Komandanti i FSK-së: Jam intervistuar nga Prokuroria për veteranët, ja çfarë i thashë

Politika

Komandanti i FSK-së: Jam intervistuar nga Prokuroria për veteranët, ja çfarë i thashë

Nga: Arbnore Zhushi Më: 22 shtator 2018 Në ora: 12:37
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrahman Rama

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrahman Rama, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur për zhvillimet e fundit me listat e veteranëve.

Rama, që gjatë luftës ishte Komandant i Zonës Operative të Shalës, ka deklaruar se është i gatshëm kurdo herë të përgjigjet për Zonën ku ai ka vepruar, derisa ka theksuar se tashmë kjo çështje është në duar të drejtësisë.

 “Unë nuk dua të thellohem, unë kam qenë pjesë e këtyre proceseve, atë çka mendoj që e kam menduar e kam thënë para Komisionit. Ky tash është një proces që ka të bëjë me drejtësinë dhe ia lëmë drejtësisë që të merret me këtë çështje”, ka thënë Rama.

Komandanti i FSK-së ka treguar se për këtë çështje është intervistuar nga Prokurori, duke treguar edhe çka i ka thënë atij.

“Unë çka mund të them personalisht bazuar në përgjegjësinë që e kam pas edhe në të atë kohë, unë mund të garantoj për aty çka unë kam bërë dhe natën, ditën, 24 orë jam i gatshëm që të jap qoftë përgjegjësi, qoftë edhe sqarime. Unë e kam thënë mendimin tim në Komisionin qendror dhe unë kam qenë pjesë dhe jam intervistuar nga Prokurori dhe e kam thënë mendimin tim dhe qëndroj prapa asaj. Jap përgjegjësi për aty çka unë kam bërë dhe kam vepruar. Për diçka tjetër nuk mund të flas”, është shprehur ai.

I pyetur se si duhet të zgjidhet problemi me listat e veteranët, Rama ka thënë se kjo është çështje shtetërore dhe institucionet duhet menduar se si të dilet nga kjo, që ai e ka quajtur “kauzë”.

“Ne e bëmë një komision, u morëm më shumë se 5-6 vjet me atë punë dhe në fund, si duket nuk po del mirë. Nuk e di se çka duhet bërë, duhet menduar pasi tash është çështje shtetërore që duhet me dal prej kësaj po e quaj kauze, po e them në atë kuptimin pasi kanë ndodhur shumë debate, shumë llafe koti dhe po bëhet shumë më e madhe se sa që duhet. Mirë, në qoftë se ka elemente që duhet të rishikohet, ia lëmë drejtësisë dhe secili që ka përgjegjësi le ta merr përgjegjësinë. Po absolutisht, me qëllimin më të mirë e ka nisur punën edhe Komisioni që fillimisht të rishikohen ato lista. Tash sipas të gjitha gjasave, na ka dalë edhe më keq. Tash duhet të shikohet cila është forma dhe metoda më e mirë që me dal prej kësaj situate”, ka theksuar për “Bota sot”, komandanti i FSK-së Rrahman Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat