Me sistemin digjital qytetarët e Prishtinës “bëhen inspektorë”

Prishtina

Me sistemin digjital qytetarët e Prishtinës “bëhen inspektorë”

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 16:29
ilustrim

Drejtoria e Inspeksionit i komunës së Prishtinës sot ka prezantuar sistemin e ri digjital.

Përmes këtij aplikacioni të ri të gjitha proceset digjitalizohen prej fillimit e deri në fund. Ky aplikacion është duke punuar vetëm në sistemin për inspektim të komunikacionit,  por më vonë kjo do të zgjerohet edhe në sektorë tjerë.

Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi tha se ky aplikacion i vendos qytetarët në rolin e inspektorëve, duke raportuar për çdo parregullsi që ata shohin. 

Ai tha se komuna ka nevojë për qytetarët pasi që sipas Nushit Drejtoria e Inspeksionit nuk ka kapacitetet të inspektojë çdo parregullsi.

Nushi: Qytetarët në rolin  kyç për inspektim të parregullsive

“Përmes këtij aplikacioni  tash e tutje komplet procesi prej fillimit e deri në fund digjitalizohet...Inspektorët në momentin kur dikush e shkel rregullin e merr patent shoferin e tij, e merr letërnjoftimin e tij e fotografon, dhe ato fotografi i drejton drejtpërsëdrejti në dhomën e mençur, në dhomën e mençur ku qëndron një dispeçer, i cili i merr tërë ato informacione, i shënon në formën... të cilin ne e kemi përgatit... dhe kemi kopje të tjera të cilat do t’i dorëzohen pastaj shkelësit...në momentin kur e bën fotografimin ato dërgohen në ‘smart room’”, tha Nushi.

Sipas tij Drejtoria do të startojë me një aplikacion tjetër që qytetarët do të marrin rolin e inspektorëve që do të raportojnë për cdo parregullësi që sheh në rrugë.

Ndërsa, Fatbardh Bunjaku, autor i këtij aplikacionit ka prezantuar procedurën nëpër të cilën kalon një fotografi e dërguar nga ndonjë qytetar,  por edhe person zyrtar në momentet kur ka ndonjë parregullsi në komunikacion.

Bunjaku: Të dhënat mbetën anonime

“Udhëheq një rast nëpër tri stade: stadin e lajmërimit, stadin e udhëheqjes së rastit edhe stadin përfundimtar që në varësi prej rezultatit të udhëheqjes së lëndës mund të jetë eskalim i mëtutjeshëm në gjykatë, eskalim në një drejtori tjetër të komunës, ose edhe rasti.... kur palës i shqiptohet ndonjë masë. Sa i përket të dhënave hyrëse, sistemi pranon këto kanale hyrëse, regjistrimin e një telefonate, e cila për lehtësi qytetarët mund të bëjnë thirrje në njërën nga dy numrat telefonik. E gjithë puna kalimi nga një stad në stadin tjetër do të mbetet i arkivuar me ç’rast do të kryhet edhe sistemi i digjitalizimit”, ka thënë Bunjaku.

Zyrtarët e komunës kanë publikuar edhe tre numra pa pagesë ku qytetarët do të mund të thërrasin në rast se shohin ndonjë parregullësi.

Numrat telefonik janë: 080012233;  080012244 ;080012255 .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat