Disa komandantë bënë luftë me armë për t`ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës

Politika

Disa komandantë bënë luftë me armë për t`ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 25 shtator 2018 Në ora: 10:19
Presidenti Ibrahim Rugova dhe kolonel Ahmet Krasniqi

“Ish- Ministri i mbrojtjes së Kosovës Ahmet Krasniqi, ishte ministër i Republikës së Kosovës ani se në këtë Republikë disa komandantë bënë luftë me armë për t'ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës”, ka thënë  Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Në 20 vjetorin e rënies, janë kthyer nga Shqipëria në Kosovë, eshtrat e ish- Ministrit të parë të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi dhe dëshmorit Qazim Jakupi.

E pavarësisht ceremonisë së rivarrimit dhe organizimit institucional të saj, kolonel Ahmet Krasniqit, institucionet nuk po ia njohin gjithë kontributin e tij, përkatësisht postin e ish- Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Në ftesën e qeverisë për ceremoninë e rivarrimit të eshtrave, kolonel Krasniqi u cilësua vetëm si dëshmor i kombit ,por jo edhe ish- Ministër.

Pas reagimeve të shumta, qeveria kërkoi falje për “lëshimin”.

Por, pavarësisht nëse ky veprim i qeverisë ishte lëshim apo u bë qëllimshëm, vepra dhe të bëmat e kolonel Ahmet Krasniqit, nuk mund të zbehen.

Ato me kalimin e viteve, vetëm mund të ndriçohen, ndërsa tendenca për mohimin e kontributit të tij do të minimizohet.

Rrahmani:  Presidenti me bashkëpunëtorë ishin unik dhe pa alternativë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani, ka thënë për “Bota sot”, se është e pakuptueshme, që edhe pas njëzet viteve ende një pjesë e politikës nuk po arrijnë të tejkalojë ndasitë që kanë ekzistuar në të kaluarën.

Image
Imet Rrahmani

“Është për t'u vlerësuar lart iniciativa e grupit të deputetëve për kthimin e eshtrave  në Kosovë të Ministrit të parë të Mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqi. Është e pa kuptueshme se si edhe pas njëzet viteve ende një pjesë e politikës kosovare nuk po arrijnë të tejkalojë ndasitë që kanë ekzistuar në të kaluarën, edhe pse gjithnjë e më shumë po dëshmohet se vizioni dhe projekti i Presidentit Rugova me bashkëpunëtorë në periudhën që kemi kaluar ka qenë dhe mbetet unik dhe pa alternativë”, ka thënë deputeti i LDK-së për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se ndasitë nuk po tejkalohen as në propozimin e emrit të ushtrisë së Kosovës, vetëm pse me këtë emër njiheshin forcat që udhëhiqeshin nga koloneli Krasniqi.

 “Këto ndasi fatkeqësisht nuk kanë mund të tejkalohen as në propozimin e emrit të ushtrisë së Kosovës duke u anashkaluar emrin kushtetues që është Republika e Kosovës, vetëm se ai korrespondon plotësisht me emrin që dikur njiheshin forcat që udhëhiqeshin nga heroi Ahmet Krasniqi me bashkëpunëtorët e kohës!”, ka thënë Rrahmani për “Bota sot”

Për më tepër, ai ka theksuar se vepra e ish- ministrit dhe kolonel Krasniqit  nuk ka mundësi të zbehet dhe se institucioneve të drejtësisë në Kosovë  dhe Shqipëri kanë obligim t`i vendosin kriminelët para ligjit.

“ Por, përkundër kësaj, vepra dhe lavdia e Ministrit të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, nuk ka mundësi të zbehet. Me kalimin e viteve vepra e tij vetëm sa do të ndriçohet edhe më shumë. Institucioneve të drejtësisë në Kosovë  dhe Shqipëri ju mbetet edhe më  tutje obligim të gjejnë kriminelët dhe ti vendosin ata para ligjit!”, ka përfunduar deputeti Rrahmani për “Bota sot”.

Shahu: Askush nuk e ka patur fuqinë, autoritetin, nderimin e respektin si ministri Ahmet Krasniqi

Ata që duan të minimizojnë titujt, meritat dhe bëmat e ministrit të mbrojtjes të Kosovës, sipas ish- gazetari të luftës, Rexhep Shahu, zvogëlojnë veten e tyre dhe  zvogëlojnë Kosovën.

Image
Rexhep Shahu

“Ata që duan të minimizojnë titujt, meritat dhe bëmat e ministrit të mbrojtjes të Kosovës zvogëlojnë veten e tyre, zvogëlojnë Kosovën, qëndresën e saj, institucionet e saj, duan ta lënë Kosovën në suaza fisesh, krahinash, rajonesh. Askush nuk e ka patur fuqinë, autoritetin, nderimin e respektin si ministri Ahmet Krasniqi e figura të tilla si Sali Çekaj. Autoritet kishin njerëzit autoritare, njerëzit që kishin spikatur në jetën e tyre me bëmat e veprimet e tyre dhe nuk mund te kishin autoritet moral publik anonimet sado të trimëronin me mua kafeneve të Kukësit, Hasit e Tropojës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”. 

Po ashtu, ai ka rrëfyer edhe historinë  e ndodhur në spitalin e Tropojës  gjatë qershorit 1998, me një ushtar të plagosur të UÇK-së.

 “Minimizuesve e zvogëluesve të përmasave të ministrit Krasniqi po ju kujtoj një histori e ndodhur në spitalin e Tropojës me 4 ose 5 qershor 1998. Unë nuk i kam më të dëgjuara historitë e mia të luftës, por kam qenë dëshmitar në vendngjarje. Isha gazetar me mikrofon në dorë në spitalin e Bajram Currit. Atë ditë udhës për Tropoje ishin lindë 4 bebe të reja në kushte të rënda, por nënat ishin gjallë e bebet ishin gjallë. Njërin bebe e pagëzuan Çlirim. Por, po ju tregoj diçka tjetër. Një ushtari të UÇK po i pritej këmba, nuk kishte shërim prej një gangrene, por ai nuk e dinte se çfarë do ta gjente. Si je, e pyes? Paj mirë jam bre Rexh veç po me vonojnë këta të spitalit. Pse po të vonojnë, çfarë halli ke, e pyes unë. Paj me u kthye burrë, me u kthye në luftë, me shkue në luftë të shokët. Shërohu njëherë, se ke kohë për lufte, do të jetë luftë e gjatë, i them unë. E gjatë e shkurt, na ka gjetë kjo luftë Rexh e na duhet me e ba këtë luftë, nuk ka kohë për Kosovën ma. Shihja lëvizjet e mjekeve e infermiereve në atë rrëmujë, në atë presion të jashtëzakonshëm prej pacienteve të ardhur nga Kosova. Por për çudi, që nuk ma beson askush, unë i konsideroja një,  si të ardhurit si vendasit sepse në fakt ata ashtu ishin e ashtu e konsideronin veten e tyre. Ata flisnin me njeri tjetrin sikur ishin ndarë para një muaji e jo para gjysmë shekulli. Me ka je, e pyes, për të hequr mendjen nga ajo që më thanë se i duhet prerë këmba dhe duhet nisë urgjent për Tiranë... Me Kosovën burrë. Po të pyes me çfarë partie je se e di se je me Kosovën. Me Rugovën burrë, tan jena me Rugovën, me LDK. Si me LDK-në paj tanë Kosova është LDK burrë, tanë ushtarët janë me Rugovën e LDK.... “, ka rrëfyer Shahu për “Bota sot”.

Në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ai ka thënë se sot në kohën e pushtetin e komandantëve le të bëjnë çfarë të duan, pasi që Ministri i mbrojtjes së Kosovës Ahmet Krasniqi, ishte ministër i Republikës së Kosovës.

“Mendoj se është e mjaftueshme të tregoj gjendjen në kohën e luftës e sot në kohën e pushtetin e komandantëve le të bëjnë çfarë të duan. Ministri i mbrojtjes se Kosovës Ahmet Krasniqi, ishte ministër i Republikës së Kosovës ani se në këtë Republikë disa komandantë bënë luftë me armë me ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.

Haziri: Është një vrasje e dytë që po i bëhet kolonel Ahmet Krasniqit

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri ka thënë se rivarrimi i eshtrave të kolonel Krasniqit, është një vrasje e dytë që po i bëhet kolonel Krasniqit dhe se është një tentim për të mohuar një pjesë të lavdishme të historisë së Kosovës.

“Është një vrasje e dytë që po i bëhet kolonel Ahmet Krasniqit për faktin se nga institucionet shtetërore nuk po njihet si ish- Ministri i parë i mbrojtjes i Republikës së Kosovës. Ky është po ashtu një tentim për ta mohuar jo vetëm misionin kombëtar dhe meritat për lirinë e Kosovës të kolonel Ahmet Krasniqit, por edhe të një pjesë të lavdishme të historisë së Kosovës”, ka deklaruar Haziri për “Bota Sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se konsiderimi i vetëm si dëshmor është i pakuptimtë, kjo është tendencioze nga ata që po tentojnë ta privatizojnë luftën e popullit të Kosovës.

“Ta konsiderosh vetëm si dëshmor një nga udhëheqësit institucional si ministër i mbrojtjes  dhe komandantin  e forcave ushtarake, kjo është një nonsens, por e kuptueshme dhe tendencioze nga ata që po tentojnë ta privatizojnë luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Andaj, kthimi i eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit dhe rivarrimi i tij në Kosovë, në këtë formë është vetëm një përbuzje dhe mohim ndaj veprës dhe jetës së tij”, ka theksuar Haziri për “Bota sot”.

Image
Skënder Zogaj

Ndërkaq, analisti politik, Skënder Zogaj ka deklaruar për “Bota sot”, se Kosovës iu deshën 20-vjet që të kthehet në atdhe, Kolonelit Ahmet Krasniqi dhe kjo tregon gjymtësinë institucionale të shtetit të Kosovës.

“Kolonelit Ahmet Krasniqi, Ministri i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, dëshmor dhe Hero i Kosovës iu deshën 20-vjet që të kthehet në atdhe, dhe kjo tregon gjymtësinë institucionale të shtetit të Kosovës. Mirëpo, e vërteta vonon por nuk harron, dhe heroi i vërtetë më në fund erdhi në tokën e vendlindjes ashtu siç i ka hije burrave të mëdhenj! “, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka përshëndetur veprimin e Qeverisë së Kosovës për rivarrimi e ish- Ministrit Krasniqi pasi që është bërë në  me ceremonialet më të larta shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat