Aktakuza “Veterani” shtynë liberalizimin e vizave për këtë vit

Politika

Aktakuza “Veterani” shtynë liberalizimin e vizave për këtë vit

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 14 tetor 2018 Në ora: 08:14
Ilustrim

Çështja e liberalizimit të vizave është bërë pjesë e debateve të ashpra politike ndërmjet pozitës, opozitës dhe Presidentit Hashim Thaçi. Në institucionet e BE-së, ky proces është në procedurë dhe pritet edhe vendimi i Këshillit të Ministrave.

Ndërsa, afate kohore për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës janë dhënë prej kohësh nga krerët e shtetit.

E tani kur ka mbetur dhe faza finale, votimi nga Këshilli i Ministrave nga BE, kanë thënë se Kosova duhet të punojë ende në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka thënë se nuk duhet të jepen deklarata që përcaktojnë afate kohore për liberalizim, pasi nëse ka abuzim apo nuk përmbushen kriteret, regjimi për vizat mund të pezullohet.

Mirëpo, cilat janë gjasat që liberalizmi të mos ndodhe brenda këtij viti dhe çka mund të ndikoj në shtyrjen eventuale?

Deklarohet BE: Sundimi i ligjit më rëndësi vendimtare në kontekstin e liberalizimit të vizave

Image
Komisioni Evropian

është deklaruar për gazetën “Bota sot”, rreth kësaj çështjeje ku kanë thënë se vëmendja e pavarësisë së gjyqësori dhe sundimi i ligjit janë me rëndësi vendimtare në kontekstin e liberalizimit të vizave.

“Komisioni konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, duke përfshirë dy kërkesat e mëparshme: 1. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi dhe 2. Përforcimi i një rekordi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tani është që Parlamenti Evropian dhe Këshilli të miratojnë propozimin e Komisionit për dhënien e udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës. Natyrisht që Komisioni Evropian po vëzhgon edhe sistemin e drejtësisë kusht ky i rëndësishëm për lëvizje të lirë” kanë thënë nga KE.

Komisioni Evropian gjithashtu komentoi edhe rastin e Elez Blakajt, ku shtuan se ky rast duhet të kryhet pa ndërhyrje dhe ndikim politik.

“Komisioni Evropian është i vetëdijshëm për rastin dhe ndjek vëmendjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, të cilat janë me rëndësi vendimtare në kontekstin e liberalizimit të vizave. Hetimet në pritje duhet të kryhen pa ndërhyrjen e ndikimit politik”, kanë përfunduar nga Komisioni Evropian.

Pacolli tregon disa arsye pse këtë vit nuk mund të këtë liberalizim të viza

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, njëherit anëtarë në Komisionin e Punëve të Jashtme ka thënë për gazetën “Bota sot” se shtet anëtare tashmë kanë probleme më fluks të madh refugjatëve dhe nuk janë të interesuara ti hapin probleme vetes me fluksin e refugjatëve nga Kosova.

Image
Fitore Pacolli

“Nuk ka ndonjë datë të saktë nëse do të votohet këtë vit për liberalizimin e vizave në Këshillin e BE. Sido që të jetë situata për Kosovën është shumë e pafavorshme duke marre parasysh që disa shtete në BE tani janë kundër liberalizimit të vizave. Vendimet që shtetet marrin varet shumë nëse ato tani janë të bindura nëse Kosova ka plotësuar kriteret e kërkuara por edhe gjendja e rëndë ekonomike e sociale në vend mund të ndikoj ngase shtetet anëtare tashmë vetëm se kanë probleme të mëdha me fluksin e refugjateve dhe nuk janë të interesuara ti hapin vetes probleme me qytetarë nga Kosova që mund të shkojnë në këto shtete për kushte më të mira. Përveç kësaj janë zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 që do të mbahen në muajin maj si dhe rritja e partive të djathta ekstreme që mund të ndikojnë në vendimet që marrin shtetet” ka përfunduar deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli.

“Deklarimet se do të ndodh shpejtë liberalizimi i vizave e dëmton procesin”

Njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova ka bërë të rëndësishëm prej liberalizimit të vizave, por që deklarimet duke dhënë afate kohore, vetëm sa e dëmtojnë dhe e paragjykojnë procesin.

Image
Sami Blakaj

“Kosova vërtetë ka shënuar hapa të rëndësishëm drejt procesit të liberalizimit të vizave dhe në këtë fazë të procesit është jashtëzakonisht e rëndësishme që udhëheqësit kosovarë të jenë të matur në veprimet e tyre rreth këtij procesi. Deklarimet e autoriteteve kosovare se procesi i liberalizimit të vizave do të ndodhë deri në fund të këtij viti, jo vetëm që nuk e ndihmon procesin por përkundrazi e paragjykon dhe e dëmton atë”, është shprehur ai.

Sipas Blakajt, vendimi final për vizat nuk varet nga institucionet e Kosovës por është në duart e Këshillit të BE-së.

“Vendimi final drejt regjimit pa viza për Kosovën nuk varet nga institucionet kosovare, por as edhe nga vullneti i njëanshëm i ndonjë shteti të fuqishëm brenda BE-së, por ky vendim tashmë është në duart e Këshillit të BE-së, respektivisht në vullnetin e shteteve anëtare që përfaqësojnë së paku 65% të popullsisë së përgjithshme të BE-së”, ka deklaruar Sami Blakaj për gazetën “Bota sot”.

“Liberalizimi i vizave nuk ndodhë këtë vit”

Gjithçka ka nisur rreth 2 javë më parë kur Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj duke folur për një takime me zyrtarë të BE’së tha se opozita doli kundër liberalizimit të vizave gjatë takimit.

 “Opozita sot hapur doli kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është për keqardhje sjellja e përfaqësuesve të disa partive opozitare në takimin me diplomatët e shteteve anëtare (COËEB) që po e vizitojnë Kosovën për herë të parë. Liberalizimi i vizave nënkupton liri udhëtimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe për anëtarët e opozitës. Lajmi i mirë nuk do të vonojë me gjithë agjendat dashakeqëse të një pjese të politikës në Kosovë” kishte shkruar Hoxhaj.

Kjo deklaratë ishte marrë e mirëqenë edhe nga Presidenti Hashim Thaçi i cili e kishte sulmuar po ashtu  opozitën.

Çështja e vonesave të liberalizimit të vizave e cila herë ndërlidhet me zgjedhjet në Bashkimin Evropian e herë me ndërhyrjet në drejtësi në Kosovë, është përmendur edhe kur u përfole dorëheqjen e Abelard Tahirit, kur u raportua se ai ka ofruar dorëheqjen për shkak të “ndërhyrjeve të Kryeministrit” në drejtësi që mund të ndikojë në shtyrjen e liberalizimit deri në vitin 2020.

Një përplasje për çështjen e vizave ka ndodhur edhe ditë më parë kur, Ramush Haradinaj duke iu përgjigjur përfoljeve për shtyrjen e vizave ka thënë se askush në BE deri më “tani nuk ka thënë jo”.

Presidenti Hashim Thaçi dje po ashtu ka përmendur ndërhyrjet e Haradinajt në drejtësi për çështjen e veteranëve duke e ndërlidhur këtë me vizat.

Ndryshe, Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në SHBA muajin që shkoi ka thënë se ka takuar kryeministrin e Holandës, një vend skeptik për vizat, të cilin ka thënë se e ka siguruar se nga Kosova nuk do të shkojnë azilkërkues e as kriminelë.

Haradinaj megjithatë ka thënë se një vend tjetër me të cilin duhet të punohet është edhe Franca e cila po ashtu është një nga vendet që ka rezerva për vizat.

Sido që të jetë, zyrtarë të BE-së të cilët merren me këtë proces si Komisioneri Hahn, raportuesja e Parlamentit për çështjen e vizave Tanja Fajon nuk kanë përmendur publikisht  ndonjë shqetësim që flet për shtyrjen e vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat