Takimi më i rrezikshëm për të ardhmen e Kosovës?

Politika

Takimi më i rrezikshëm për të ardhmen e Kosovës?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 7 shtator 2018 Në ora: 07:58
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

“Shkuarja e Thaçit në Bruksel duhej që më çdo kusht të pamundësohej, sepse gjatë këtij takimi mund të ndodhë edhe ajo më e keqja që Thaçi të nënshkruaj ndonjë marrëveshje për "këmbim territoresh" dhe të na fusë në një rrugë pa kthim që mund ta rrezikojë sovranitetin territorial të Kosovës!”, thotë Faton Kurti për gazetën “Bota sot”.

Takimi i radhës në dialogun e Brukselit, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuqiç, i cili do të mbahet sot (e premte) do të ndërmjetësohet nga Federica Mogherini.

Ky takim që pritet të shënojë një hap të ri në kërkim të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mbahet në një periudhë kur janë ngritur debatet që përfshijnë idetë për ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen e Kosovës.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Millaku: Bashkësia ndërkombëtare të distancohet nga Thaçi

Image
Drita Millaku

Opozita e cilëson takimin e shtatë shtatorit një shou mediatik, ku do të realizohen disa fotografi dhe një bisedë miqsh, asgjë më shumë.

Deputetja e Parlamentit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Drita Millaku thotë se Hashim Thaçi tashmë është bërë edhe i gërditshëm, ndërsa shton se bashkësia ndërkombëtare duhet të distancohet nga ai.

“Takimi i shtatë shtatorit në Bruksel bëhet nga Hashim Thaçi, i cili do të bëjë shou mediatik pasi që ky njeri nuk e ka përkrahjen e popullit e as të Kuvendit. Duhet të kihet parasysh se ky njeri tashme është bërë jo vetëm i rrezikshëm, por edhe i gërditshëm. Unë mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare tanimë duhet të distancohet nga ky njeri i cili pasi që e ka dërmuar autoritetin e presidencës ka lënduar tej mase edhe imazhin e Kosovës në botë, pra duhet urgjentisht të ndalet dhe të izolohet”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Ajo thotë se, Kosova do të qitet në pazar për interesa të Thaçit.

“Në Bruksel, Thaçi e qet në Pazar Kosovën për interesa personale të tij, pra këtij pazari u janë bashkangjitur edhe komandantët tjerë të shantazhuar. Asnjë marrëveshje që arrihet me Serbinë nga ky njeri nuk ka vullnet të implementohet nga Kuvendi dhe populli i Kosovës”, përfundon ajo.

Gecaj: Pa involvimin e opozitës, udhëtimet në Bruksel janë vetëm ekskursione

Image
Bajram Gecaj

Kurse, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj thotë se udhëtimet në Bruksel janë vetëm eskurzione në llogari të taksapaguesve.

“Pos ndonjë fotografie dhe bisede “miqsh”, asgjë tjetër. Pa involvimin e opozitës, udhëtimet në Bruksel janë vetëm ekskursione në llogari të taksapaguesve. Cilado marrëveshje që nënshkruhet do të duhet të aprovohet nga dy të tretat e kuvendarëve, e ato vota Presidenti veç në ëndërr mund ti shoh”, shprehet Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti potencon që, takimi në Bruksel mund të jetë shumë i rrezikshëm për të ardhmen e Kosovës.

Kurti: Në takim mund të ndodhë më e keqja

Image
Faton Kurti

Sipas tij, besimi për Thaçin tashmë ka humbur pas nënshkrimeve të disa marrëveshjeve në dëm të Kosovës.

“Shkuarja e Thaçit në Bruksel duhej që më çdo kusht të pamundësohej, sepse gjatë këtij takimi mund të ndodhë edhe ajo më e keqja që Thaçi të nënshkruaj ndonjë marrëveshje për "këmbim territoresh" dhe të na fusë në një rrugë pa kthim që mund ta rrezikojë sovranitetin territorial të Kosovës! Fakti pse nuk mund të kemi besim në vendimet e Thaçit është tashmë i njohur, sepse e kemi pësuar shumë nga vendimet e gabuara të Thaçit siç ishte nënshkrimi i pamenduar për Demarkacionin me Malin e Zi ku Kosova humbi 8000 hektarë tokë dhe Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe vendim i cili ishte gjithashtu kundër Kushtetutës së Kosovës. Përpos përbetimeve të rrejshme të Thaçit se nuk do të preket territorialiteti i Kosovës ne nuk kemi asnjë lloj garancie në bisedimet me Serbinë. Por a shkohet në të tilla procese me përbetime apo me koncepte të qarta?”, thotë pyet Kurti.

Kundërshtimet e ndërkombëtarëve

Ditë më parë, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë, ndërsa shprehu bindjen se këtë nuk do ta kundërshtojë as Bashkimi Evropian, nëse palët merren vesh.

Kurse, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor, një qëndrim i tillë është shprehur edhe nga Britania e Madhe.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

Çka u tha në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë

Kujtojmë se, gjatë një takimi javën e kaluar në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë Thaçi ka thënë se procesi i dialogut është në finale dhe se Prishtina dhe Beogradi kanë nevojë për ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Vuçiç në anën tjetër ka theksuar se nuk mund të arrihet një marrëveshje finale me Kosovën pa fituar edhe Serbia diçka.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përfshirë në një proces shumë të vështirë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne tani kemi hyrë në fazën përfundimtare të këtij procesi dhe kemi nevojë për mbështetje të plotë nga BE-ja, nga shtetet anëtare të saj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare që të arrihet një marrëveshje potenciale ligjërisht detyruese midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, pa këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia do të bllokojnë njëra-tjetrën në avancimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE dhe rajoni do të vazhdojë të vuajë nga rreziku i jostabilitetit.

“Presim marrëveshjen për kufirin ngase nëse nuk e arrijmë këtë e rrezikojmë të ardhmen evropiane. Andaj, kemi vendosur të eksplorojmë shumë mënyra dhe jemi të gatshëm të arrijmë deri te marrëveshje. Kjo është arsyeja pse ne duam të sigurojmë shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së ose shtetet e tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit”, ka thënë Thaçi.

Kurse, Vuçiç u shpreh se është pro një marrëveshjeje finale me Kosovën, duke shtuar se nuk do të njohin pavarësinë e Kosovës.

“Paqja mes serbëve dhe shqiptarëve është ajo në të cilën po punojmë. Kemi pasur shumë përplasje. Shpresoj dhe them se kjo është dëshira e popullit tonë që të arrijmë te paqja e qëndrueshme. Zgjidhja do të jetë e dhimbshme për të dyja vendet, por kjo do të thotë që në të dyja anët do të ketë sadopak kënaqësi gjithashtu. Pranimi i Pavarësisë së Kosovës dhe mosfitimi i asgjëje nuk do të ndodhë”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat