Aventura e dytë e pushtetit për formimin e FAK-ut

Politika

Aventura e dytë e pushtetit për formimin e FAK-ut

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 shtator 2018 Në ora: 08:15
Pjesëtarë të FSK-së

“Kam frikë se do jetë aventura e dytë që tentohet që transformimi i FSK-së në ushtri të bëhet me një pako ligjore, ku nuk i ndryshohet emri, e ku komandanti suprem i kësaj force- presidenti i vendit deklaron që nuk ka informacione dhe më vonë e zbutë qëndrimin duke shkaktuar kështu konfuzion në opinion dhe të miqtë tanë strategjik”, ka theksuar deputeti i LDK-së.

Qeveria e Kosovës ka votuar të enjten projektligjin për FSK-në, duke e proceduar tutje në Kuvendin e Kosovës.

Me asnjë abstenim e asnjë votë kundër, kabineti qeveritar ka votuar këtë projektligj, pas arsyetimeve edhe të ministrit të FSK-së, Rrustem Berisha.

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj tha se ky është veprim ligjor që i takon Qeverisë.

Ndërsa, kundër këtij vendimi doli presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili e ka quajtur si vendim të gabuar në këtë kohë, pasi sipas tij tash nuk është momenti i duhur që të bëhet ky procedim.

Presidenti me reagime kundërthënëse

Presidenti Thaçi ka thënë se duhet të lëvizet në krijimin e ushtrisë, mirëpo vetëm përmes një procesi plotësisht të koordinuar me ShBA-të dhe me NATO-në.

“Një veprim i anshëm çon në izolim, një veprim i koordinuar i hap rrugë të sigurt zhvillimit, forcimit, lëvizjes së stabilitetit për paqe, dhe pastaj edhe në NATO. A kemi të drejt, kemi të drejt, a duhet të lëvizim, duhet të lëvizim, por një proces plotësisht të koordinuar me ShBA-të dhe NATO-në. Çdo lëvizje tjetër mund të jetë vetëm ngatërresa dhe mund të sjell pështjellime politike të panevojshme, por edhe implikime negative ndërkombëtare në raport me të ardhmen e ushtrisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Ndërsa, disa orë më vonë, presidenti ndryshoi qëndrim, ku përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, e mbështeti vendimin e Qeverisë për FSK-në.

“Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim. Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi. Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën”, shkroi presidenti.

Aventura e dytë që tentohet që transformimi i FSK-së?

Lidhur me vendimin e Qeverisë për FSK dhe qëndrimet e presidentit për këtë vendim, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se LDK mbështet transformimin e FSK-së në ushtri me ndryshime kushtetuese.

Image
Naser Rugova

“Është qëndrim i njohur tani i LDK-së se transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës duhet të bëhet me ndryshim të Kushtetutës. Forcat e armatosura të një shteti janë kategori e veçantë kushtetuese. Ky veprim i qeverisë pa dakordim të plotë mes institucioneve dhe partnerëve tanë strategjik”, është shprehur ai.

Rugova thotë se kjo mund të jetë aventura e tyre që tentohet të transformohet FSK në ushtri me pako ligjore, derisa thotë se presidenti me deklaratat e tij ka shkaktuar konfuzion.

“Kam frikë se do jetë aventura e dytë që tentohet që transformimi i FSK-së në ushtri të bëhet me një pako ligjore, ku nuk i ndryshohet emri, e ku komandanti suprem i kësaj force- presidenti i vendit deklaron që nuk ka informacione dhe më vonë e zbutë qëndrimin duke shkaktuar kështu konfuzion në opinion dhe të miqtë tanë strategjik”, ka theksuar deputeti i LDK-së.

Ai ka shtuar se, LDK do të bëjë çmos që ushtria të formohet sipas standardeve të NATO-s.

“Ushtria e një shteti sovran është kategori kushtetuese dhe LDK-ja do bëjë çmos që FSK të jetë ushtri e shtetit të Kosovës sipas standardeve të NATO-s”, ka deklaruar Naser Rugova për gazetën “Bota sot”.

Nitaj: Votimi i ligjit lajm i mirë

Ndërsa, deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se votimi dhe procedimi për në Kuvend i ligjit për FSK-në nga Qeveria është lajm shumë i mirë për vendin dhe se AAK do të votojë pro këtij ligji.

Image
Muharrem Nitaj

“Votimi dhe procedimi i ligjit për FSK-në nga ana e Qeverisë, është një lajm shumë i mirë për Kosovën. Në fakt është realizimi i një të drejte që buron edhe nga Plani i Presidentit Ahtisaari. Vlerësoj se duhet përgëzuar Qeveria dhe Kryeministri Haradinaj për punën e shkëlqyer që kanë bërë për këtë ligj. Natyrisht se vota e AAK-së do të jetë unike pro këtij ligji”, është shprehur Nitaj.

Ai ka komentuar dhe deklaratën kundër të presidentit Thaçi për këtë vendim, për çka Nitaj thotë se nuk e ka parë si kundërshtim, por që ka folur për nismën e tij për ushtrinë para një viti.

“Sa i përket qëndrimit të presidentit Thaçi, unë e kam lexuar ndryshe atë. Nuk pashë që ai është deklaruar kundër këtij ligji, por ka folur për nismën e tij të para një viti, e cila, sipas tij, qenka bërë në një moment më të përshtatshëm”, ka vlerësuar deputeti Muharrem Nitaj për “Bota sot”.

Vendimi i qeverisë për FSK-në është përkrahur edhe nga PDK, ku nënkryetari i kësaj partie ka thënë se partia e tij e mbështet projektligjin për themelimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Përkrahje vendimi ka marrë edhe nga PSD, ku deputeti i kësaj partie, Frashër Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kundërshtimi i Thaçit po bëhet nga nevoja për të qenë vetë në qendër të vendimmarrjes.

“Nevoja për të qenë vetë në qendër të vendimmarrjes e bëri Thaçin të dalë kundër shndërrimit të FSK-së në ushtri. Ani pse miratimi i këtij ligji është veprim shumë i drejtë dhe i nevojshëm për Kosovën”, ka shkruar ai.

Kundër transformimit të FSK-së në ushtri është Lista Serbe, e cila ka thënë se nuk do ta mbështesë formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Kajtazi: Ushtria e Kosovës duhet të formohet në bashkëpunim me NATO-n

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se duhet të mbështetet formimi i ushtrisë, por qeverisja duhet të analzizojë përfitimet nga veprimit në kohë të caktuar.

Image
Fadil Kajtazi

“Është absurditet të mos mbështetet formimi i ushtrisë, kur dihet se ajo konsiderohet si njëri nga atributet e shtetit, por diskursi i funksionimit të shtetit duhet t’i përmbahet një rregulli ekonomik cost-benifit. Është shumë e rëndësishme që shteti, ose ata që qeverisin të analizojnë me mprehtësi se çfarë fitojnë nga veprimi ose mosveprimi në situata të caktuara, qofshin ato të brendshme apo në raportet ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Sipas Kajtazit, në këtë rast krijimi i ushtrisë nuk është imediat pasi siguria e Kosovës nuk rrezikohet nga Serbia.

Ai thotë se ushtria e Kosovës duhet të formohet në bashkëpunim me NATO-n.

“Ushtria e Kosovës është faktor i sigurisë nacionale vetëm nëse ajo formohet në bashkëpunim me organizatën më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-n dhe çdo veprim pa këtë organizatë, peshoren cost-benifit, do ta anonte nga humbja”, ka vlerësuar ai.

Kajtazi thotë se, qeveria ka marrë këtë vendim për shkak të mos aftësisë për tu marrë me tema tjera primare.

Sipas tij, tema e ushtrisë u bë me synim që ta turbullojë mendjen e popullatës dhe ta largojë nga problemet tjera.

“Vet mënyra se si është e komponuar qeveria, numri i ministrive dhe zëvendësministrave është një tregues shumë transparent për joseriozitetin që kanë partitë e koalicionit në raport me zhvillimet në vend. Sondazhet e fundit për numrin e të rinjve që planifikojnë ta lëshojnë vendin janë tregues shqetësues për pa perspektivën shoqërore që ka krijuar mënyra e qeverisjes së vendit. Morali i një populli është faktori kryesore në mbrojtje të një shteti, dhe historikisht dihet se shumë shtete kanë pasur ushtri të forta, por morali i popullatës ka qenë i rënë për toke si shkak i qeverisjeve të këqija dhe ato janë shkatërruar. Nuk është e largët historia e bllokut komunist ku armata të tëra u braktisen nga ky faktor. Dhe për fund, paaftësia për tu marrë me tema jetike siç është zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e popullatës, ngritën tema të mëdha siç është edhe kjo e ushtrisë me synim për të turbulluar mendjen e popullatës”, ka përfunduar Fadil Kajtazi për “Bota sot”.

Në anën tjetër, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë se e mbështesin të drejtën që Kosova të ketë ushtri. Mirëpo, Ambasada ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk i kanë konsultuar sa i përket vendimit për miratimin e pakos së projektligjeve për transformimin e FSK-së.

Ndërsa NATO kërkon që transformimi të aprovohet sipas ndryshimeve kushtetuese, duke i përfshirë komunitetet pakicë në procesin e vendimmarrjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat