Prokuroria të hetojë Hashim Thaçin për vrasjet politike

Politika

Prokuroria të hetojë Hashim Thaçin për vrasjet politike

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 24 shtator 2018 Në ora: 07:53
Hashim Thaçi, Gani Geci; foto: Bota sot

Akuza të rënda për vrasje i janë drejtuar presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.

Ishte ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, i cili ka thënë se do të dëshmojë në Gjykatën Speciale, për krimet politike që i ka bërë Hashim Thaçi.

Geci, në ditën e varrosjes së eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit, tha se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me në krye Hashim Thaçin, kishin dhënë urdhrin për vrasjen e tij.

Gani Geci, tutje është shprehur se, Thaçi qëndron pas vrasjes së ish ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit, ish gazetarit të “Bota sot”, Bekim Kastratit, Besim Dajakut e Smajl Hajdarajt.

 “Hashim Thaçi ka qenë urdhër-dhënësi i vrasjes së Ahmet Krasniqit, nuk është me rëndësi kush e ka bërë veprën, urdhrin e ka dhënë Shtabi i Përgjithshëm, në krye me Hashim Thaçin dhe kompaninë e tij. Hashim Thaçi ka dhënë urdhër me vra Gani Gecin, dhe u vra Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku. Hashim Thaçi ka dhënë urdhër me vra Haki Imerin, dhe u vra Haki Imeri, Hashim Thaçi ka dhënë urdhër me e vra Smajl Hajdaraj dhe u vra Smajl Hajdaraj, e tash Hashim Thaçi na organizon ceremoni varrimi. Duke u munduar t’i ikë Gjykatës Speciale, po mundohet që secilin nga viktimat ta bëjë hero, ne kemi qenë hero, nuk ka pas nevojë të na bëjë fare, sepse ne kemi luftuar për Kosovën”, tha ai.

Lidhur me këto akuza gazeta “Bota sot”, i ka shkruar Presidencës së Kosovës, por zyrtarët e këtij institucioni, sikurse edhe herëve tjera duket se nuk e kanë parë të arsyeshme të përgjigjen.

E përgjigje nuk kemi marrë as nga Prokuroria e Kosovës, të cilët i kemi pyetur se a do të hetohen deklaratat e Gani Gecit ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Millaku: Është shumë e domosdoshme që të dalin në dritë vrasjet politike si gjatë luftës ashtu edhe pas lufte

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, thotë se Gani Geci është njohës i mirë i rrethanave të luftës, andaj edhe e ka peshën e vet sa i përket besueshmërisë, gjersa shton se, është e domosdoshme që të dalin në dritë vrasjet politike.

“Unë mendoj se Gani Geci është njohës i mirë i rrethanave të luftës pra ky është një fakt i cili e ka peshën e vet për sa i përket besueshmërisë  së tij si dëshmitar eventual. Megjithatë, mendoj se është koha që më pak të jemi prezent në media dhe më tepër të merremi me veprime konkrete. Këto raste është dashur të gjykohen nga gjykatat e Kosovës por fatkeqësisht po merret një Gjykatë Speciale. Është shumë e domosdoshme që të dalin në dritë vrasjet politike si gjatë luftës ashtu edhe pas lufte. Këtë e bazoj në atë se zoti Geci ka qenë edhe pjesëmarrës i luftës dhe sidomos e rëndësishme është edhe ajo se ekziston edhe motivi që është i rëndësishëm në këto rrethana”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami thotë se, është jo njerëzore dhe jo humane që në Kuvendin e Kosovës t’i bëjnë nderime kolonel Ahmet Krasniqit, njerëzit të cilët janë të dyshuar për eliminimin e tij.

Image
Gazmend Islami

“Pra thjesht është e pamoralshme që Kadri Veseli dhe grupacioni i tij, Hashim Thaçi dhe të tjerët të bëjnë nderime pranë trupit të tij kur janë po të njëjtit që këtë formacion ushtarak të quajtur FARK, e quanin formacion anti luftë, anti vlerë. Çarmatosja e Ahmet Krasniqit një ditë para vrajses së tij, tregon më së miri që vrasja ishte mirë e planifikuar për eliminimin e tij. Por sido që të jetë shumë më e ndershme do të ishte që të hetohen vrasësit sepse trupi i Ahmet Krasniqit pushon i qetë vetëm atëherë se kush dha urdhër dhe kush ishin ekzekutorët e tij. Këtë duhet ta bëjë shteti i Kosovës, sepse shteti i Kosovës, asnjëherë në mënyrë zyrtare nuk ka kërkuar nga organet e Shqipërisë që të zbardhet kjo vrasje”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Megjithatë, nuk ishte i pari Gani Geci që akuzon presidentin për vrasje. Më herët e kanë akuzuar ehe ish anëtarët e SHIK-ut, Naim Miftari dhe Nazim Bllaca.

Abazi: Prokuroria do të duhej të hetonte rolin e Thaçit në të gjitha ngjarjet

Këtë e thotë analisti politik Haki Abazi, i cili shton se, Thaçi do të duhej të paraqitej para drejtësisë pas të gjitha këtyre apostrofimeve, andaj Prokuroria do të duhej të hetonte Thaçin për të gjitha ndodhitë ku është i dyshuar.

Image
Haki Abazi

“Nga të gjitha apostrofimet dhe dëshmitarët Thaçi do të duhej të paraqitej para drejtësisë së Kosovës. Prokuroria do të duhej të hetonte rolin e Thaçit në të gjitha ngjarjet dhe ndodhitë ku është i dyshuar. Gani Geci nuk është njeriu i vetëm, Nazim Bllaca, Naim Miftari, por edhe shumë të tjerë kanë deklaruar për përfshirjen e Thaçit në eliminimin fizik të njerëzve më poste dhe pozicione politike e ushtarake”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Miftari tregon për raportet e tij me Gani Gecin

Ish-anëtari i SHIK-ut dhe UÇK-së, Naim Miftari, nuk beson që presidenti Hashim Thaçi do të përfundoj në Gjykatën Speciale.

“Gani Geci, ka të drejtë që e akuzon Hashim Thaçin për shumë vrasje dhe për rastet kur kanë tentua ta vrasin vet Gecin me shokë. Geci ka të drejt se asnjë njeri me rëndësi nuk ka mujt me u dënu me vdekje, pushkatim apo atentat politik, pa urdhrin dhe miratimin e Hashim Thaçit”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Image
Naim Miftari

Miftari tregon edhe kur kanë dashur me vra Gani Gecin në vitin 1999.

“Në maj të vitit 1999, në Mitrovicë kanë dashur me vra Gani Gecin kur ishte vet i treti i armatosur dhe me emblemën e UÇK-së. Më ka ofruar ndihmë, pasi dëshironim të çajmë një rrethim serb, por duke parë njerëz të dyshimtë dhe duke e ditur se ka probleme me SHP-UÇK, i kam lut se nuk më duhet ndihma, ju thash të largohen nga këtu se kanë armiq për rreth dhe mund të vrasin pas shpinës si përgjegjës epror kryesor thash se nuk dua me  qenë i pabesë, dhe unë nuk e kam lanë fëmijët dhe familjen time në Gjermani e me ardhë me vra shqiptar pas shpinës, madje ushtar tonë. Gjithashtu Gani Gecin edhe njëherë në qershor të vitit 1999 e kam taku afër urës në Mitrovicë. Ne ishim dal me urdhër që të arrestojmë disa civilë që vidhnin duke përdorur uniforma të UÇK-së, çka ishte e patolerueshme edhe pse KFOR-i e kishte kontrollin e qytetit”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai tregon se, me Gecin ka pasur raporte të mira pa marr parasysh se kanë ardhur nga dy rryma të ndryshme.

“Për familjen e Gani Gecit kam pas fjalë të mira nga një daj i babës tim, Imer Berisha që ka qenë si organizues i ushtrimeve ushtarake në Shqipëri dhe familjarisht kanë pat raporte të mira me Shaban Jasharin. I besuar i Ibrahim Rugovës dhe me gjithë vëllezërit ka qenë i kyçur ushtarakisht që nga viti 1991 dhe mik i ngusht i Sali Çekut”, pohon ai.

“Ganiun dhe familjen e tij i kam shokë, kurrë si kom pas armiq. Ka edhe shumë gjëra por kaq, ia lajm kohës ballafaqimit rrymave nacionaliste do të ndodhë kundër rrymës koloboracistëve pro serb të Hashim Thaçit, por nuk beson se do të jetë ballafaqim gjyqësor do të jetë një konflikt tjetër lloj. Parat e paguara vrasësve për vrasjen e komandantëve të luftës kur nuk kanë mundur me i vra me UDB dhe me ushtrinë serbe, vrasësit i kanë paguar me para që i kanë vjedhur nga fondi “Vendlindja Thërret”, por edhe nga parët që i ka dhënë Bujar Bukoshi”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat