Dështon seanca për kontestin për paga në mes të Komunës së Prishtinës dhe ish-mësimdhënëses

Prishtina

Dështon seanca për kontestin për paga në mes të Komunës së Prishtinës dhe ish-mësimdhënëses

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 18:15
Gjykata Themelore në Prishtinë

Gabimi teknik i provës të cilën e paraqiti para Gjykatës Themelore në Prishtinë, përfaqësuesi i paditëses Miradije Suka, avokati Ramiz Suka, ka qenë shkak i shtyrjes së seancës të së martës, në rastin ku ish-mësimdhënësja kërkon nga Komuna e Prishtinës, kompensimin e pagave pas pensionimit.

Suka para gjykatësit Enver Shabanaj dhe përfaqësuesit të Komunës së Prishtinës, Arta Mazreku, paraqiti provën që kishte të bënte me përvojën e punës të ish-mësimdhënëses Miradije Suka, por ajo u evidentua me një gabim teknik, që ndikojë të shtyhet kjo seancë.

“Tani e pashë që vendimi për stazhin e punës është bërë gabim nga Drejtoria Komunale e Arsimit, prandaj me qëllim që të mos dëmtohet pala, lus gjykatën që kjo seancë të shtyhet”, tha avokati Suka.

Këtë propozim nuk e kundërshtoi as përfaqësuesja e komunës, Arta Mazreku, ndërsa e aprovoi gjykatësi Enver Shabanaj, edhe pse i njëjti theksoi se është hera e dytë në të cilën po shtyhet seanca për shkak të palës paditëse.

Seanca e radhës është caktuar për 9 mars 2018, në ora 09:00.

“Betimi për Drejtësi”, ka raportuar edhe më herët për këtë kontest në mes ish-mësimdhënëses Miradije Suka dhe Komunës së Prishtinës.

Sipas padisë, Miradije Suka, ka qenë në marrëdhënie pune në Komunën e Prishtinës, si mësimdhënëse në Shkollën Fillore “Ismail Qemali”, në Prishtinë.

Paditësja më 26 janar 2017, ka marrë vendimin për pensionim dhe i është shkëputur marrëdhënia e punës më 22 shkurt 2017, datë në të cilën kishte arritur moshën 65 vjeçare.

Paditësja duke u thirrur në nenit 36 të Kontratës Kolektive të Arsimit Parauniversitar të Republikës së Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 janar 2015, sipas të cilit, thuhet se punëtori që shkon në pension, ka të drejtë në shpërblimin jubilar, në vlerë të tri pagave, për përvojën mbi 30 vjet, ka kërkuar kompensimin e tri pagave jubilare.

Sipas padisë së 28 korrikut 2017, paditësja ka bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës që të kompensohet në vlerën e tri pagave jubilare dhe tri paga për përcjellje në pension, por që sipas saj, nuk ka marrë përgjigje nga komuna.

Suka pretendon se ajo ka pasur pagë mujore në vlerën prej 465 euro në muaj dhe kërkon që Gjykata Themelore në Prishtinë ta obligoi të paditurën që në emër tri pagave jubilare dhe tri pagave të përcjelljes në pension ta kompensoi paditësen në vlerë prej 2790 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat