Referendumi “mburojë” e Thaçit nga përgjegjësia e pazareve në dialog - Bota Sot
Referendumi “mburojë” e Thaçit nga përgjegjësia e pazareve në dialog

Politika

E premte, 17 gusht 2018

Referendumi “mburojë” e Thaçit nga përgjegjësia e pazareve në dialog

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 12 gusht 2018 Në ora: 08:16
Hashim Thaçi

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se korrigjimi i kufijve do të thotë vetëm bashkim i Luginës me Kosovën.

Për tu arritur kjo, Presidenti Thaçi ka deklaruar se është i domosdoshëm deklarimi e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit, në rast të arritjes së marrëveshjes.

“Unë jam duke zhvilluar konsultimet e nevojshme ndër-institucionale, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që në një të ardhme të afërt, ne bashkërisht të pajtohemi për të proceduar me legjislacionin adekuat për të bërë të mundur që zëri dhe vullneti i qytetarëve në çështjet e rëndësisë vitale, të shprehet nëpërmjet referendumit. Sidomos, në rastin e arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e konsideroj si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit. Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe historik”, ka deklaruar Thaçi në një konferencë për media.

Bashkimi i tri komunave shqiptare me Kosovën mund të jetë një ide e rrezikshme,  e cila mund të jetë diskutuar edhe në qarqet ndërkombëtare. Për më tepër, është vlerësuar se Presidenti Thaçi përmes referendumit po mundohet që të zhvishet nga pazaret.

Bunjaku-Rexhepi: Thaçi, tinëzisht bisedon me serbet

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi, ka deklaruar se Presidenti Thaçi ka bërë pazare me Serbinë, për të cilat qytetarët nuk janë në dijeni.

Sa i përket paralajmërimit të Thaçit për referendum,  ajo ka thënë se ai dëshiron të zhvishet nga pazaret e tij.

“Presidenti Kosovës Hashim Thaçi duket se ka bërë pazare me Serbinë dhe qytetaret e vendit nuk e dinë se për çfarë pazaresh është fjala. De jure presidenti ka legjitimitetin e përfaqësimit më të lartë shtetëror por de facto ai ka humbur besimin qytetar dhe aktualisht nuk mund të përfaqësojë as 20% të qytetareve. Për me tepër ai tinëzisht bisedon me Serbet dhe është shumë kontradiktor me vet deklaratat e tij. Referendumi qytetar nëse është paralajmëruar nga Presidenti Thaçi është edhe një forme përmes të cilës ai dëshiron të zhvishet nga pazaret e tij dhe marrëveshjet të cilat mund të arrihen me Serbinë nën emrin e tij”, ka potencuar deputetja e LDK-së.

Për më tepër, ajo ka shtuar se bashkimi i  Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit me Kosovën do të ndodh një ditë natyrshëm dhe se një gjë e tillë nuk mundet të ndalohet nga askush.

“Edhe pse Serbia nuk e njeh as pavarësinë e as integritetin territorial të Kosovës një bashkim i Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit me Kosovën është një proces i cili natyrshëm do të ndodh një ditë sepse ajo pjesë është e mishëruar dhe historikisht e lidhur me Shqiptarët në Kosovë dhe duhet krijuar parakushte për një vullnet të lirë të përcaktimit të banoreve atje. Dhe duke u bazuar se vullnetin e drejt të një populli për të drejtën e tyre ligjore nuk mund ta ndal askush dhe duke pas parasysh se Evropa ka formalizuar kufijtë ndërmjet shteteve brenda saj shpresojmë se vullneti i popujve duhet mbetur meritë e plotë përcaktimit të tyre, por assesi a ndonjë politikani i cili thirret në emër të patriotizmit e ndërsa pushtetin e tij e përdorë për folklor politik dhe pazare të cilat mund të kenë pasoja të rënda për vendin dhe të ardhmen e rajonit !! ”, ka deklaruar Bunjaku Rexhepi për “Bota sot.

Gjithashtu, ajo ka theksuar se Serbia mund të mbetet një shtet i izoluar dhe pa të ardhme të mirë për qytetaret e saj,  nëse nuk e njeh shtetin tonë.

“Serbia duhet ta kuptoje se pa ridefinimin e raportit të saj karshi Kosovës dhe pa njohjen zyrtare të shtetit tonë si i pavarur dhe sovran nuk mund të këtë një të ardhme Evropiane dhe integruese në NATO dhe BE ose në të kundërtën do të mbetet një shtet i izoluar dhe pa të ardhme të mirë për qytetaret e saj!”, ka potencuar deputetja e LDK-së Bunjaku Rexhepi.

Zeka: Deklarata e Lutës është deklaratë e ndërkombëtarëve

Image
Milaim Zeka

Kurse, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se qytetarët e Kosovës mund të flenë të qetë derisa KFOR është në Kosovë, duke shtuar se idetë për ndarje nuk janë të Thaçit, por që ai ka gabuar që nuk është treguar transparent në lidhje me këtë çështje.

“Sa të jetë KFOR-i në Kosovë, qytetarët mund të flenë të lirë, në momentin që nuk e kemi KFOR-in, janë çështje krejt tjera. Idetë për korrigjime, shkëmbime të territoreve, nuk janë ide të Hashim Thaçi, por janë ide të ndërkombëtarëve. I vetmi gabim që ka bërë presidenti Thaçi deri më sot është se nuk është treguar transparent me opinion dhe të tregojë se idetë e tilla kanë filluar para dy viteve dhe unë e kam thënë edhe në parlamentin e Kosovës se çështja e shkëmbimit të territoreve ka qenë në tavolinë dhe është ende. Lutfi Haziri nuk ka folur paushall, deklarata e Lutës është deklaratë e ndërkombëtarëve, deklarata e presidentit është deklaratë e ndërkombëtarëve, ekspertëve ndërkombëtarë të cilët do ta vënë këtë opsion në tavolinë”, është shprehur ai.

Zeka thotë se, rreziku që të ketë shkëmbim të territoreve ekziston dhe do të ndodhë nëse Serbia arrin ta bindë Uashingtonin dhe Brukselin se në atë rast do të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkan.

“Në qoftë se Serbia arrin, jo Kosova, por Serbia arrin ta bind Uashingtonin dhe Brukselin dhe ndërrimi i territoreve siguron paqe dhe stabilitet në Ballkan, rreziku maksimal është se do të kemi shkëmbim të territoreve, por kjo varet nga Serbia, sepse ajo e ka në krahun e vet superfuqinë, ndërsa ne e kemi diplomacinë e jashtme zero, e kemi vetëm sa për të shpenzuar para”, ka deklaruar Milaim Zeka për “Bota sot”.

Abazi: Askush nuk i beson Thaçit

Image
Haki Abazi

Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi ka thënë për gazetën “Bota sot” se dështimi i plotë i liberalizmit të vizave dhe mungesa e progresit detyrojnë Thaçin të lajmërojë një nismë të re.

“Thaçi ka filluar të tregoje shenja të halucinacioneve serioze. Dështimi i liberalizimit të vizave dhe mungesa e plotë e progresit në të gjitha fushat përfshirë njohjet dhe dështimi i plotë në aspektet zhvillimore, injorimi total në rastin e ushtrisë, zënia peng nga Lista Sprapska ka bërë që ai për çdo ditë sikur fontanë dëshirash të lajmëroj një sihariq të ri”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ka shtuar se  korrigjimin e kufijve nuk do ta pranoj Serbia dhe se Thaçi është nuk mund ta përfaqësojë  vendin në dialog.

“Manipulimit për suksesin jo ekzistent të dialogut ja ka shtuar edhe Luginën e Preshevës dhe korrigjimin e Kufirit ndërsa pohon se Serbia nuk donë ta pranoje në një mënyrë. Unë dje kam thënë që pas zgjedhjeve demokratike duhet të bëhen marrëveshje me referendum por Thaçi po mendon që fiton duke blerë kohe. Askush nuk i beson atij, ai është pa legjitimitet dhe nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në dialog”, ka përfunduar Abazi për “Bota sot”.

Burjani: Referendum nuk ka

Image
Blerim Burjani

Kurse, analisti politik, Blerim Burjani  mendon se nuk do të ketë referendum, pasi që bashkimi i tre komunave shqiptare me Kosovën dhe tre komunave tjera serbe në veri të Kosovës është një ide e rrezikshme. Ai mendon  se kjo është diskutuar edhe më parë në qarqet ndërkombëtare.

“Referendum nuk ka , as nuk do të ketë fare, dihen arsyet nuk do të arrihej qëllimi për një zgjidhje  normale dhe pa komplikime përmes debateve dhe formave tjera, referendumi nuk do të ndodh as në Kosovë e as në Serbi, shkëmbimi është i rrezikshëm nëse nuk ka asnjë model të pranueshëm prej dy parëve, pra dy shteteve, bashkimi i tre komunave shqiptare me Kosovën dhe tre komunave tjera serbe në veri të Kosovës janë ide të rrezikshme, shkëmbimi duket të jetë diskutuar edhe më herët në qarqet ndërkombëtare e deri tash këto janë heshtur, tash janë shpërfaq, pra kërkohet ndonjë variant e tillë për normalizim të raporteve. Këto ide janë të rrezikshme, aventuristike dhe nuk i dihet reaksioni në tërë Ballkanin perëndimor”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka deklaruar se një shkëmbim i tillë mund të sjell pakënaqësi dhe se rajoni mund të përballët kriza.

“Shkëmbimi është  i çuditshëm që përmendet, dhe aventuristik, në Kosovë mund të ketë pakënaqësi dhe tash ka një lloj panikë dhe frikë shqetësimet vërehen në Anamoravë, por edhe entuziazëm së çka kanë përgatitur Thaçi dhe Vuçiq rajoni mund të përballet me disa kriza, këto janë paralajmërime serioze po që se ka kësi aventura të këtij lloji sikur në filmat Indiana Jons aventura  misterioze kanë ndodh përgjatë dialogut Kosove -Serbi prej vitit 2011”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test