Tendenca për shfuqizimin e Speciales dhe ideja për korrigjim kufijsh, “nokautuan” Kosovën ndërkombëtarisht

Politika

Tendenca për shfuqizimin e Speciales dhe ideja për korrigjim kufijsh, “nokautuan” Kosovën ndërkombëtarisht

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 5 dhjetor 2018 Në ora: 08:09
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Profesor Dr. Binak Maxharraj, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, flet për mos luftimin e korrupsionit në Kosovë, liberalizimin e vizave që mund të shtyhet së paku deri në vitin 2020 dhe Qeverinë e dobët me ministra, për të cilët thotë se përveç gënjeshtrave që serojnë nuk bëjnë asgjë tjetër në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Ai shprehet se, për mos liberalizimin e vizave qeveritarët po e hedhin fajin tek Bashkësia Evropiane.

“Që 10 vite flitet, po mashtrohet por edhe po gënjehet populli për liberalizimin e vizave, bile edhe jepen afate, herë javore, herë mujore, herë në fillim të vitit, herë në fund të vitit, por vizat askund, s’ka viza as që do të këtë edhe për një kohë të gjatë. Premtimi i fundit ishte se liberalizimi i vizave do bëhet deri ne fund të këtij viti. Por u dha lajmi se në seancën e dhjetorit Kosova nuk është në rend dite. Pushtetarëve tanë po u dalin rrenat pas rrenave. Na këputën tu na rrejtë”, thotë Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se Ministrja e Integrimeve do duhej të jepte dorëheqje.

“Bile për këtë u deklarua Ministrja për Integrimet Evropiane, Dhurata Hoxha, e cila u mundua që fajin për këtë t`ia lë Bashkësisë Evropiane,sepse ata na qenkan të këqij, kurse na qenkam të mirë sepse i kemi plotësu 95 nga ato 100 kushtet që kërkohen. Sipas saj nuk"po ekzistuaka një vullnet politike i disa vendeve që na e paskan"inat". Skandaloze, pse të na e paskan neve inat. Ministrja Hoxha, si gjithherë edhe kësaj radhe rrejti bile haptas tu ja lanë fajin Bashkësisë Evropiane. Jo Ministresh nuk i ka fajet BE, por fajet i kemi ne, sepse po ja bëjmë rrafsh vetes së i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Nuk janë plotësuar të gjitha BE këtë po e shohin prej së largu, e nuk po i shohim ne për së afërmi, ose s'po na pëlqen më e thanë të vërtetën. Unë po të tregoi zonja ministre. Nga sot Ministrja e Integrimeve Evropiane do të duhej të dorëhiqej nga posti i saj, e jo t`ia lë fajin Bashkimit Evropian”, potencon profesori.

Pse nuk po luftohet korrupsioni melagoman?

Dr. Maxharraj, thotë se Prokuroria dhe gjyqësia në Kosovë janë të korruptuara dhe të kapura nga mafia politike, andaj edhe i bën pyetje ministres Hoxha.

Image
Binak Maxharraj

“Pse s'po luftohet korrupsioni duke u nisur nga peshqit e mëdhenj, pra nga pushtetarët, të cilët janë të korruptuar deri ne fyt, e askush nuk guxon ti prekë? Pse zonja Hoxha e kemi Prokurorin, Gjyqësinë në këtë gjendje çfarë e kemi të korruptuar, të kapur nga mafia politike? Pse, zonja Hoxha e kemi një mafi politike çfarë e kemi kur merren me afera korruptive, me injorimin edhe të ndërkombëtarëve, sikurse ishte rasti më tentim ç’fuqizimin e Gjykatës Speciale në gjysmë të natës, pra hajnisht, apo siç është rasti kur në pikë të ditës vidhen, kidnapohen padrejtësisht qytetaret turq do me forcë deportohen në Turqi, kurse baballarët tanë thonë së nuk e paskan ditë për këtë, duke e dhanë kështu një mesazh të keq në botë?”, pohon ai.

Maxharraj e pyet ministren Hoxha edhe për tokën që Kosova i dhuroi Malit të Zi në këmbim të liberalizimit të vizave, por vizat nuk u hoqën.

“Pse zonja Dhurata Hoxha u desh në mars të këtij viti Kosova t`ia jap Malit të Zi 8200 hektarë tok, si kushte për liberalizimin e vizave, e viza nuk ka. Ka edhe shumë tjera që s'po i përmendni këtu z. Ministresh Hoxha! Ti dhe klasa e jote e korruptuar a jeni në vetëdije se ku po e çoni këtë popull duke e rrejtë për çdo ditë e më tepër. Nëse ju dhe kryepushtetarët tjerë nuk i shihni të gjitha këto BE po i sheh, bile fortë mirë, dhe kështu ne raportet e tyre të gjitha këto ua përmendin për çdo vit , si kujtesë pasi që edhe ata e kanë kuptuar se jeni “harrestar” të mëdhenj”, shton ai.

Kjo klasë punon për pushtet dhe jo për shtet!

Profesori tutje pohon se, pa u larguar nga skena kjo klasë politike e korruptuar nga mafia politike nuk do të bëhet liberalizimi i vizave, dhe kërkon përgjegjësi nga kryeministri dhe kryeparlamentari për këtë që po ndodhë.

“Prandaj, pa u hequr kjo klasë e korruptuar nga pushteti, pa u çlirua kapja e shtetit nga kjo mafi politike, pa ra ne binarë evropian komplet sistemi i drejtësisë nuk do të liberalizohen vizat. Për këtë duhet të japin përgjegjësi të gjithë nga Presidenti që ia qiti faqen e zezë Kosovës në arenën ndërkombëtare, kryeministri Ramush Haradinaj me qeverisjen e tij skandaloze, kryeparlamentari Kadri Veseli i cili e bëri “mish mash” Parlamentin ku askush nuk dinë se kush dhe çka është, nuk dinë së përse janë aty”, potencon ai.

Në fund, profesor Maxharraj pohon se, me këtë gjendje që jemi ndoshta nuk do të liberalizohen vizat as në vitin 2020, megjithatë sipas tij, Kosova duhet të shkoj në zgjedhje parlamentare, duke shpresuar për një qeverisje që punon për shtet.

“Më këtë gjendje që e kemi vizat nuk do të liberalizohen as në vitin 2020 e ndoshta edhe më shumë. Për të ardhë deri te vizat kjo klasë politike e korruptuar komplet duhet të dorëhiqet, ta çliroi shtetin nga kapja dhe zaptimi, të shkohet urgjentisht në zgjedhje të parakohshme me shpresë që do të vijë një Qeverisje e cila punon për shtet e jo për pushtet”, përfundon profesor dr. Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat