Koalicioni LDK-VV, shpresa e fundit për qytetarët

Politika

Koalicioni LDK-VV, shpresa e fundit për qytetarët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 shtator 2018 Në ora: 21:18
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Sondazhi i fundit i publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përveç që ka treguar partitë të cilat do t’i dëshironin qytetarët në qeverisje, ka publikuar edhe preferencat e qytetarëve për koalicionet qeverisëse.

Një koalicion LDK- Vetëvendosje është i mirëpritur nga qytetarët, sipas këtij sondazhi, ndërkaq analistët politikë për “Bota sot”, kanë thënë se këto dy parti që nga tani duhet të kenë një platformë të përbashkët qeverisës, sepse kjo është nevojë dhe kërkesë e qytetarëve.

Koalicion të mundshëm nuk përjashtojnë të dyja partitë opozitare edhe përkundër programeve të ndryshme që posedojnë.

Qëndrimi për bisedimet në fazën e fundit me Serbinë i ka bashkuar partitë opozitare, madje në rast të rrëzimit të qeverisë nuk përjashtohet as koalicion i mundshëm në mes tyre.

Image
Ramiz Kelmendi

Kelmendi: Në të dy taborët ka njerëz që dëshirojnë të bashkëpunojnë

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se kur duhet të rrëzohet apo të largohet një qeveri jo funksionale, atëherë tentohet përafrimi i liderëve në këtë rast liderit të saj dhe të Vetëvendosjes.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë për “Bota sot”, se ai i mbështetë të gjithë njerëzit që tentojnë t’i përafrojnë qëndrimet e LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Idetë për përafrimin e LDK-së me Vetëvendosjen, sipas Kelmendit, vijnë si pasojë e bashkimit të forcës për ta rrëzuar apo për ta larguar qeverinë jo funksionale.

“Gjithmonë kur nevojitet që të bashkohen forcat për të rrëzuar, apo për të larguar një qeveri jo funksionale atëherë lindin ide nga shumë deputetë, njerëz aktivë të partive politike, në këtë rast LDK- VV, të cilët tentojnë t’i përafrojnë liderët në mënyrë që rezultati të jetë në funksionalitet të shtetit. Pra, në të dy taborët ka njerëz që dëshirojnë të bashkëpunojnë dhe unë i mbështesë të gjithë ata që tentojnë t’i përafrojnë këto dy parti në mënyrë që të vjen deri te ndryshimi qeveritar”, ka thënë Kelmendi.

Me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, koalicioni fitues (PDK- AAK- NISMA) nuk i kishte votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë dhe kjo mungesë e votave i kishte hapur rrugën LDK-së e cila aso kohe ishte në koalicion me AKR-në dhe Alternativën, që të bisedonin me Lëvizjen Vetëvendosje për të gjetur një marrëveshje për formimin e qeverisë.

Mos përputhja e qëndrimeve LDK- VV, kishte bërë që AKR-ja të dalë nga koalicioni i LDK-së për t’iu bashkuar koalicionit PAN në mënyrë të formimit të institucioneve të reja.

Duke qenë të dyja partitë në opozitë tashmë LDK dhe VV, kanë përafruar qëndrimet e tyre në disa çështje, këtë e pohon deputeti i Vetëvendosjes për “Bota sot”.

Image
Ismail Kurteshi

Kurteshi: Jemi për zgjedhje të reja sa më shumë shpejt që të jetë e mundur

Ismail Kurteshi deputet nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë për “Bota sot”, se me Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë programe të ndryshme, por disa çështje kanë afruar qëndrimet e tyre.

Deklaratat e presidentit Thaçi, veprimet e tij dhe heqja e vijave të kuqe me Serbinë, sipas Kurteshit, janë disa çështje që kanë afruar Vetëvendosjen me LDK-në.

“Ne me këto subjekte të ndryshme, me programe të ndryshme dallojmë shumë njëra prej tjetrës të them kështu, mirëpo për disa çështje na kanë afruar qëndrimet tona të përbashkëta në lidhje me deklaratat e fundit dhe veprimet e fundit të presidentit të Kosovës në lidhje me dialogun me Serbinë dhe heqja e vijave të kuqe, pastaj gatishmëria e tij të flet për territoret janë çështjet që na kanë afruar. Natyrisht, të dyja parti jemi në opozitë, ka shumë çështje që na lidhin natyrshëm, por sa i përket një planit është çështje që ne nuk e kemi diskutuar”, ka pohuar Kurteshi.

Partitë opozitare vazhdimisht kanë shprehur gatishmëri për rrëzimin e qeverisë aktuale, pasi sipas tyre, ajo nuk e ka shumicën në kuvend dhe nuk qeverisë si duhet me vendin.

Zgjedhjet e reja dhe ndryshimi i qeverisjes aktuale, është një pikë tjetër e përbashkët në mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, sipas Kurteshit.

“Edhe një çështje që na lidhë është që dy subjektet jemi të interesuar që bashkë edhe me subjektet tjera opozitare që ta ndryshojmë qeverisjen në vend përmes zgjedhjeve, domethënë jemi për zgjedhje të reja sa më shumë shpejt që të jetë e mundur”, ka theksuar Kurteshi.

Javën e kaluar KDI ka publikuar rezultatet e sondazhit të tyre në rast se zgjedhjet mbahen tani.

Sipas këtij sondazhi, LDK do të fitonte 23.8 për qind, PDK do të merrte 18.4 për qind, ndërkaq VV do të fitonte 17.6 për qind.

Sipas rezultatit, 27 për qind e votuesve të LDK-së kanë preferuar që partia e tyre të jetë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërkaq 60 për qind e tyre janë shprehur kundër koalicionit me PSD-në.

Një koalicion LDK- VV është duke e mirëpritur analisti politik Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet

Mehmeti ka thënë se të dyja partitë politike duhet që tani ta kenë një platformë të përbashkët qeverisëse,  sepse sipas tij, është nevojë dhe kërkesë e qytetarëve.

Sipas Mehmetit, qytetarët janë duke folur dhe LDK- VV, duhet t’i dëgjojnë.

“Një koalicion mes LDK dhe VV qysh tani në opozitë me një platformë të përbashkët qeverisëse, është nevojë dhe kërkesë e qytetarëve, që duhet të respektohet nga këto dy parti politike. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, injorimi i kërkesës së qytetarëve për ndryshim do të jetë ndëshkimi me votë. Qytetarët po flasin, LDK dhe VV duhet t’i dëgjojnë, pasi qytetarët shohin shpresën për ndryshim tek ato në një koalicion të përbashkët qeverisës, dhe për më tepër të qeverisin ndryshe nga PDK-ja”, ka thënë Mehmeti.

Por, një koalicion të mundshëm në mes dy partive opozitare nuk e beson analisti Blerim Burjani.

Burjani ka thënë për “Bota sot”, se mund të ketë përpjekje, por gjasat për një koalicion në mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk ka gjasa minimale.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Nuk do të ketë koalicion LDK-VV

Qëndrimet e ndryshme politike, struktura dhe vendimmarrja, janë disa prej pikave që sipas Burjanit, nuk përshtaten të dyja partitë.

“Nuk besoj fare se do të ketë koalicion në mes tyre, nuk ka gjasa as minimale duke pasur parasysh qëndrimet teke dhe të papërvojë të VV. Mund të ketë përpjekje të kota, por nuk besoj  në asnjë variant që VV do të pajtohet me ndokënd për koalicion. Qëndrimet e këtij grup të njerëzve si të Vetëvendosjes, nuk kanë qëndrime politike të strukturuara, e as vendimmarrje efikase. Pra, nuk ka gjasa fare të ndodhë në këtë drejtim ndonjë koalicion parazgjedhor, deri më tani nuk ka pasur marrëveshje për shumë gjëra elementare e lërë më për të bërë koalicion para zgjedhor. Për këtë arsye Vetëvendosja është duke shkuar teposhtë shumë me elektorat, ajo nuk ka fuqinë që dikur e kishte në Prishtinë, por njëjtë i ka punët edhe në komunat tjera, pra VV është vetëm një grupacion i njerëzve që kritikojnë, por nuk kanë asgjë tjetër përveç kritikës”, ka përfunduar Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat