Qeveria Haradinaj e paguximshme, vendit i duhen zgjedhje të parakohshme

Politika

Qeveria Haradinaj e paguximshme, vendit i duhen zgjedhje të parakohshme

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 gusht 2018 Në ora: 10:21
Qeveria PANA-Lista serbe

Problemet e vazhdueshme, me të cilat është duke u përballur Qeveria Haradinaj, po konsiderohen si të mjaftueshme për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Derisa për opozitën zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk kanë qenë kurrë më të nevojshme se tani, për pozitën zgjedhje nuk mund të mbahen çdo vit, sipas tekeve dhe kërkesave të atyre që populli i la në opozitë.

E, politologu i njohur në vend konsideron se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen vetëm gjashtë muaj pasi të kenë përfunduar reformat zgjedhore.

Bajram Gecaj: Zgjedhjet kurrë nuk kanë qenë më të nevojshme se tani

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk kanë qenë kurrë më të nevojshme se tani, pasi që, sipas tij, Qeveria Haradinaj nuk po e qanë kokën fare për problemet e përditshme të qytetarëve.

 “Zgjedhjet e parakohshme kurrë nuk kanë qenë më të nevojshme se tani në Kosovë. Kemi një qeveri të pakicës, totalisht të papërgjegjshme, e cila pos interesave individuale e klanore, nuk qanë kokën fare për problemet e përditshme të qytetarëve të Kosovës”, shprehet Gecaj.

Tutje, Gecaj thotë se kjo qeveri nuk e ka energjinë, moralin, kapacitetin, por as vullnetin të shtyje para asnjë agjendë me interes të përgjithshëm, prandaj, ai thotë se sa më parë që të shkojë aq më mirë.

“Është një qeveri që nuk e ka guximin as të merret, e lerë më të zgjidhe problemet “e mëdha”, në emër të së cilave erdhi në pushtet. Kjo qeveri nuk e energjinë, moralin, kapacitetin, por as vullnetin të shtyjë para asnjë agjendë me interes të përgjithshëm, prandaj sa më parë që të shkojë, aq më mirë për ne, por edhe për ta. Mirë për ne se heqim qafe keqbërësit, e mirë për ta se ndoshta kanë gjasa që ende të mund t’i ikin burgut”, përfundoi zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Vesel Makolli: AKR nuk është kundër zgjedhjeve

Image
Vesel Makolli

Në anën tjetër, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, për gazetën “Bota sot”, thotë se për zgjedhje të jashtëzakonshme tani vendi nuk ka nevojë.

“Çdo qytetar i Kosovës, e sidomos deputetët dhe liderët partiak dhe qeveritarë që janë të zgjedhur nga vota e popullit, duhet ta kenë primare shtetin, e sidomos kur janë në pyetje çështjet jetike për shtetin, atdheu duhet të jetë mbi të gjitha. Duke u nis nga kjo, pa marr parasysh se a je në pozitë apo opozitë, për çështjet jetike të shtetit duhet të kemi koncenzus dhe të jemi unik. Ne para një viti i kemi pasur zgjedhjet dhe mendoj që nuk kemi krizë institucionale, gjegjësisht nuk kemi vakum institucional, andaj për zgjedhje të jashtëzakonshme nuk kemi nevojë”, thotë sekretari i AKR-së.

Makolli tutje thotë se shumica dërmuese e partive politike nuk janë në këto momente të gatshëm për zgjedhje.

“Edhe pas zgjedhjeve eventuale nuk kushte me pas ndryshim radikal në udhëheqjen e vendit, përpos ndonjë rokadë eventuale, por prapë do te kishim të bëjmë me pothuajse të njëjtit lider, të cilëve prapë do të ju nevojitet koncenzusi nacional për çështjet jetike që kanë të bëjnë me shtetin. Po ashtu shumica dërmuese e partive politike nuk janë në këtë moment të gatshëm për zgjedhje, retorika e tyre ka të bëjë më shumë për përfitimin e poenëve politik”, thotë Makolli.

Mirëpo, në fund, ai thotë se AKR në asnjë variant nuk është kundër zgjedhjeve, por, siç thotë ai, nuk mund të mbahen zgjedhje çdo vit, sipas tekeve dhe kërkesave të atyre që populli i la në opozitë.

“Çdo parti është normale që të synojë pushtetin, por jo me çdo kusht, pasi që pushteti fitohet me program të mirë qeverisës dhe normal me votën e sovranit. AKR në asnjë variant nuk është kundër zgjedhjeve, por ne nuk mund të mbajmë zgjedhje çdo vit, sipas tekeve dhe kërkesave të atyre që populli i la në opozitë për këtë mandat 4 vjeçar. Kosovën e presin shumë sfida jetike, andaj nuk kemi kohë për të humbur, por duhet të gjithë të angazhohemi dhe të jemi unik për çështjet jetike shtetërore. Kur jemi te këto çështje dhe jo vetëm te këto, duhet gjithmonë të jemi në gjatësi të njëjtë valore me miqtë tanë ndërkombëtar, me ndihmën e të cilëve ne e shijuam lirinë dhe ndjenjën e të jetuarit në shtet sovran dhe të pavarur”, përfundoi i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, për gazetën “Bota Sot”.

Ramush Tahiri: Zgjedhje pas reformave zgjedhore

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen vetëm pasi të kenë përfunduar reformat zgjedhore.

Ai thotë se reforma zgjedhore në Kosovë asnjëherë nuk është nisur dhe nuk ka përfunduar ashtu si duhet, pasi që Kosova është një zonë zgjedhore që prodhon shumë anomali.

“Zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen gjashtë muaj pasi të ketë përfunduar reforma zgjedhore. Mirëpo, reforma zgjedhore në Kosovë asnjëherë nuk është nisur dhe nuk ka përfunduar ashtu si duhet. E me këtë sistem zgjedhor prodhohet ky rezultat sepse e gjithë Kosova është një zonë zgjedhore dhe një qytetar i voton pesë kandidatë, gjë që është një sistem i përçudnuar që prodhon shumë anomali”.

“Por ky sistem u konvenon liderëve të partive dhe partive me strukturë dhe programe dhe synime jodemokratikë sepse i manipulojnë zgjedhjet dhe i zgjedhin njerëzit e vetë që i kanë besnik dhe të dëgjueshëm dhe gjithashtu për deputetë i zgjedhin kandidatët nga një zonë zgjedhore ku e kanë ndikimin më të madh. Për këtë Kuvendi i Kosovës nuk ka në mënyrë harmonike deputetë nga të gjitha komunat e Kosovës”, thotë Tahiri.

Tutje, politologu shtonë dhe thotë se zgjedhjet e parakohshme mbahen vetëm nëse votohet në Kuvend vendimi për shpërndarje të Kuvendit me dy të tretat e votave ose nëse rrëzohet qeveria.

“Tash zgjedhjet e parakohshme mbahen nëse votohet në Kuvend vendimi për shpërndarje të Kuvendit me dy të tretat e votave. Ose nëse rrëzohet qeveria në mocion votëbesimi me 61 vota. Kjo për momentin është e pamundshme. Pra vetëm ndonjë shtytje e jashtme ose ndonjë krizë madhore mund ta qojë vendin në zgjedhje”, shtoi politologu Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat