Promovimi i produkteve dhe qëllimet humanitare bashkohen në panair

Prishtina

Promovimi i produkteve dhe qëllimet humanitare bashkohen në panair

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 08:53
Ilustrim

(E plotësuar) - Panairi i ushqimit dhe pijeve është hapur sot në Prishtinë, ku përveç promovimit të produkteve të sektorit të agrobiznesit, po promovohen edhe produktet shëndetësore. Panairi po ashtu është edhe një mundësi shtesë për veprime humanitare.

Panairi u vlerësua si një mundësi e mirë për të promovuar pasuritë natyre që i ka vendi.

Erblin Mavraj, fizioterapeut në Banjën e Pejës “Onix Spa”, ka treguar se në organizimet e tilla si në vend, ashtu edhe jashtë po bëhet promovimi i tretmanëve të ujit shërues që Banja e Pejës e ofron. Ai po ashtu ka treguar se përmes këtyre panaireve qytetarët po mësojnë për vetit shëruese që i ofron Banja e Pejës.

“Panairet janë jashtëzakonisht të mira për lëmin të cilën ne e aplikojmë në Banjën e Pejës, për arsye se na mundëson ekspozimin e tretmanëve të cilat ne i bëjmë atje. Me privatizimin e Banjës, kemi përparuar shumë…Banja me ujin të cilin e ka është mjaftë unik për arsye se ka veti shëruese. Pronari i cili e ka privatizuar banjën është i interesuar që ujin ta dërgoj edhe në laboratorë evropiane dhe i ka bërë disa analiza në këto laboratorë dhe ka konstatuar se ky ujë në mesin e 500 ujërave të cilat janë në botë është më unik, për vetit shëruese që i ka”, tha Mavraj.

I kënaqur me ekspozimin e produkteve dhe përpunuesit e bimëve shëruese, është shprehur edhe Ahmet Govori, pronar i firmës “Natyra”, që merret me kultivimin dhe prodhimin e produkteve shëruese të Novobërdës. Ai ka treguar se përmes panaireve kanë arritur vetëdijesimin e qytetarët për vetit shëruese që kanë produktet bimore.

“Kemi marrë pjesë në shumë panaire, këto kanë qenë gjana të panjohura, kur ne kemi filluar në 2006 në kemi shitur mollë të egër deri në 40 kilogram në vit, pastaj, kemi kaluar në më shumë kilogramë, popullata ka ardhur në vetëdijesim të konsumimit por edhe të grumbullimit”, tha ai.

Në hapje të panairit, morën pjesë zëvendësministrat e Shëndetësisë dhe Bujqësisë. Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Kurtan Kajtazi, në hapje të panairit, ka thënë se një ndër prioritetet e Qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, është investimi përmes granteve dhe subvencioneve në bujqësi.

“Përmes këtij panairi janë krijuar njohje të reja, janë fituar njohuri të reja, qoftë në kultivim, përpunim, qoftë në futjen e produkteve të reja në Kosovë. Me të vërtet kjo po e ndihmon shumë vendin tonë...Këto dhjetë vitet e fundit falë investimeve të Qeverisë së Kosovës, falë prioriteteve që i ka dhënë sektorit të bujqësisë, falë politikave që i udhëheq Ministria e Bujqësisë, vërtet zhvillimi i bujqësisë ka marrë një hov jashtëzakonisht të rëndësishëm në Kosovë. Po hapen për ditë vende të reja të punës dhe po mirëmbahen vendet e punës që janë hapur më herët. Ministria e Bujqësisë çdo vit, pavarësisht vështirësive që ka, sfidave me buxhetin e saj të vogël, vazhdimisht ka rritje të granteve. Kjo e dëshmon edhe këtë vit për dallim nga viti 2015, falë granteve dhe subvencioneve në bujqësi po investohen 46 milionë euro.”, tha Kajtazi.

Bekim Xhafa, organizatori i panairit ndërkombëtar të ushqimit dhe pijeve “Agrokos 2016’’, tha se risi e këtij panairi këtë vit janë edhe pesë kompani nga Bosnja dhe Hercegovina.

‘’Sot po hapin panairin AgroKos dhe panairin e shëndetësisë. Është një sektor i kënaqshëm, duke filluar prej pajisjeve mjekësorë deri tek farmaceutike...E veçanta e panairit të mjekësisë është se me qendrën e transfuzionit të gjakut, ne sivjet kemi arrit që të kemi prezent këtu në panair qendrën  transfuzionit këtu në panair. Ju bëjë ftesë që gjithë ata që e kanë të mundshme që të vijën dhe të dhurojnë gjak. Jo vetëm për të bërë biznes por edhe për të bërë veprime humane”, tha Xhafa.

Panairi ndërkombëtar i ushqimit dhe pijeve “Agrokos 2016”, në Prishtinë do të jetë i hapur edhe nësër.

Image

 

***

Sot hapet panairi i ushqimit dhe pijeve

Panairi dyditor ndërkombëtar i ushqimit dhe pijeve “Agrokos 2016”, fillon sot në Prishtinë dhe ka për qëllim të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të zinxhirit të prodhimtarisë vendore dhe ndërkombëtare në sektorin e agrobiznesit.

Qëllim tjetër i këtij panairi është që të ndikojë në rritjen e aftësisë konkurruese në treg duke ndihmuar bizneset në gjetjen e partnerëve bashkëpunues.

“Pastaj, B2C dhe mundësinë e B2B, B2G takimeve, takime ballë-për-ballë me klientin, informimin me trendet e fundit të teknologjisë më efektive dhe efikase, konsulencë për paraqitje sa më profesionale në panair, etj.Paralelisht me panairin, për vizitorët profesionist CEO do të organizojë aktivitete të ndryshme informative dhe profesionale si; seminare, punëtori, konferenca nga ekspertë shkencor dhe profesionist të kësaj fushe. Konferenca e mbajtur në edicionin e fundit, nga inxhinier agronom për mënyrën e drejtë të prodhimit të specave në fushë të hapur, ka rezultuar me shumë sukses dhe është shprehur interesimi shumë i madh për përsëritjen e aktiviteteve të këtij lloji.Njëkohësisht, CEO do të organizojë aktivitete të ndryshme atraktive si; festë argëtuese, shfaqje e kafshëve, garë ndërmjet ekspozuesve për përzgjedhjen e shtandit më kreativ, mbledhja e fondeve për bursa të studentëve të fakultetit të Bujqësisë dh e Veterinarisë të UP, lojëra interesante, etj”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat