjen e të gjitha aseteve ku vendoseshin reklamat në kryeqytet.

Nën mbikëqyrjen e inspektoratit të Komunës asetet po hiqen nga të gjitha pikat. Bëhet fjalë për dhjetëra asete që ishin në pronësi të kompanisë “AMM”, kompani kjo që kishte kontratë pesë vjeçare me Komunën e Prishtinës.

Lajmi.net ka mësuar se  komuna dhe kompania kanë pasur kontrate edhe rreth një muaj, por inspektorati komunal ka reaguar më herët, siç është mësuar, ngase kompania nuk i ka kryer obligimet e veta financiare vjetore.

Kjo kompani është në pronësi të Ahmet Kurtollit, Gëzim Kelmendit e “OBA” SHPK.

Që 17 vjet kompania AMM mban të drejtën e shfrytëzimit të hapësirave reklamuese në kryeqytet. Kontrata mes Komunës e AAM-së nuk është zbuluar asnjëherë.

Në kontratën të cilën e ka parë lajmi.net, për hapësirat e publicitetit kjo kompani i paguan komunës 310 mijë euro në vit. Kjo kompani që nga viti 2001 mban të drejtën ekskluzive për vendosjen e reklamave në kryeqytet. Asnjëherë nuk u lejua qasje në këtë kontratë, përderisa e njëjta ishte vazhduar në vitin 2006 mbi një tender që ishte hapur për ndërtimin e qoshqeve ku do të kishte edhe hapësira reklamuese. E fundit është kontrata që lidhi qeveria e Isa Mustafes më  4 prillit të vitit 2013, që nuk dihet se cilat kanë qenë kushtet për ta fituar të drejtën par lidhje kontrate. Por, sipas kësaj kontratë, AMM-ja ka pasur të drejtën ekskluzive të vendosjes së reklamave edhe për 5 vjet të tjera, ose deri më 4 prill të vitin 2018.

Në kohën kur po zhvilloheshin procedurat për tenderin Furnizim me kioska në Komunën e Prishtinës ku në garë ishin kompani fort të ndërlidhura mes tyre, Ahmed Kurtoilli ishte ortak në një biznes tjetër me Isa Mustafën, atëherë vetëm zyrtar i LDK-së dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Kurtolli e Mustafa  ishin ortak në Klubin Futbollistik “Prishtina”.

Firmën në këtë kontratë nga ana e Komunës e ka vënë ish-kryetari Isa Mustafa dhe drejtori i AMM-së, Gëzim Salihu. “Më nënshkrimin e kësaj kontrate, zyrtari kryesor administrativ siguron që janë përfillur procedurat për përzgjedhjen e qiramarrësit, ndërsa vendimi për zgjedhjen e bazon në vlerësimin e komisionit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim me qira, sipas Vendimit të Kuvendnit Komunal të datës 28.12.2012”, thuhet në kontratë.

Në kontratë është e caktuar edhe lista e aseteve se ku ndodhën ato. Aty janë dhënë emrat e rrugëve në Prishtinë, lloji i objektit reklamues dhe sasia e tyre. Gjendja faktike e objekteve që AMM-ja, sipas kontratës, ua vjelë paratë janë: Billbord , City light, Shtylla, Megalight.

Sipas një cmimorje të para disa viteve,  kompania ka pasur një cmimore për partneret, por që në fushatë zgjedhore çmimet kanë qenë edhe më të lartë. ‘Megalight’ të dimensioni 8mx3m janë të deklaruar në kontratë 11 copë. Çmimi mujor që e ofronte kompania për palët ka qenë 1500 euro, ndërsa, çmimi i posterit 330 euro. ‘Bilbord’, dimensioni 4mx3m, ku janë të deklaruar 102 copë, me çmim mujor për një vend 350 euro. Ky tip është me ndriçim dhe këtu nuk janë llogaritur posterët. ‘City Light’ me dimensionet 2mx1m, ka pasur çmimin prej 220 eurosh, të këtij lloji kanë qenë 42 vende. ‘Stacion me CL te inkorp’ me dimension 2mx1m, kanë pasur çmim mujor prej 220 eurosh. Në kryeqytet, sipas kontratës, të këtij tipi janë 140 copë. ‘Backlight’, me dimension 4mx3m, me 22 vende reklamuese të këtij lloj, me çmim mujor 450 euro për copë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat