Elez Blakaj ka të drejtë

Politika

Elez Blakaj ka të drejtë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 19 shtator 2018 Në ora: 10:14
Ja emrat e 12 personave për manipulimet me listat e veteranëve: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbi Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhja dhe Xhavit Jashari

Prokuroria u detyrua të veprojë pas presionit të SHBA, qytetarëve dhe medieve, më në fund publikoi listën e veteranëve të rrejshëm, të cilët e kanë dëmtuar buxhetin e shteti për miliona euro. Prokuroria Speciale ka nxjerr 20 mijë emra nga lista e veteranëve, e për të cilët theksohet se janë veteranë mashtrues. Ndaj tyre ata edhe kanë nisur një hetim të gjerë.  Pse u desh vetëm një presion i madh që prokuroria të lëviz, derisa qysh në fillim është ditur se në procesin e veteranëve ka gisht edhe politika, e cila ka ndikuar që ky proces të degradoj deri në pabesi. Sigurisht se në një shtet të kapur gjërat lëvizin vetëm kur në të inkorporohen shumë faktor, si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Dhe në një shtet të drejt mjafton të punosh pastër dhe ndershëm, dhe do të kesh armiq të pafund, siç po i ndodh prokurorit Elez Blakaj. Disa figurave të larta të politikës u dogji aq shumë që u doli emri veteran mashtrues, sa shkuan aq larg duke kërcënuar prokurorin, tashëm të dorëhequr nga ky proces. Mjafton të lexosh për këto kërcënime për të kuptuar se në çfarë halli ka qenë z. Blakaj, dhe me çfarë njerëz ka pasur të bëjë. Kjo të bën të kuptosh që duke filluar nga hajnat e pulave e deri tek mafiozët dhe profiterët janë bërë veteranë.

E gjithë kjo tollovi s`do të ishte bërë pa mbështetjen dhe përkrahjen e politikës, konkretisht e partive të dala nga lufta, e që fatkeqësisht  janë në pushtet. Konkretisht njerëz të PDK dhe AAK, janë profiterët më të mëdhenj nga e gjithë kjo odise. Ka ndodhur në shumë raste të ndryshme që ata që luftuan e katandisën në paqe, por askund nuk di të ketë ndodhur që të katandisin edhe paqen edhe luftën. Sot nuk ndihet krenar asnjë nga luftëtarët e vërtetë kur sheh se trajtohet njëjtë me një bandit, hajn e servil. Në çdo shtet të botës kompenzohen materialisht ata që kanë luftuar për atdhe, derisa tek ne është katandisur e gjithë  kjo histori. Mbase, është e udhës që shteti mos të jep para për askënd. Me të gjithë ato para të investohet për tu hapur ndonjë fabrikë, ku të punësohen ata që ishin në luftë dhe që kanë ende aftësi për punë. Nëse ata nuk janë të aftë për punë, le të punësojnë ndonjë të afërt të tyre. Nëse kanë luftuar hakikat për shtet, besoj se ky edhe ka qenë qëllimi i tyre, një Kosovë të pavarur dhe të prosperuar. Siç është ajo shprehja “Njeriun ta mësosh s’i zihet peshku, jo t’ia zësh peshkun”.

Për t'u rikthyer përsëri tek personat që akuzohen nga prokuroria si përgjegjës për dallaverët që janë bërë, me figura të larta politike, duke përfshirë edhe ish kryeministrin Çeku, si dhe ministrin aktual të FKS-së. Një ministër me aktakuzë nuk guxon assesi të mbetet ende në detyrë, pavarësisht cili do të jetë përfundimi i saj. Por në qeverinë Haradinaj nuk mund të ndodh një gjë e tillë, pasi mentaliteti qeverisës i kësaj qeveri është për të vjedhur dhe gllabëruar çdo gjë. Kosova duhet të ketë Elez Blakaj edhe në politikë, që duhet të shërbejnë si model i një shteti të drejtë. Derisa z. Blakajt po i bien në qafë të gjithë ata që ua prishi strofullen, Kosova nuk duhet të lë fatin e saj në duart e personave të tillë. Koka e të keqes qëndron tek liderët e partive në pushtet, të cilët kanë instaluar krimin, hajninë dhe mashtrimin si dukuri normale. Si duket koha e tyre po përfundon, andaj Kosova ka dhe do të ketë shumë Elez Blakaj, që i thonë mjaft mashtrimit dhe gënjeshtrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat