KMDLNJ letër Ahmetit: Gjendja e varrezave e turpshme dhe nën çdo dinjitet

Prishtina

KMDLNJ letër Ahmetit: Gjendja e varrezave e turpshme dhe nën çdo dinjitet

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 12:52
KMDLNJ

KMDLNj nëpërmes një letre i ka shprehur shqetësimin kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit në lidhje me gjendjen e varrezave (të të gjithë besimtarëve) në komunën e Prishtinës.

“Mirëmbajtja dhe kujdesi për varrezat ortodokse dhe të krishtera (katolike) është kryesisht e natyrës politike dhe kujdesi për to rritet vetëm kur ato dhunohen apo vandalizohen e që kryesisht, pa përfunduar hetimet cilësohen të natyrës politike dhe etnike. Ose, pas ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve ato rregullohen sa për të thënë sikur që edhe ndahet lokacioni për bashkësi fetare të reja”, thuhet në letrën e KMDLNJ-së dërguar kryetarit të Prishtinës

Sipas KMDLNJ-së , gjendja e varrezave ku varrosen apo prehen besimtarët islam është katastrofale, e turpshme dhe nën çdo dinjitet.

“Kjo vlen sidomos në Lagjen Arbëria ku, për shkak të punimeve ndërtimore apo të reshurave atmosferike ka pasur dëmtime të varreve dhe shembje të tyre”, thuhet në letër.

KMDLNj është i vetëdijshëm se qyteti i Prishtinës, për shkak të mbipopullimit dhe ngushtimit të hapësirës tokësore, e ka të vështirë sigurimin e një lokacioni të ri për varrezat e besimit islam e që do të ishte në përputhje me standardet e kërkuara infrastrukturore. Për këtë çështje janë zgjeruar hapësirat e lokacionit ekzistues për varreza në lagjen Arbëria e që nuk i plotëson as kushtet minimale për varrim të dinjitetshëm dhe trajtim të dinjitetshëm të këtyre varrezave. Ky degradim mjedisor në lokacionin ku janë varrezat e besimtarëve islam sidomos është i theksuar gjatë dimrit dhe në kohën e të reshurave atmosferike e që nënkupton një periudhë thuaja 6- mujore. 

“Nëse e bëni një inspektim të varrezave apo e përcillni ceremoninë e varrimit në këtë kohë duhet të pajiseni me çizme gome deri në gjunjë dhe të keni kondicion t’i bartni 6-8 kg baltë që kapet për çizme. Është nën çdo dinjitet dhe e pamoralshme të varrosni të vdekurin në ato kushte sikur edhe që është e mundimshme dhe nën dinjitet për pjesëmarrjen në varrim po në ato kushte”, thuhet në letrën e KMDLNJ-së.

Varrezat e besimit islam në lagjen Arbëria, sipas KMDLNJ-së, sidomos në kohën e dimrit i ngjajnë një terreni nga dokumentarët për mbijetesë në kushte ekstreme.

“Nëse në këta dokumentarë luftohet në rërën e gjallë, në varrezat në lagjen Arbëria luftohet me baltën e gjallë. Këto varreza , por edhe të tjerat janë nën përgjegjësinë e komunës që e udhëhiqni, qytetarët e së cilës janë taksapagues të rregullt me shpresë se do të ofroni shërbime të mira, në përputhje me taksat që i siguroni”, thuhet në letër.

Nëse komuna e Prishtinës nuk ka kapacitet për mirëmbajtje të varrezave, atëherë duhet të kërkojë buxhet shtesë nga Qeveria e Kosovës. Komuna e Prishtinë duhet ta marrë si shembull komunën e Gjakovës apo të Pejës se si duhet të mirëmbahen varrezat.

Sipas KMLDNJ komuna duhet t’i ndërmerr të gjitha veprimet që të ndërprehet ky degradim i hapësirës së varrezave, duke krijuar hapësira të gjelbra, duke mbjellë fidane të reja dhe duke hapur shtigje në tërë këtë hapësirë nëse dëshiron ta eliminojë baltën, papastërtinë dhe dukuritë tjera degraduese.

Komuna e Prishtinës mbanë shpërgjegjësi për këto varreza duke krijuar kushte për trajtim të dinjitetshëm dhe duke mos e fyer për së vdekuri ata që varrosen, familjen, miqtë dhe pjesëmarrësit në varrim.

“Nëse dëshironi ta dini të vërtetën e keni shumë lehtë, mjafton të merrni pjesë në një varrim por jo në pjesën ku varrosen VIP  -të apo ata që më herët kanë siguruar lokacion për varrezat familjare dhe që vet i mirëmbajnë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat