NATO deklarohet për formimin e ushtrisë: FSK transformohet vetëm në këtë mënyrë

Politika

NATO deklarohet për formimin e ushtrisë: FSK transformohet vetëm në këtë mënyrë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 13 shtator 2018 Në ora: 20:16
Komandanti i KFOR-it në Kosovë Salvatore Gouci

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Gjatë ditës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë se e mbështesin të drejtën që Kosova të ketë ushtri. Mirëpo, Ambasada ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk i kanë konsultuar sa i përket vendimit për miratimin e pakos së projektligjeve për transformimin e FSK-së.

“Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës për të pasur ushtrinë dhe kanë punuar ngushtë me Kosovën se si ta arrijnë këtë. Ne nuk na kanë konsultuar për kohën kur është marrë vendimi dhe ne duhet t’i analizojmë projektligjet për të kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre”, ka deklaruar ambasada amerikane në Prishtinë.

Ndërsa NATO kërkon që transformimi të aprovohet sipas ndryshimeve kushtetuese, duke i përfshirë komunitetet pakicë në procesin e vendimmarrjes.

Këtë e ka pohuar komandanti i KFOR-it në Kosovë Salvatore Gouci, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”.

Ai ka deklaruar se transformimi i FSK-së në forcë të armatosur, i takon institucioneve të Kosovës, derisa ka theksuar se NATO mbështetë zhvillimin e kësaj force brenda mandatit të saj aktual.

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur është një vendim që i takon institucioneve në Kosovë. Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje e institucioneve vendore të Kosovës në përputhje me procedurat e tyre kushtetuese. NATO kërkon që transformimi të aprovohet sipas ndryshimeve kushtetuese, duke i përfshirë komunitetet pakicë në procesin e vendimmarrjes. NATO vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si një force gjithnjë e më profesionale dhe efektive, brenda mandatit të saj aktual”, ka thënë komandanti Gouci.

Ai ka theksuar se edhe në rast të transformimit eventual, do të duhen shumë vite për t’u bërë ushtri.

Sipas tij, kjo mund të bëhet përmes rritjes solide të buxhetit.

“Në rast të ndonjë transformimi eventual, nevojitet një proces i gjatë për të ndryshuar aftësinë e tyre aktuale për t’u bërë ushtri; është diçka që nuk mund të realizohet brenda një dite, ose vetëm duke miratuar një projektligj dhe në çdo rast do të duhet shumë vite për të formuar një ushtri. Ushtria nuk është vetëm një çështje e marrjes së vendimit për transformim, por kjo nënkupton marrjen e pajisjeve dhe aftësimin për t’i mirëmbajtur ato, rekrutimin e më shumë pjesëtarëve, përmirësimin e sistemit të arsimit dhe trajnimit, ndërtimin e infrastrukturës së re dhe kështu me radhë. Thënë shkurt: të bëhesh me ushtri është një proces afatgjatë i cili kërkon një rritje solide të buxhetit”, ka pohuar komandanti i KFOR-it Salvatore Gouci.

Për vendimin e Qeverisë së Kosovës, ka reaguar edhe Lista Serbe në Kosovë, e cila ka ripërsëritur se nuk do ta mbështesë formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Formacioni i vetëm ushtarak legal në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është KFOR-i, i cili në këto hapësira ka ardhur me pajtimin e Republikës së Serbisë, ka thënë Igor Simiq, nënkryetar i Listës serbe.

I pyetur lidhur me kundërshtimet e Listës serbe, komandanti i KFOR-it, ka thënë se përveç çdo pozicioni politik ka shumë hapa që duhen bërë për t’u bërë një ushtri efektive.

“KFOR-i zakonisht nuk merret me politikë, por përveç çdo pozicioni politik ka kaq shumë hapa që duhen bërë për t’u bërë një Ushtri efektive”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat