Blakaj tregon se kush mbanë përgjegjësi për zvarritjen e liberalizimit

Politika

Blakaj tregon se kush mbanë përgjegjësi për zvarritjen e liberalizimit

Nga: G.B Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 21:58
Ilustrim

Izolimi i qytetarëve të Kosovës do të vazhdojë ende. Së fundmi komisioneri Johannes Hahn gjatë vizitës në Kosovë tha se viti 2020 mund të përmendet si kohë realiste për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Lidhur me këtë, njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është padrejtësi që Kosova të mos ketë liberalizimin e vizave.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është duke u zvarritur jashtëzakonisht shumë dhe kjo është një padrejtësi madhe që po i bëhet Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përgjegjësinë për zvarritjen e këtij procesi kësaj radhe e ka vetë Bashkimi Evropian, i cili aktualisht po luan politikën e dyfytyrësisë karshi Kosovës”, është shprehur ai.

Image
Sami Blakaj

Blakaj përmend Komisionin dhe Parlamentin Evropian që thonë se janë përmbushur kriteret e kërkuara nga BE, ndërsa në anën tjetër Këshilli i BE-së nuk e fut Kosovën në agjendë të dhjetorit.

“Në njërën anë Komisioni dhe Parlamenti Evropian i thonë PO liberalizimit të vizave për Kosovën, duke deklaruar se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret e kërkuara nga BE, ndërsa në anën tjetër Këshilli i BE-së, as që shpreh gatishmëri për ta futur Kosovën e në agjendën e dhjetorit, duke e anashkaluar edhe një herë vullnetin e kosovarëve për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen”, ka theksuar Blakaj.

Sipas tij, kjo e tregon qasjen jo serioze të BE-së ndaj Kosovës, e që nuk jep sinjale as për vitin e ardhshëm.

“Kjo vërtetë tregon një qasje jo serioze të BE-së ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë nuk jep sinjale shpresëdhënëse as për vitin e ardhshëm, nëse marrim parasysh këtu zgjedhjet e Parlamentit Evropian që pritet të mbahen në majin e 2019-tës si dhe udhëheqjen e Presidencës së radhës në BE që pritet ta kryeson Rumania, e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës”, ka deklaruar Sami Blakaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat