Kalabria dhe Sofalia me trafo të reja e rrjet nëntokësor

Prishtina

Kalabria dhe Sofalia me trafo të reja e rrjet nëntokësor

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 11:05
Trafo

Rreth 600 mijë euro do të investojë KEDS në lagjen Sofali dhe Kalabri të Prishtinës. Trafo të reja dhe instalim i rrjetit nëntokësor të shpërndarjes së energjisë elektrike janë pjesa kryesore e këtij investimi që gjithsesi ka gëzuar edhe banorët e lagjes.

Koliqi banor i lagjes Kalabria tha se këto investime kanë qenë të nevojshme që disa vite. “Është mbajt një takim me banoret për këto investime. Ne i kemi mirëpritur këto investime, sepse na është thënë se do të ketë përmirësim të theksuar të cilësisë së furnizimit me energji elektrike”, tha Koliqi.

 Ai e vlerëson më së shumti instalimin e rrjetit nëntokësor.

 “Gjithmonë jemi frikësuar që po bije ndonjë tel dhe munden fëmija me prek dhe me pësu, tash është krejt ndryshe”, tha ai.

 KEDS në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë mbajtur takime me banorët e këtyre lagjeve për të diskutuar investimet në fjalë.

  “Në takimin e mbajtur, ku  është prezantuar projekti, ne si banor të kësaj lagjeje kemi kërkuar që investimi të bëhet në atë mënyrë që mos të krijoj rreziqe të reja. Përveç kësaj, ne presim që do të sanohen edhe dëmet e rrugëve që potencialisht mund të bëhen”, tha Koliqi.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha se në lagjen Kalabria përveç tjerash do të zëvendësohen dy trafostacione të vjetra me të reja.

“Ndërsa, në Sofali, do të vendosen 2 trafostacione te reja 10(20)/0.4 kV dhe do të zëvendësohet një trafostacion i vjetër blind me një trafostacion tjetër të ri 10(20)/0.4 kV si dhe do të bëhet rekonstruimi i rrjetit 04,4 kV me shtylla te betonit dhe kanal kabllovik”, tha ai.

 Buzhala tha se këto projekte janë në fillim të procesit si dhe për çdo intervenim është marrë leja nga Komuna e Prishtinës. Ai tha se investime te ngjashme KEDS ka planifikuar edhe në lagjet tjera në Prishtinë.

 Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike KEDS, planifikon që projektet në Kalabri dhe Sofali t’i finalizoj deri në fund të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat