Çerdhja “Yllkat” duhet të rrënohet dhe të rindërtohet

Prishtina

Çerdhja “Yllkat” duhet të rrënohet dhe të rindërtohet

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 15:46
Çerdhja “Yllkat”

Me kërkesë të Drejtorisë Komunale të Arsimit, Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave ka caktuar një komision të përbërë nga 3 inxhinierë të ndërtimtarisë, për ta vizituar çerdhen “Yllkat” në lagjen Vellusha, për shkak sa janë vërejtur disa plasaritje në objekt. Objekti i kësaj çerdheje është ndërtuar në vitin 1984, dhe ka kapacitet për 220 fëmijë.

 Gjatë kontrollimit, inxhinierët kanë vërejtur se ky objekt tashmë është shumë i dëmtuar, dhe se paraqet rrezik për fëmijët dhe stafin e çerdhes.

Në disa pjesë të themeleve, janë vërejtur plasaritje të theksuara, kurse brenda objektit plasaritjet janë edhe më të thella dhe janë horizontale, gjë që dëshmon se themelet e objektit “”kanë fjetur”. Në njërën prej dhomave të fëmijëve ka lëvizur pllaka e dyshemesë.

Kësisoj, komisioni i përbërë nga 3 inxhinierë të ndërtimtarisë, ka vlerësuar se: “Dëmtimet në këtë objekt janë jashtëzakonisht të mëdha, andaj propozojmë që urgjentisht të merren masat si preventivë – largimi i fëmijëve dhe personelit me qëllim të evitimit të pasojave eventuale”.

Bazuar në këtë vlerësim të komisionit, Komuna e Prishtinës ka vendosur që t’i largojë fëmijët dhe stafin nga ajo çerdhe, dhe t’i zhvendosë përkohësisht në çerdhe të tjera, në konsultim edhe me prindërit dhe grupet e interesit.

 Objekti çerdhes “Yllkat” do të rrënohet, dhe do të ndërtohet një çerdhe e re në këtë lagje.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat