(E plotësuar) - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti në takim sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajn, ku diskutuan çështjet e interesit të përbashkët mes Komunës dhe Qeverisë.
Në takime të tilla, ku po marrin pjesë edhe drejtorët e ministrat, po shtjellohen probleme konkrete të qytetarëve të cilat mund të zgjidhen bashkërisht.
U bisedua për tema si Ligji për Prishtinën; bartja e Pallatit të Rinisë në pronësi të Komunës; Unaza e Qytetit; kogjenerimin e Termokosit; e të ngjashme.
Po ashtu, përfaqësuesit e Komunës dhe Qeverisë dakorduan për krijimin e një Task Force për zhvendosjen e një pjese të administratës shtetërore në periferi të qytetit, duke filluar nga largimi i ATK-së, ashtu që atë objekt ta shfrytëzojmë si sallë koncertale apo pallat të operës.
Theks të veçantë në këtë takim kishte angazhimi për ngritjen e cilësisë në arsim, duke e lehtësuar punën edhe përmes udhëzimeve të reja administrative.
***
Ramush Haradinaj është takuar edhe sot me Shpend Ahmetin.
Ramush Haradinaj me disa nga ministrat e kabinetit të tij është takuar sot me Shpend Ahmetin.
Takimi që ka nisur para pak çastesh është i mbyllur për media, ndërsa më pas priten deklarime të Haradinajt e Ahmetit.
Në pjesën kur mediat u lanë brenda, duke i uruar mirëseardhje Haradinajt dhe të tjerëve, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se “qeveria e ka njohur komunën dhe komuna qeverinë”.
Haradinaj e Ahmeti janë takuar edhe më 21 dhjetor të vitit të kaluar, kur diskutuan për statusin e Pallatit të Rinisë, zgjerimin e projektit të kogjenerimit me Termokosin dhe unazën e Prishtinës.