Edita Tahiri flet për “fluskën e borës” që nuk po shkrihet

Politika

Edita Tahiri flet për “fluskën e borës” që nuk po shkrihet

Nga: D.RR Më: 12 tetor 2018 Në ora: 19:39
Edita Tahiri

Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në forumet dhe nismat rajonale, do të vazhdojë derisa vendi të mos njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Fusnota, i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.

Edita Tahiri, ish-shefe e ekipit te bisedimeve të Kosovës, në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, thotë për “Bota sot” se, Kosova ka pasur fusnotë edhe para dialogut me Serbinë. Ajo e vlerëson si të dobishme fusnotën aktuale që po e mban mbi supe Kosova, duke theksuar se kjo fusnotë ka mundësuar që Kosova të futet në rrugën e integrimit evropian.

“Sa i takon fusnotës, së pari është me rëndësi të theksohet se Kosova ka pasur fusnotë edhe para Dialogut të Brukselit, dhe ajo ka qenë me përmbajtje " Kosova sipas Rezolutës 1244" dhe kjo fusnotë është përdorur për Kosovën në marrëveshjet ndërkombëtare me institucionet ndërkombëtare. Kjo fusnotë nuk është kritikuar shumë sepse njerëzit ose nuk e kanë ditë ose nuk kanë dashur ta dinë. Fusnota që ka rrjedh nga dialogu i Brukselit është më e favorshme për Kosovën sepse në të përfshihet edhe " Deklarata e pavarësisë e vërtetuar nga Gjykata ndërkombëtare për drejtësi". Pse u desht të ketë fusnotë këtë të gjithë e dimë tashmë, sepse Kosova ende nuk është e njohur nga pesë vende të Bashkimit Evropian, dhe kjo fusnotë ka mundësuar që Kosova të futet në rrugën e integrimit evropian, sepse përmes sajë këto pesë vende mosnjohëse BE-së e kanë përkrahur Kosovën për Marrëveshjen Stabilizim Asocim me BE-në, me fjalë kanë përkrahur integrimin evropian të Kosovës. Ka mjaftuar njëra nga këto vende ta kundërshtoj dhe Kosova do të mbetej e izoluar sot e kësaj dite”, ka thënë Tahiri për “Bota sot”.

Ajo ka marrë shembull Maqedoninë si shtet me fusnotë “FYROM”, e këtë e pret t’i largohet edhe Kosovës në momentin kur shteti ynë njihet edhe nga pesë vendet tjera të BE-së.

“Pra fusnota ka zgjidhur këtë problem, ka nxjerrë Kosovën nga izolimi dhe e ka inkuadruar në rrugën zyrtare të integrimit në Bashkimin Evropian. Në praktikat e marrëdhënieve ndërkombëtare kur shtetet kanë probleme të mosnjohjes nga shtete të caktuar atëherë fusnota përdoret si mekanizëm për të tejkaluar situatat bllokuese. Një shembull është Maqedonia e cila ka pasur fusnotë "FYROM" sepse Greqia nuk ia ka njohur emrin, dhe do ti hiqet fusnota në momentin kur marrëveshja bilatere për çështjen e emrit merr miratimin e Kuvendit të Maqedonisë”, ka potencuar ajo.

Tahiri ka komentuar edhe fjalët e saj për fusnotën që i ka bërë në atë kohë, duke thënë se fusnota do të jetë një “fluskë bore” që do të shkrihet shpejtë. Ajo thekson se këtë e ka thënë për arsye se ajo me të vërtetë do të “shkrihet në momentin kur pesë vendet e BE-së do ta njohin Kosovën.

E për këtë vonesë, ajo ua hedh fajin diplomacisë së Kosovës, pasi sipas saj, ata nuk kanë pasur një strategji të mirëfilltë diplomatike ndaj këtyre pesë vendeve por ende vendeve tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ndërsa pse unë e kam quajtur "fluskë bore" është për arsye se në momentin që na njohin këto pesë vende të BE-së, kjo fusnotë hiqet, pra shkrihet siç e kam thënë unë. Mendoj që për vonesat në heqjen e sajë një pjesë të fajit e ka diplomacia e Kosovës e cila ka qenë e dobët dhe nuk ka arritur sot e kësaj dite ti bind këto pesë vende që ta njohin shtetin e Kosovës. Diplomacia e Kosovës nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë diplomatike ndaj këtyre pesë vendeve por ende vendeve tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ministrat tanë më shumë i kemi parë duke vizituar vendet që na kanë njohur se sa vendet që nuk na kanë njohur. Me një diplomaci më të menqur dhe më strategjike kanë mundur të përdorin mekanizma diplomatik alternativ, për të vizituar këto vende me qëllim për të afirmuar argumentet në favor të njohjes së pavarësisë. Unë kam udhëhequr diplomacinë e Kosovës gjatë dhjetë vjetëve të okupimit të Kosovës, si ministre e jashtme, në atë askush nuk e njihte Kosovën, mirëpo kam arritur ti gjejë rrugët dhe kam shkuar pothuajse në të gjitha vendet perëndimore dhe anë e mbanë botës për të kërkuar përkrahjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lirinë e popullit tonë. Pikërisht, kjo diplomaci pro-aktive e Kosovës bëri që të krijojmë aleanca strategjike me perëndimin, SHBA, NATO, BE, etj...që rezultoi me përkrahje të fuqishme ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë qe e kemi sot”, ka theksuar Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat