Nga miqësia me Milan Radojçiqin e veriut deri te listat e fryra të veteranëve, Thaçi “godet” Haradinajn

Politika

Nga miqësia me Milan Radojçiqin e veriut deri te listat e fryra të veteranëve, Thaçi “godet” Haradinajn

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 9 tetor 2018 Në ora: 08:04
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

“Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij rreth dialogun, pa dialog nuk ka të ardhme atlantike për Kosovën. Tek e fundit që pozitat tona nuk janë të përhershme, kryeministrat dhe presidentet mund të ndërrohen, shkojnë e vinë, gjithsesi mund të ndërrohen ata që nuk korrigjohen”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë filluar “luftën” e tyre.

E tërë “lufta” ka nisur për shkak të “korrigjimit” të kufirit me Serbinë, ide kjo e presidentit, që kryeministri e ka shpallur të “vdekur” duke shprehur ngushëllime.

E ngushëllimet Thaçit nuk i kanë pëlqyer për idenë e tij famoze, andaj ka filluar kërcënimet ndaj kryeministrit.

Gjatë ditës së hënë, kryeministri Ramush Haradinaj ‘shprehi ngushëllime për vdekjen e idesë së ndryshimit të kufijve.

“Ju shprehi ngushëllimet e mija për këtë idenë e kufijve e të ndërrimit të territoreve, se mendoj se ka vdekur, pra iu shprehu të gjithëve, njëkohësisht ose përgëzimet…”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

E pas kësaj, siç duket është acaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili e cilësojë Haradinajn si një populist që ‘ka nevojë të korrigjojë mendimet e veta’.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të hënën ia ktheu një nga një publikisht të gjitha akuzat Ramush Haradinajt. Thaçi i bëri thirrje kryeministrit të jetë më racional dhe i përgjegjshëm kur flet për dialogun. Ia përmendi edhe miqësinë me Milan Radojçiqin e veriut dhe listat e fryra të veteranëve.

“Kërcënim i Thaçit”

Presidenti i shtetit Hashim Thaçi, ka kërcënuar me shkarkim Kryeministrin Ramush Haradinaj, për shkak të qëndrimeve të tij kundër idesë për korrigjim kufijsh me Serbinë.

Thaçi, përmes një konference për media ka kërkuar nga Haradinaj, që të “korrigjojë” siç është shprehur ai, qëndrimin karshi dialogut me Serbinë, në fazën përfundimtare.

“Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij rreth dialogun, pa dialog nuk ka të ardhme atlantike për Kosovën. Tek e fundit që pozitat tona nuk janë të përhershme, kryeministrat dhe presidentet mund të ndërrohen, shkojnë e vinë, gjithsesi mund të ndërrohen ata që nuk korrigjohen”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit, i ka cilësuar të habitshme deklaratat e Kryeministrit Haradinaj, rreth idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë, duke thënë se ai “ose është në humor të mirë ose është komod në karrigen e tij”.

“Unë kam pritur që të jetë më racional karshi deklaratave për dialogun. Një kryeministër serioz nuk flet për luftëra dhe tragjedi, por për reforma. Sido që të jetë ka dështuar të bëjë një gjë të tillë në javët dhe muajt e fundit”, ka vazhduar me kritika, ndaj Haradinajt Presidenti Thaçi.

Thaçi ia kujton Haradinajt miqësinë me Radoiçiqin

Tutje, ai ka thënë se marrëveshja Kosovë- Serbi është e domosdoshme, që përmes saj Kosova të fitojë njohjen reciproke, “të fitojë njohje nga pesë vende të Bashkimit Evropian dhe jam i bindur që një gjë e tillë është më së e duhur që të ndodh”, shtoi Thaçi.

Thaçi ka e përsëritur se nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë pjesëtarë të UÇK-së dhe u bëri thirrje përfaqësuesve politikë mos të përzihen në çështje të drejtësisë.

Kjo ishte vetëm pika e parë e deklaratës hakmarrëse që Thaçi ka përgatitur  për kryeministrin Haradinaj, i cili vazhdimisht thotë se kanë qenë 50-60 mijë veteranë të UÇK-së dhe i cili ka kritikuar ashpër ish-prokurorin Elez Blakaj.

“Keqpërdorimet në listat e veteranëve duhet të hetohen deri në fund. Të gjithë e dimë se nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë veteranë”, tha Thaçi.

Thaçi kishte përgatitur edhe goditjen e fundit për Haradinajn, duke ia përmendur miqësinë që ka me Milan Radojciqin e veriut të Mitrovicës.

Sipas presidentit, kryeministri Haradinaj po e sakrifikon Luginën e Preshevës vetëm për një person, duke aluduar në Milan Radojciqin, që konsiderohet një nga njerëzit më me ndikim në veri.

“Nuk e sakrifikojë luginën për hir të ndonjë  individi në veri”, tha Thaçi para gazetarëve. Përfundimisht Thaçi kërkoi nga Haradinaj që të jetë më i mençur dhe më i shkathët kur është në pyetje dialogu me Serbinë.

Thaçi po punon për rrëzimin e Qeverisë

Analisti politik, Leon Duhanaj thotë se, deklaratat e presidentit Thaçi kundrejt kryeministrit Haradinaj, janë shpërfaqje të problemeve reale në komunikim mes segmenteve institucionale në vend.

Image
Leon Duhanaj

“Presidenti Thaçi, sipas qasjes që ka treguar kohëve të fundit, duket sikur të ketë hipur në një tren pa ndalesë dhe pa kthim. Në këtë rrugëtim, nuk heziton ta shtyj edhe Kosovën, edhe pse rrugëtimi duket të jetë personal i tij. Kishte ca shenja që Kryeministri nuk do ta ndiqte, të paktën jo me dëshirë në ketë udhëtim dhe këtë filloj ta thotë hapur. Tani, Presidenti ndihet i kërcënuar dhe, nuk do të lë gurë pa rrotulluar, ose ta nënshtroj Kryeministrin Haradinaj duke e shtyrë të punoj sipas planeve të tij, ose do të bëj çmos që ta rrëzoj nga qeverisja”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, ndoshta do të jetë kjo e fundit, pra do të mbetët nën kërcënim duke e shfrytëzuar si shenjë për ndikim dhe për ta nënshtruar më lehtë.

Duhanaj thekson se, tani do të shihet se sa ka ndikim Thaçi në këtë shoqëri politike.

“Sa ka ndikim në partitë parlamentare sepse një President agresiv që nuk brengoset për asgjë. Madje edhe ka kurajë t'i kërcënoj qeveritarët si të ishte mbret e jo president i sanksionuar me Kushtetutë. Kjo maskaradë politike, duhet të marrë fund sa më parë! Për këtë duhet të marrin përgjegjësi të gjitha partitë. Kosova ka nevojë për unitet politik dhe një platformë si të dilet nga ky kolaps”, përfundon analisti Leon Duhanaj.

Heritica: Po prishet koalicioni PDK-AAK

Image
Ali Hertica

Kurse, analisti politik Ali Hertica thotë se, tani kanë filluar kundërshtimet seriozë e politike të plasaritjes së koalicionit për të shantazhuar njëri-tjetrin duke mos u nënshtruar rreth planit për korrigjimin e kufijve nga ideja e Thaçit pa platformë politike dhe konceptuale.

“Presidenti Thaçi ka kërcënuar kur ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që t’i përmirësoj deklaratat për korrigjim kufijsh, dhe kjo është serioze kur flet për luftërat dhe tragjeditë. Ai ka nxitur ballafaqim të ashpër me të gjithë, kundërshtimet e hapura me kryeministrin dhe qëndrimet e tij kur është çështja e bisedimeve me Serbinë lidhur me korrigjimin e kufijve, e Haradinaj po e kundërshton, ndërsa sipas Thaçit ai po ndjehet komod e kjo po duket se po vjen deri te prishja e koalicionit PDK-AAK”, thotë Hertica për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, insistimin e përditshëm të Hashim Thaçit për korrigjim të kufirit me Serbinë, Haradinaj po e quan ide të pa logjikshëm dhe të vdekur.

“Kjo sipas Haradinaj duhet për të ngushëlluar presidentin Thaçi, sepse kjo platformë e pakoncept politike nuk do të realizohet ngase tani thuajse i gjithë spektri politik dhe ai qytetar është kundër idesë së Thaçit, për korrigjimin e kufirit me xhelatin i cili bëri gjenocidin më makabër të shekullit në Kosovë. Tani spektri politik obligim kushtetues dhe qytetar që të marrë hapa drejt shpëtimit që mos të vjen deri te kjo ide për degradimin e Republikës së Kosovës”, përfundon Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat