Deputetja e cila e ka ditur që nuk do të ketë viza për Kosovën

Politika

Deputetja e cila e ka ditur që nuk do të ketë viza për Kosovën

Nga: D.RR Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 13:57
Kuvendi i Kosovës

Vizita në Prishtinë e komisionerit të BE-së për zgjerim, Johanes Hahn i dha fund shpresave të qytetarëve të Kosovës për liberalizim vizash brenda këtij viti. Pavarësisht premtimeve të shumta nga figurat politike të qeverisë së Kosovës, askush nuk po merr përgjegjësi për dështimin e heqjes së vizave.

Vendosja e taksës 100% ndaj shtetit serb dhe injorimi i kërkesave të BE-së për të hequr këtë taksë si shenjë revolte nga qeveria e Kosovës, nuk mjafton për ta kompensuar dëmin e pakthyeshëm të faljes prej 8.200 hektarëve tokë Malit të Zi në marrëveshjen e demarkacionit. Kjo marrëveshje ishte kusht për liberalizimin e vizave.

Mirëpo, papërgjegjësia e burrështetasve të Kosovës për disfatat në këtë çështje, është shumë brengosëse për qytetarët e vendit.

Imazhi i krerëve të shtetit, mund të jetë arsye shumë e fortë pse BE-ja nuk vendosi që Kosova të futet në agjendën e këshillit të ministrave, e më shumë!

Lidhur me dështimin e Kosovës për liberalizimin e vizave, kanë folur për “Bota sot” njohës të rrethanave.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK, Valentina Bunjaku Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot” ka folur lidhur me këtë temë, duke thënë se dështimi i liberalizimit të vizave është pritur.

Ajo thotë se për këtë gjë, duhet të dënohet skena politika aktuale në vend.

“Edhe është pritur që këtë vit nuk do të ketë liberalizim të vizave duke ditur se Kosova ende nuk ka përparuar në disa segmente si: Luftimi i korrupsionit, sistemi i drejtësisë, reformat në siguri etj. Fajtor për këtë gjendje më së paku janë qytetarët dhe kësaj radhe po sanksionohen pikërisht ata, e në fakt duhet më së shumti dënuar skena aktuale politike në vend”, ka thënë ajo.

Bunjaku-Rexhepi thotë se Kosova po ecë me hapa mbrapa dhe bën thirrje për dorëheqje të qeverisë aktuale, për t’i hapur rrugë forcave tjera politike.

“Në vend që Kosova të ecë përpara edhe pse me hapa të ngadalshëm, vendi ynë fatkeqësisht po kthehet mbrapa me një ritëm të shpejtë. Si duket qeverinë aktuale dhe sanksionet ndaj saj, BE i ka lënë në dorë qytetarëve të vendit sepse vetëm paralelisht duhet përparuar si shtet karshi BE dhe vendeve te zhvilluara. Kjo skenë aktuale qeverisëse definitivisht duhet dorëhequr dhe të hap rrugë forcave të reja në vend dhe atyre që marrin besimin dërmues në zgjedhjet e ardhshme si i vetmi opsion për tejkalim të kësaj situate të rendë në vend”, ka nënvizuar deputetja e LDK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat