Pas zhvillimeve të fundit nga presidenti Thaçi i cili po tenton që të luaj me kufijtë e Kosovës, opozita ka paralajmëruar shkarkim të tij dhe të qeverisë aktuale.
Siç është raportuar, partitë opozitare i kanë 57 vota për ta rrëzuar qeverinë, katër më pak se sa duhet.
Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku ka thënë se Vetëvendosja është e gatshme për zgjedhje të reja, madje ajo beson se partia e saj do të ketë rezultate më të mira se sa në zgjedhjet e kaluara.
“Vetëvendosja është e gatshme për zgjedhje dhe jam shumë e bindur se rezultati do të jetë edhe më i favorshëm se në 2017, këtë e them me bindje sepse jam në kontakt me strukturat dhe aktivistët, disponimi është i jashtëzakonshëm’’, tha deputetja Millaku për gazetën “Bota sot”.
Ajo shton tutje se arsyeja pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje, është fakti se deklaratat e Thaçit për territore janë të rrezikshme, ndërsa qeveria është jofunksionale për shkak të mungesës së numrave.
“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje sepse deklarata e Thaçit janë të rrezikshme kur flet për territore, e për këtë arsye, duhet evituar ato përmes zgjedhjeve. Sa i përket pozitës mendoj se ajo është vet e bindur se jo vetëm nuk i ka numrat por kanë edhe probleme me frymën e dështimit që e përcjell gati nga themelimi i kësaj qeverie.”- përfundoi Millaku për “Bota sot”.