Ish – pjesëtari i SHIK-ut: Ja lidhjet e “Lekës” me Thaçin, Veselin e Haradinaj, përmend edhe vrasjet e pasluftës dhe Prokurorët me emra!

Politika

Ish – pjesëtari i SHIK-ut: Ja lidhjet e “Lekës” me Thaçin, Veselin e Haradinaj, përmend edhe vrasjet e pasluftës dhe Prokurorët me emra!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 21 gusht 2018 Në ora: 17:37
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Ish eprori i lartë i UÇK-së, G2, TMK-së dhe pjesëtari i Shërbimit informativ të Kosovës (SHIK), Naim Miftari thotë se, akuzat e ish prokurorit të Gjykatës Speciale, Elez Blakaj ndaj mafies juridike në krye me Aleksandër Lumezin e PDK-së janë të arsyeshme edhe pse janë të pakta, kur dihet që ka shumë akuza tjera të cilat nuk i ka cekur akoma.

“Sa i përket dorëheqjes së Aleksandër Lumezit, moralisht ai është dashur me dhënë dorëheqje në momentin që i ka dalë afera në publik, takimi dhe kokorizjet që i ka pasur me PDK-në, në fillim me Adem Grabovcin, pastaj me pronarët tjerë, pra të tjerët e PDK-së. Akuza se është përzier në punë të Prokurorit kur ka qenë puna te marrja në pyetje e Kadri Veselit tregon qartë anshmërinë politike dhe frikën e kryeprokurorit ndaj Kadri Veselit të PDK-së”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Image
Naim Miftari

Miftari pohon se, Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj duhet me u marrë nga Prokuroria në pyetje dhe ka shumë arsye tjera, që sipas tij, për me një gjë të tillë.

“Reagimi i kryeministrit ka qenë si fëmijë, dhe arsyet kinse kundër argumentet e tij me fjalor kafesh e rrugësh nuk i kanë bërë nderë Haradinajt pasi ai po fliste jo për një të ikur gjatë luftës në Bllacë, por për një prokuror të shtetit të Kosovës, dhe mos të harrojmë janë 1 milion e më shumë shqiptarë që kanë ikur disa kohë nga lufta për të shpëtuar nga Serbia, dhe t’i etiketosh si tradhtar e si pishpirika të ikurit para 20 vitesh është mungesë morali, mungesë e dijës dhe nervozizëm i panevojshëm. Pra tregon fajësinë për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së nga Zona e Dukagjinit pa kurrfarë kriteri, duke mos dashur që të ia humbi vlerën e luftëtarëve të tjerë të kësaj Zone”, shprehet ai.

Miftari thotë se Veseli me reagimin e tij është paraqitur me francez sesa francezët, pasi arsyetimi i tij nuk është i qëndrueshëm pasi ai e din shumë mirë se së bashku me dostët e tij se listën e veteranëve e kanë masakruar duke e fryrë për katër fish më shumë.

“Pse është kaq tragjike me u merr në pyetje nga Prokurori i shtetit të Kosovës, Kadri Veseli? A jemi shtet apo jo? Apo ndoshta jemi mësuar dhe kemi dashur të na marrin në pyetje vetëm prokurorët serb që sot si Veseli, si Thaçi e Haradinaj mbahen në pushtet nga Lista serb e cila dirigjohet nga Beogradi. Pra nuk di se kush del tradhtar më shumë! Për më shumë, një histori e njëjtë sikurse prokurorit Elezaj i ka ndodhur edhe hetuesit policor M.M. i cili e kishte intervistuar me hetues ndërkombëtar Kadri Veselin lidhur me krimet e pasluftës dhe sidomos ato të lidhura me grupin e Sabit Gecit, dhe i njëjti hetues shqiptar pastaj ka pas shumë telashe dhe endej nëpër vende të ndryshme të punës, pastaj ishte ndrydhur në fund në parregullsitë dhe keqpërdorimet që i kishte vërejtur i njëjti hetues në Doganën e Kosovës, ku vidheshin milionët për politikanë të korruptuar”, thekson ai.

Ai tutje shton se, gjyqësia dhe prokuroria, hetuesit policor dhe AKI-ja, janë të kapur nga mafia politike e PDK-së.

“Sidomos nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli duke filluar me kryeprokurorin Aleksandër Lumezin dhe sidomos ish prokurorin e Serbisë dikur, e sot kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, Reshat Milaku (lodra e Thaçi), pastaj prokurori Sylë Hoxhaj i cili deklaronte publikisht ku aludonte në vrasje të SHIK-ut se “njerëzit që i vret shteti nuk zbulohen kurrë autorët”, por bëhet pyetja se ku kishim shtet gjatë viteve 1998 – 2004, pastaj cili shtet pos Koresë Veriore vret njerëzit pa gjykim dhe pa verifikim. Pikërisht këta tre kryeprokuror që dy vite resht, mua personalisht më urdhrin e Thaçit dhe Veselit janë duke më maltretuar me thirrje në polici, me bastisje e çka jo tjetër, shkaku pse po i kritikoj dyshen Thaçi  - Veseli. Por interesant është se pse kurrë këta prokuror nuk na ftuan me na tregua se kush na suspendoi nga Policia dhe pse pa të drejtë. Gjithashtu të na tregojnë se kush po fshihet prapa atentateve të rregullta që shumë vite resh nga 2000-2017, duke tentuar të na vrasin mua dhe gjithë familjen. Pse nuk ka asnjë rezultat nga gjuajtja me snajper nga largësia, breshëri armësh me kallashnikov, bombat dhe mjetet eksploduese të shkrepura në shtëpinë time, kurse për kërcënime as të mos flasim pasi gjithmonë kam hasur në heshtje në drejtësinë e Kosovës”, potencon Miftari.

Pastaj, Miftari thotë se prokurori Beqir Kalludra tregon më së miri se prokuroria dhe gjyqësia jo që janë kapur nga mafia politike e korruptuar, por janë edhe lodra teatrale të tyre.

“Një Veting i përgjithshëm dhe neutral në gjyqësi dhe prokurori, në polici dhe AKI është i domosdoshëm për t’u pastruar shteti nga mafia politike e korruptuar që këtij enti shtetëror të studimit të ligjit i shndërruar në lodra të tyre dhe në strofull të korrupsioni, të dorës së zgjatur të hakmarrjes ndaj kundërshtarëve politik dhe gjithë atyre që mendojnë ndryshe”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat