Mirëserdhe Kolonel

Politika

Mirëserdhe Kolonel

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 20 shtator 2018 Në ora: 21:49
Pamje nga kthimi i eshtrave të Kolonel Ahmet Krasniqit

Eshtrat e ish Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi u kthyen në vendlindje. Nga Tirana për në Prishtinë, trupi i kolonel Krasniqit u përcoll me homazhe dhe nderime të larta, ashtu siç nderohet eprori i një shteti.

Homazhe do të bëhen edhe të premten në hollin e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë institucionale.

Pikërisht në mënyrën se si koloneli kishte luftuar për çlirimin e Kosovës.

Kjo ngjarje ngjallë ndjenja krenarie për secilin që e do vendin dhe e di nëpër çka ka kaluar derisa ka ardhur këtu ku është sot.

Mirëpo, nuk mungon as dhimbja e madhe, për faktin se koloneli u vra pas shpine, mu në mes të Tiranës më 21 shtator të vitit 1998.

Vrasja e ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi nuk është zbardhur tash e 20 vite.  Kjo vrasje, përbën një nga vrasjet më enigmatike të kohës së luftës.

Nga institucionet e drejtësisë në Prishtinë e Tiranë, nuk ka pasur asnjë përpjekje për zbardhjen e krimit makabër.

Dosja për vrasjen e Kolonel Krasniqit është mbuluar nga pluhuri, diku në sirtarët e arkivave të organeve të drejtësisë në Shqipëri.

E për këtë ngjarje, nuk mund të mos jenë në dijeni ata që e luftuan vijën institucionale dhe vet kolonelin si bartës i saj, bashkë me Presidentin historik Ibrahim Rugova.

Asnjëherë nuk u kërkua zyrtarisht zbardhja e vrasjes së Kolonelit.

Institucionet e Kosovës, për të zbardhur vrasjen e Ahmet Krasniqit, do të duhej që në mënyrë institucionale të kërkonin nga shteti shqiptar që të hapen dosjet e asaj nate kur ndodhi krimi.

Për ironi të fatit, sot pikërisht ata që e luftuan kolonelin dhe ata që mund ta kenë vrarë kolonelin, do t`i bëjnë homazhe dhe do të derdhin “lot krokodili” për të.

Ashtu siç bëjnë homazhe të përvitshme pran varrit të Presidentit Rugova, njëjtë do ta “nderojnë” edhe kolonel Krasniqin.

Hipokrizia e tyre ka lëshuar rrënjë në shtetin për të cilin luftuan Rugova, Krasniqi e shumë të tjerë. A ka kush që e ndalë këtë hipokrizi?. Si mundet që vrasësi ta nderoj të viktimën?.

Skeptikët mund të kenë dyshime se sjellja e eshtrave të kolonel Krasniqit në vendlindje, mund të “heshtë” rastin e vrasjes barbare të tij. Megjithatë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, kur kemi parasysh hetimet e Gjykatës Speciale.

Kjo gjykatë, do të hetojë edhe vrasjet e kundërshtarëve politik dhe hetimet do të përfshijnë pikërisht vitin kur kolonel Krasniqi u vra pabesisht në Tiranë.

Gjykata Speciale, ka mbetur e vetmja shpresë që të zbardhen rastet e vrasjeve të figurave të shquara ushtarake e institucionale, gjatë luftës në Kosovë.

Andaj, askush nuk duhet të frikësohet nga heshtja e mundshme e këtij rasti, por secili duhet të besoj në drejtësinë ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat