Rreziku i një “pakoje të kompromiseve” për Kosovën në fazën finale të dialogut

Politika

Rreziku i një “pakoje të kompromiseve” për Kosovën në fazën finale të dialogut

Nga: N. Sh Më: 26 shtator 2018 Në ora: 11:06
Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq

Që nga fillimi i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kishte një kornizë në vija të trasha lidhur me ecurinë e efekteve që do të prodhohen e cila nuk i është bërë me dije opinionit, por është një praktikë normale në kuadër të një diplomacie gjithnjë e më të sofistikuar.

Lidhur me këto bisedime, ka shumë skepticizëm si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, por megjithatë disa aspekte teknike që kanë ndikim në përditshmërinë e qytetarit, dhanë efekte të shpejta pavarësisht se kjo dikujt mund t’i duket e parëndësishme.

Dialogu në Bruksel tashmë ka hyrë në fazën finale. Dy presidentët, sikurse ai i Kosovës, ashtu edhe ai i Serbisë që moti kanë filluar me një fushatë të përgatitjes së opinionit me një kompromis i cili do të imponohet.

Politologu Mentor Tahiri thotë se, nëse këtë e vështrojmë nga cilësia analitike atëherë do të duhej menjëherë të trajtonim listën e elementeve të cilat do të mund ta përbënin këtë kompromis.

Image
Mentor Tahiri

Sipas tij, është e qartë se nuk mund të ketë kompromise më shtetësinë e Kosovës, por vetë koncepti “kompromis” na flet se mund të ketë aranzhime të tilla të cilat mund mos të na pëlqejnë.

“Serbia e ka të qartë se më nuk mund të ketë sovranitet shtetëror mbi Kosovën. Por, për politikën e sotme serbe është me shumë vlerë që para opinionit të saj të mos tregohet si humbëse. Posaçërisht për Beogradin zyrtar mbetët e rëndësishme që ai të perceptohet si mbrojtës i interesave të serbëve në Kosovë. Këto aranzhime mund të ndryshojnë shumëçka sa i përket organizimit të brendshëm të Kosovës në kuptimin e ndarjes së brendshme territoriale”, thotë Tahiri për gazetë “Bota sot”.

Sipas tij, loja me Asociacionin që moti e ka të zgjedhur aspektin e saj territorial dhe atë që në momentin kur u definua se cilat do të jenë komunat me shumicë serbe dhe cili do të jetë territori i tyre.

“Më shumë kompetenca ekzekutive do të përcaktonin edhe autoritetin real në këtë territor, në të njëjtën kohë në kuadër të marrëveshjeve për financim apo të ngjashme me karakter ekonomik, Serbia do të tentojë që lidhur me qeverisjen në komunat me shumicë serbe, të ketë një lloj ‘’kondominiumi” ku Serbia do të vazhdonte të jetë akter i gjallë institucional në jetën politike dhe ekonomike në këto komuna”, pohon ai.

Tutje ai shton se, marrëveshjet e sotme ndërshtetërore kanë evoluar në kreativitetin e tyre, Kosova sipas tij, duhet të ketë kujdes të mjaftueshëm që mos bjerë në gracka terminologjike që mund të prodhojë marrëveshja. “Është legjitime dhe e pranueshme që në tekstin e një marrëveshjeje finale me Serbinë, të mos lejohen modalitete të cilat bllokojnë jetën institucionale dhe shtetësinë e Kosovë. Megjithatë duhet pranuar, se është pikëpyetje nëse Kosova ka krijuar një vijë të kuqe në kuptimin e përcaktimit politik, të lejimit të kompromiseve në të ardhmen. Që nga shpallja e pavarësisë, nga Kosova janë kërkuar kompromise mbi kompromiset e dikurshme. Mosekzistimi i një platforme në kuptimin e plotë të fjalës, mund të shfaqet nesër në formë të një befasie të pakëndshme me pakon e kompromiseve që mund të serviren brenda një marrëveshjeje finale”, përfundon Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat