Deklarohen të pafajshëm për korrupsion dy ish-zyrtarët e Komunës së Prishtinës

Prishtina

Deklarohen të pafajshëm për korrupsion dy ish-zyrtarët e Komunës së Prishtinës

Më: 9 mars 2018 Në ora: 16:18

Dy ish-zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në shqyrtimin fillestar të së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Haliti, si shef i sektorit për ndërtim dhe Canolli, si ekzekutues-përmbarues, të cilët akuzohen se gjatë kohës sa kanë qenë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, nuk kanë vepruar sipas detyrave të tyre zyrtare, kanë deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë për veprën penale me të cilën ngarkohen.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Arian Gashi dhe deklarimit të akuzuarve, ka njoftuar të njëjtit se kanë afat që brenda 30 ditësh të paraqesin kundërshtimet e tyre.

Seanca e radhës, është caktuar të mbahet më 11 prill 2018, duke filluar nga ora 09:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, në bashkëkryerje kanë keqpërdoruar detyrat e tyre zyrtare nga viti 2008 e deri në vitin 2014.

Prokuroria pretendon se Haliti, në pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës dhe Canolli si ekzekutues-përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që Habib Vllasaliu, të fitojnë çfarëdo dobie pasurore duke mos zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës, të datës 5 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje, në pronën e Vllasaliut.

Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Haliti është njoftuar në formë të shkruar nga inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet në bazë të aktvendimit të 5 tetorit 2006, dhe të rrënohet objekti, të akuzuarit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i mundësuar Vllasaliut të përfitojë dobi pasurore nga ndërtimi që prokuroria e konsideron pa leje.

Ndryshe, ndaj Ismet Halitit dhe Skender Canollit, po zhvillohet edhe një procedurë tjetër penale, ku ata së bashku edhe ish-inspektorët e tjerë të Komunës së Prishtinës, akuzohen se gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit, pasi nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e objekteve pa leje./betimiperdrejtesi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat