Lirimi i pronave në lagjen “Dardania” obligim për Gjykatën

Prishtina

Lirimi i pronave në lagjen “Dardania” obligim për Gjykatën

Më: 26 shtator 2016 Në ora: 16:25
Policia

Gjykata Themelore në Prishtinë, lidhur me lirimin e banesave të uzurpuara në lagjen “Dardania” të kryeqytetit, ka sqaruar se po veprojnë në aplikim të dispozitave ligjore në fuqi, dhe ky është obligim ligjor për gjykatën. Kurse, Policia e Kosovës është duke vepruar në përkrahje të Gjykatës për zbatimin e aktgjykimeve të plotfuqishme.

Gjykata nëpërmjet një komunikate ka rikujtuar edhe njëherë se në datën 19.09.2016 dhe sot me dt. 26.09.2016 është vepruar në ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me lirimin e pronave të uzurpuara.

“Çështja për të cilën është vepruar me dt 19.09.2016 dhe sot në gjykata ka filluar të trajtohet që në vitin 2005. Gjykata ka kërkesë për ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm ( në këtë rast aktgjykimi C.nr.2137/05) i  cili ka formën e prerë që nga data  17.11.2008. Nga kjo rezulton se tani në vitin 2016 po ekzekutohet një vendim gjykata i plotfuqishëm që  para  8 viteve. Të gjitha palët që ju takon ky vendim i plotfuqishëm kanë qenë në dijeni që nga viti 2008 se këto prona të uzurpuara duhet të lirohen. Për më tepër, Gjykata Themelore në Prishtinë në procedurë të ekzekutimi të aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës ka treguar  maturi, dhe kujdes të posaçëm  dhe çdo pretendim se ka qoftë edhe një shkelje të drejtave të palëve është absolutisht i pa bazë”, thuhet në komunikatë.

Gjykata thotë se mos ekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme është vepër penale, prandaj, gjykata është duke vepruar në aplikim të dispozitave ligjore në fuqi dhe ky është obligim ligjor për gjykatën.

Kurse, Policia e Kosovës është duke vepruar në përkrahje të Gjykatës për zbatimin e aktgjykimeve të plotfuqishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat