A u zbulua SHIK-u i LDK-së?

Politika

A u zbulua SHIK-u i LDK-së?

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 13 shtator 2018 Në ora: 07:19
Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani / Foto ilustrim “Bota sot”

Se kishte mosmarrëveshje brenda disa zyrtarëve të LDK-së, kjo dihej që moti, mirëpo nuk dihej se prej nga e kishte burimin kjo çarje dhe se kush po e pengonte partinë më të mëdha opozitare në vend, që të kishte një gjuhë të përbashkët në të gjitha vendimet që i merrnin, për të mirën e qytetarëve të vendit.

Luta i Gjilanit, haptas doli në llojin e një kapadaiu dhe një “bossi” të LDK-së, duke i qortuar deputetët e kësaj partie, respektivisht Vjosa Osmanin dhe Armend Zemaj, si dhe Haxhi Avdylin, dhe iu treguar atyre se çfarë të bëjnë dhe se ku e kanë gabim. Që të gjithë ata janë të zgjedhurit e popullit.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”, kishte shkruar Haziri, duke e shpërfaqur edhe njëherë jokoordinimin e tij me qëndrimet zyrtare të Lidhje Demokratike.

Përderisa LDK-ja është kundër idesë së presidentit Thaçi për korrigjim apo shkëmbime territoresh, Lutfi Haziri i vetëm dhe publikisht, thotë se do ta bashkojë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin me Kosovën, duke dalë kategorikisht kundër qëndrimeve zyrtare të LDK-së, madje duke ofenduar deputetë që duhet marrë shembull pozitiv.

Haziri është duke e parë LDK-në si një pjesë të privatizuar të tij, me Gjilanin që e ka në përkrahje, mirëpo ai duhet t’i llogarisë edhe pasojat që mund t’i ketë pikërisht nga kjo parti, pasi që edhe nënkryetari Agim Veliu e pa si jo të mirë deklaratën e Hazirit.

Ky i fundit duhet të i nënshtrohet një analize nga LDK-ja, për të parë se a ka “ADN të SHIK-ut” brenda të tij që po e dëmtojnë imazhin e LDK-së.

Këto çarje brenda kësaj partie, nuk do të duhej absolutisht të ndodhin në këtë kohë ku uniteti është mbi të gjitha, e gjithashtu edhe mundësia e zgjedhjeve nuk duhet hedhur poshtë. Një revolucion demokrat në LDK, do të ishte shpëtim për këtë parti, para se të jetë vonë.

Kjo për shkak se shihet që në postimin e Hazirit në Facebook, ka deputetë të LDK-së që e pëlqyen atë shkrim dhe disa edhe e ndanë me publikun.

Nëse themi se LDK-në duhet ta marrë në dorë një pasardhës i Rugovës që të mos dalë nga binarët, atëherë nuk mund të jemi të saktë për shkak se vetë bija e Ibrahim Rugovës, Teuta, doli kundër qëndrimeve të LDK-së për të mos marrë pjesë në seancën e thirrur nga pozita për t’u votuar ekipi i ri negociator me Fatmir Limajn në krye.

Si dy shtylla kryesore të LDK-së, Teuta Rugova dhe Lutfi Haziri po e vënë në dyshim të ardhmen e ndritur të LDK-së, pasi një përçarje më e thellë mund të përfundoj si puna e Vetëvendosjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat