Komuna e Prishtinës rikthen mbi 50 punëtorë në vendet e tyre të punës

Prishtina

Komuna e Prishtinës rikthen mbi 50 punëtorë në vendet e tyre të punës

Më: 24 korrik 2017 Në ora: 14:51
Kuzhina qendrore për përgatitjen e ushqimit të institucioneve parashkollore

Komuna e Prishtinës, të hënën, ka hapur kuzhinën qendrore për përgatitjen e ushqimit të institucioneve parashkollore, me ç’rast ka rikthyer mbi 50 punëtorë në vendet e mëparshme të punës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se kanë vendosur që kuzhinën qendrore ta kthejnë në institucion publik si dhe  t’iu mundësojnë kontrata të përhershme pune punëtorëve të vjetër.

Ofrimi i ushqimit cilësor për fëmijët, sipas Ahmetit, ka bërë që edhe çerdhet private të kërkojnë që të furnizohen me ushqim nga kuzhina qendrore e çerdheve publike.

Ahmeti: Ideja është që të kemi ushqim sa më të shëndetshëm për fëmijët tonë

“Deri më tani i kemi diku mbi 50 punëtorë që punojnë për të siguruar ushqim. Arsyeja pse ne përgatisim për gati se 3 mijë fëmijë në komunën e Prishtinës e bënë edhe koston tonë më të ulët dhe gjithmonë po punojmë edhe me nutricientë që të përmirësojmë edhe cilësinë e ushqimit. Kemi bashkëpunuar edhe me prindërit. Ideja është që të kemi ushqim sa më të shëndetshëm për fëmijët tonë", tha Ahmeti,  duke shtuar se do të ofrojnë edhe shujta të nxehta për personat në nevojë.

Më tej, i pari i Prishtinës tha se çështja e ngelur pezull në mes të punëtorëve të kuzhinës qendrore dhe Ministrisë së Financave do të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur.  E për të ofruar një zgjidhje sa më të mirë ai tha se kanë bërë kontrata të përhershme pune për ta.

Ahmeti: Do të gjejmë zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur për punëtorët

“Tashmë i kanë kontratat e përhershme, pa afat deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, që i mundëson një rehati pak më të madhe punëtorëve të kuzhinës... Natyrisht punëtoret e kuzhinës nuk kanë pse të merren me çështjet mes Komunës dhe Ministrisë, ato brengosen për vendin e punës së vet, brengosen për çështjet familjare me të drejtë dhe ne jemi munduar që sado pak t’iu dalim në ndihmë dhe besoj se shumë shpejt do të gjejmë zgjidhje me Ministrinë e Financave që të bëjmë një zgjidhje permanente”, tha kryetari i Prishtinës.

Kryekuzhinierja Fatime Zogjani, tha se ndjehet e lumtur për siç tha ajo, vetëm komuna e Prishtinës u ka dalë krah që prej pasluftës në Kosovë.

Zogiani: Kurrë askush nuk na ka përkrahur, e tash janë krejt në rregull

 “Shumë ka pasur rëndësi. Ne kemi hekë shumë. Kemi punuar shumë. Kemi punuar gjithkund, nëpër bodrume, gjithkah. E tash, as Qeveria e mëparshme, as askush, ne gjithmonë pa ngrohje kemi punuar pas lufte. Kurrë nuk kemi pasur nxehëse, as ventilatorë. Krejt çka kemi pasur, i kemi pasur katastrofë. E tash janë krejt në rregull”, tha ajo.

Ndryshe, ky objekt ka qenë jashtë funksionimit, për shkak se administrata e kaluar kishte vendosur që ta privatizojë shërbimin e ushqimit për çerdhet, ndërsa kompania fituese ka përdorur një objekt tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat